Detaje për Kuvendin Zgjedhor të LDK-së

Aktuale

Detaje për Kuvendin Zgjedhor të LDK-së

Më: 13 mars 2021 Në ora: 13:41
LDK

LDK pritet ta zgjedhë nesër prijësin e ri të kësaj partie në Kuvendin Zgjedhor të përbërë nga 335 delegatë.

Përgatitjet tashmë janë afër përfundimit, derisa nga kjo parti kanë konfirmuar se Kuvendi Zgjedhor do të fillojë në orën 10:00.

Ish-deputetja e LDK-së, Besa Gaxherri ka thënë se Kuvendi ku do të zgjidhet kryetari  që do ta udhëheqë LDK-në për dy vitet e ardhshme, do të fillojë në ora 10:00 dhe do të mbahet në Hotel Emerald.

Të njëjtin e ka konfirmuar edhe kryetari i degës së LDK-së në Viti, Sokol Haliti. Haliti ka thënë se pret një garë demokratike.

Katër zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës do të jenë në garë për ta udhëhequr partinë. Deri më tani kandidaturat e tyre i kanë zyrtarizuar, Lumir Abdixhiku, Besian Mustafa, Anton Quni e Lutfi Haziri, derisa është paralajmëruar se në Kuvend mund të ketë edhe kandidatura të tjera.

LDK i është futur procesit të zgjedhjes se kryetarit të ri, pasi që kryetari aktual Isa Mustafa ka paralajmëruar dorëheqjen, të cilën, siç kanë thënë në LDK do ta paraqes para anëtarëve të Kuvendit të Përgjithshëm të LDK-së.

Dorëheqja e Mustafës vjen pas debaklit në zgjedhjet e 14 shkurtit, që e nxori këtë parti me rezultatin më të dobët në histori të saj.

LDK mori vetëm 12.73 % të votave, duke siguruar 15 deputetë në legjislaturën e re.

Kryetari i ri i LDK-së do të udhëheqë këtë parti për dy vitet e ardhshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat