“Fshesa” e Albin Kurtit prek institucionet kryesore të vendit

Aktuale

“Fshesa” e Albin Kurtit prek institucionet kryesore të vendit

Më: 12 mars 2021 Në ora: 20:58
Albin Kurti

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, i cili pritet të bëhet kryeministër i ardhshëm i Kosovës në javët në vijim, e ka bërë të ditur angazhimin e qeverisë së tij në javën e parë të punës.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në “Facebook”, Kurti ka paralajmëruar shkarkimin e të gjithë zyrtarëve që janë emëruar pas datës 21 dhjetor, kur Kushtetuesja kishte marrë vendim për rrëzimin e Qeverisë Hoti.

“Çdo intervistim, nominim, rekrutim apo emërim duhet të ndërpritet menjëherë dhe të mos vazhdojë deri në votimin e Qeverisë së re. Secili emërim i nënshkruar pas rrëzimit të Qeverisë anti-kushtetuese do të anulohet që në javën e parë të qeverisjes, dhe kjo vetëm mund t’i dëmtojë personat e përfshirë”, ka thënë ai.

Sondazh online: Kush duhet të bëhet kryetar i LDK-së?

Në mesin e vendimeve të Qeverisë së Kosovës, pas 21 dhjetorit të vitit të kaluar, ka edhe të tilla për emërime.

Një nga emërimet më të rëndësishme të kësaj periudhe është ai i drejtorit të Policisë së Kosovës.

Samedin Mehmeti është emëruar drejtor i përgjithshëm i këtij institucioni më 13 janar të këtij viti.

Edhe Inspektorati Policor i Kosovës është bërë me shef pas vendimit të Kushtetueses për Qeverinë Hoti.

Zgjedhja e kryeshefit nuk bëhet drejtpërdrejt nga Qeveria, por nga ministri i Punëve të Brendshme. Agim Veliu ka nënshkruar më 30 dhjetor vendimin përmes të cilit Kushtrim Hodaj është bërë shef i këtij institucioni.

Qeveria gjatë kësaj kohe ka bërë edhe emërime nëpër borde.

Kurti nuk ka folur vetëm për vendime të Qeverisë, por edhe për menaxherë në nivele me të ulëta.

“Vrapi pas intervistuesve, nominimeve, rekrutimeve dhe emërimeve nëpër ndërmarrje publike (si në menaxhment të tyre ashtu edhe nëpër borde), agjenci ekzekutive, rregullatorë, klinika, apo drejtori e departamente ministrish nuk po ka të ndalur”, ka deklaruar ai.

Në disa ministri gjatë kësaj kohe ka pasur ndërrim sekretarësh, e SHSKUK-ja është bërë me drejtor të ri. Në një proces që është përcjellë me kontestime të shumta ish- këshilltari i Imet Rrahamnit në Ministrinë e Shëndetësisë, e ish-bashkëpunëtori i Isa Mustafës në Komunën e Prishtinës, Valbon Krasniqi, është zgjedhur drejtor i këtij institucioni.

Vendime për shkarkime në disa institucione ishin marrë nga Kurti edhe vitin e kaluar, kur ishte në bashkëqeverisje me LDK-në. Megjithatë, ka pasur edhe kritika se zëvendësimet po bëheshin me përkrahës të Lëvizjes Vetëvendosje e partneres së atëhershme në ekzekutiv.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat