Alarmi për vaksinën me të cilën do të furnizohet Kosova, infektologu thotë se vendi s’ka informacione për të

Aktuale

Alarmi për vaksinën me të cilën do të furnizohet Kosova, infektologu thotë se vendi s’ka informacione për të

Më: 11 mars 2021 Në ora: 16:38
Vaksina

Në mesin e disa prej vaksinave të licencuara për luftimin e virusit COVID-19, është edhe AstraZeneca.

Madje pritet që vaksina e AstraZenecas dhe Oxfordit kundër koronavirusit, Kosova t’i marrë falas përmes programit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, COVAX, që ka për qëllim të shpërndajë vaksina në vende të varfra.

Por, së fundi, janë shfaqur probleme shëndetësore me pacientët të cilat kanë marrë dozën e parë të kësaj vaksine.

Express sot ka raportuar se rregullatori kombëtar i ilaçeve në Austri ka pezulluar përdorimin e një serie të vaksinës AstraZeneca pasi katër pacientë u diagnostikuan me gjendje të rrezikshme të mpiksjes së gjakut pas marrjes së dozës, raporton APA. Përpos Austrisë, edhe disa shtete tjera si Estonia, Lituania, Luksemburgu, Letonia të cilët kanë pezulluar përdorimin e kësaj vaksine.

Infektologu Hamdi Ramadani ka deklaruar se si vend në përgjithësi nuk posedojnë informacione të detajuara lidhur me këtë vaksinë, apo reaksionet që ka shkaktuar tek pacientët.

Por, sipas tij, ka vaksina të shumta nga të cilat trupat e njerëzve mund të kenë reagime nga më të ndryshmet, por që vaksinat në përgjithësi e mbrojnë imunitetin e pacientëve.

“Nuk mund të themi ne asgjë lidhur me këtë sepse as nuk kemi informacione të detajuara si Kosovë, pra nuk posedojmë të dhëna të saktësuara, por në parim mund të them se në përgjithësi vaksinimet janë të mira dhe ato kanë e ndërtojnë imunitetin mbrojtës. Por a ka ndonjë vaksinë ndonjë efekt anësorë në këtë rast, ne vetëm mund të marrim informacionin nga prodhuesi i kësaj vaksine, apo mjekët e atij vendi nëse veç ka diçka prej saj. Absolutisht mund të ketë reaksione të shumta nga vaksinat, por saktësisht sa i përket vaksinës AstraZeneca nuk dijmë ndonjë gjë. Megjithatë vaksinat janë të testuara e testohen në grupe të caktuara e më pas lëshohen, pra secilit vend i takon a e miraton apo jo”, tha Ramadani.

Sipas Ramadanit lidhur me këtë mund të flasin më së miri vetëm prodhuesit, apo doktorët të cilët janë marrë me pacientët që patën reaksione të ngjashme.

Sipas infektologut Ramadani, situata me COVID-19 në Kosovë për momentin është mjaftë shqetësuese, e që sipas tij rritja e numrit të rasteve ka të bëjë me përhapjen e madhe të virusit COVID-19 të njohur si varianti anglez.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat