“Pjetër Shala ka shumë për të rrëfyer”, familja e anëtarit të vrarë të LDK-së reagon pas arrestimit të “Ujkut”

Aktuale

“Pjetër Shala ka shumë për të rrëfyer”, familja e anëtarit të vrarë të LDK-së reagon pas arrestimit të “Ujkut”

Nga: P.R Më: 16 mars 2021 Në ora: 21:04
Pjetër Shala dhe Fatmir Limaj

Pjetër Shala, i njohur si Komandant “Ujku” është arrestuar gjatë ditës së sotme në Belgjikë nga Gjykata Speciale, pasi së fundi i është konfirmuar aktakuza.

“Pjetër Shala arrestohet në Belgjikë në zbatim të fletarrestimit të lëshuar nga dhomat e specializuara të Kosovës. Më 16 mars 2021, autoritetet e Belgjikës arrestuan Pjetër Shalën në zbatim të fletarrestimit dhe aktakuzës së konfirmuar për krime lufte, lëshuar nga Gjykatësi i Procedurës Paraprake i Dhomave të Specializuara të Kosovës. Pjetër Shala do të mbahet i ndaluar në Belgjikë, në pritje të transferimit të tij në objektin e paraburgimit të DHSK-së në Hagë. Së shpejti do të jepet më shumë informacion ku do të përfshihet edhe informacion për nxjerrjen publike të aktakuzës së konfirmuar me redaktimet e nevojshme. Në bazë të rregullës 88 të Rregullores së Procedurës dhe Provave, aktakuza bëhet publike jo më vonë se paraqitja e parë e të akuzuarit”, thuhet në komunikatën e Gjykatës Speciale për arrestimin e “Ujkut”.

E menjëherë pas këtij arrestimi, ka ardhur edhe reagimi i familjes së Haki Imerit, anëtarit të vrarë të LDK-së.

Familja Imeri ka shkruar në facebook se arrestimi i “Ujkut”, është mesazh edhe për personat e tjerë.

“Gjykata Speciale paska arrestuar në Belgjikë komandant Ujkun, Pjetër Shalen. Pjetër Shala një protagonist i rëndësishëm i shumë ngjarjeve në Kosovë dhe Shqipëri. Pjetër Shala ka shumë për të rrëfyer! Po e shohim se Gjykata Speciale ka filluar në një dimension tjetër aktivitetin, arrestimin e të akuzuarve jashtë Kosovës, kjo është një shenjë edhe për të tjerët që janë strehuar jashtë Kosove duke menduar se i ikin drejtësisë. Por nuk mund ti ikin. I urojme suksese të mëtejme Gjykatës Speciale në operacionet e ardhshme dhe mbështesim pa rezervë zbardhjen e vrasjeve politike”, shkruan familja Imeri në reagimin e tyre në facebook.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat