PDK e pranon ftesën e Kurtit

Aktuale

PDK e pranon ftesën e Kurtit

Më: 12 mars 2021 Në ora: 12:50
Memli Krasniqi

PDK-ja i është përgjigjur pozitivisht ftesës së Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit për të marr pjesë në takimin ku do të diskutohet për formimin e institucioneve, pas zgjedhjeve të 14 shkurtit. Kjo ftesë e VV-së erdhi pasi kjo parti mori gati 50% të votave të përgjithshme në këto zgjedhje

Lëvizja Vetëvendosje ka dërguar ftesa për tri partitë më të mëdha në vend, për të biseduar rreth konstituimit të institucioneve, pas zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Partia e parë që i është përgjigjur pozitivisht ftesës së liderit të VV-së, Albin Kurti dhe u.d. të Presidentit, Vjosa Osmani është Partia Demokratike e Kosovës (PDK).

Nënkryetari i kësaj partie Memli Krasniqi, ka konfirmuar për media, se kjo parti do të marrë pjesë të hënën në takimin e thirrur nga Kurti e Osmani.

“PDK-ja do të marrë pjesë në takimin e ftuar të hënën. Si parti kryesore opozitare, qëndrimet tona rreth formimit të institucioneve do t’i bëjmë të njohura në takim”, ka thënë Krasniqi.

Lidhur me këto ftesa sot gjatë ditës është deklaruar edhe kryetari në dorëheqje i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ai tha se nuk e din se kur LDK-ja është e gatshme për të marr pjesë në këso takime.

“LDK gjithherë ka qenë e hapur për biseda dhe dialog. Nuk jemi barrikaduar si të tjerët dhe nuk i kemi gjuajtur të tjerët me gaz e me mollotov, kur është dashur të bisedojmë. Kuvendi është i të gjithëve, jo vetëm i atyre që janë renditur të parët. Nuk shoh asgjë të keqe nga bisedat për përgatitjen e konstituimit të Kuvendit. por se kur LDK do të jetë e gatshme të marrë pjesë, nuk mund të flas”, ka thënë Mustafa për Kosovapress.

Ndërkohë VV-ja ftesë ka dërguar edhe në AAK.

Nga kjo e fundit ende nuk janë deklaruar nëse do të marrin pjesë apo jo në takimin e thirrur nga Kurti dhe Osmani.

Kujtojmë që fituese e zgjedhjeve të 14 shkurtit doli Lëvizja Vetëvendosje me 49,95% të votave të përgjithshme, e pasuar nga PDK-ja me 16.90% të votave dhe e treta u rendit LDK-ja me 12.64% të votave.

AAK-ja në këto zgjedhje mori vetëm 7.07% të votave. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat