40 vjet nga demonstratat e ‘81-shit, Januzaj: Shpërthim kundër shtypjes

Aktuale

40 vjet nga demonstratat e ‘81-shit, Januzaj: Shpërthim kundër shtypjes

Më: 11 mars 2021 Në ora: 10:31
Januz Januzaj

Demonstratat e vitit 1981 shënuan një kthesë të madhe për lirinë e Kosovës. Gjithçka kishte filluar në konviktin numër 3, ku disa studentë kishin planifikuar demonstratat, si përgjigje kundër dhunës që u përdor për të shtypur protestat nëpërmjet të cilave ata kërkonin trajtim dinjitoz dhe ushqim, në mensën e studentëve, më 4 mars të atij viti.

Mbrëmjen e së mërkurës së 9 marsit të vitit 1981 një grup studentësh kishte planifikuar demonstratën e 11 marsit.

40 vjet më pas, flet njëri nga organizatorët e këtyre protestave, Januz Januzaj, që kujton për kp momentet si u organizuan dhe thotë se demonstratat e atij viti janë një frymë e identitetit kombëtar.

Ai thotë se kryengritjet revolucionare të rinisë, popullit dhe klasës punëtore për të drejtat e shqiptarëve në Jugosllavi janë thyerje e rrugës jugosllave, janë nisje për një rrugë çlirimtare.

Januzaj: Demonstratat e 81-ës, shpërthim kundër dhunës në mensë

“Kemi qenë 4 shokë në Fakultetin e Drejtësisë, kemi qenë absolventë para diplomimit dhe, dy shokë të tjerë kanë qenë në Fakultetin Teknik, nuk kemi parë më parë demonstrata. E kemi organizuar me të drejtën tonë se na bëheshin të padrejta jo vetëm në Qendrën Studentore në mensë, por ishim të frymëzuar sepse nuk e ndjenim veten si komb. I kemi organizuar ato demonstrata si shpërthim i pakënaqësisë në mensë, pa e ditur sa do të na bashkëngjiten, si është fryma e përgjithshme, sa pjesëmarrës do të ketë. Ka qenë e mërkurë në mbrëmje, në ora 19:00 në mensë, e kemi parë sesa kanë qenë të frymëzuar studentët, të gjithë gati na janë bashkëngjitur”, kujton ai.

Januzaj tregon se protesta e studentëve të Kosovës, e mbajtur në Prishtinë më 4 mars 1981 për kushte më të mira në mensën e studentëve në Prishtinë, vuri në pah sesa të etur ishin të rinjtë shqiptarë për trajtim dinjitoz dhe drejtësi, për çka shton se u motivuan edhe më shumë që të organizohen në demonstrata për të drejtën e tyre.

Ai kujton se më 1 dhe 2 prill të atij viti janë mbajtur demonstrata në tërë rrugët e Prishtinës, ku janë përdorur mjete të ndryshme policore, tanke, teksa ka pasur edhe të vrarë.

Januzaj: Demonstratat tona kanë qenë paqësore, por u vranë 11 persona

“Kur e kemi bërë protestën në mensë për kushtet tona jo të mira, atëherë kemi parë se kemi shumë përkrahës. Rreth 200-300 (persona) janë nisur për qytet dhe nuk kanë pritur që të bashkëngjiten të tjerët. Ne që kemi pritur, jemi bashkuar të gjithë tek konvikti dhe kemi marshuar drejt qytetit dhe jemi kthyer tek mensa. Ajo demonstratë ka zgjatur deri në orët e hershme të mëngjesit. Ndërsa demonstrata e 26 marsit po ashtu është mbajtur në qendrën e studentëve, në platenë para konvikteve dhe ajo ka zgjatur deri në mbrëmje derisa ka intervenuar njësia speciale federative, e cila ka bërë krime të rënda atë ditë. Më 1 dhe 2 prill janë mbajtur demonstrata në tërë rrugët e Prishtinës dhe janë lëshuar mjete të ndryshme policore, tanke, dhe ka pasur edhe të vrarë. Thuhet se janë vrarë 11, janë emrat dhe mbiemrat. Demonstrata ka qenë paqësore, jo që nuk kemi pasur armë të zjarrit, por nuk kemi pasur as armë të ftohta”, deklaroi Januzaj.

Si organizatorë të këtyre demonstratave Januzaj thotë se u përndoqën dhe u burgosën nga regjimi serb, teksa tregon se edhe janë torturuar në mënyra barbare.

Januzaj: Jemi trajtuar në mënyrën më barbare nëpër dhomat e hetuesisë

“Jemi burgosur. Unë jam burgosur, shokët e mi janë burgosur në fund të marsit dhe në fillim të prillit, ndërsa unë jam burgosur në korrik. Jemi trajtuar në mënyrën më barbare nëpër dhomat e hetuesisë të shërbimit të atëhershëm të fshehtë jugosllav, saktësisht në Prishtinë dhe janë metoda çnjerëzore. Pastaj jemi dënuar në gusht, prej 6 vjetësh jemi dënuar 21 studentë, kryekëput për demonstratat e studentëve të 11 dhe 26 marsit”, tregon ai.

Pavarësisht këtyre, ai thotë se sa herë që vjen 11 marsi ndihen krenarë që sollën rrëzimin e ish-Jugosllavisë dhe që nuk pushuan asnjëherë deri në çlirimin e Kosovës në vitin 1999.

Januzaj: Çdo 11 mars ndjehemi krenarë dhe prekemi njëkohësisht

“Kur vjen 11 marsi, unë dhe shokët ndihemi krenarë por edhe prekemi sepse e kemi bërë me vetëdije por nuk kemi qenë dhe aq të bindur që krejt rinia shqiptare është aq fortë e bindur se jemi të pabarabartë dhe ato ngjarje e kanë bërë thyerjen përfundimtare të atij mashtrimi që ka provuar pushteti jugosllav. Ajo rrugë, fryma e demonstratave, ka treguar se ne kemi të drejtë sepse nuk kanë shkuar gati 10 vjet dhe Jugosllavia është prishur”, thotë Januzaj.

Demonstratat e studentëve shqiptarë në Kosovë filluan më 11 mars 1981 dhe vazhduan më 24 mars dhe më 1 e 2 prill 1981. Me kërkesat e demonstruesve u solidarizua i gjithë populli shqiptar i Kosovës. Në këto demonstrata u vranë 11 persona dhe u plagosën 15 të tjerë.

Për nder të 40 vjetorit të këtyre protestave, Januz Januzaj ka botuar librin me kujtime “Ngritja e historisë”, libër i cili do të përurohet sot në ambientet e Mensës së Studentëve në Prishtinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat