Mbikëqyrje, jo mbyllje

Aktuale

Mbikëqyrje, jo mbyllje

Më: 19 mars 2021 Në ora: 13:52
Prishtinë, qershor, 2020.

Mbikëqyrja e respektimit të masave, si mbajtja e maskave, distanca fizike dhe mosgrumbullimi i njerëzve në hapësira të mbyllura, do të duhej të jenë masat për parandalimin e COVID-19 dhe jo mbyllja e ndonjë veprimtarie, thotë për Radion Evropa e Lirë, infektologu Ilir Tolaj.

Në Kosovë, në javën e fundit numri i personave të infektuar me COVID-19 ka shënuar rritje. Vetëm nga fillimi i kësaj jave deri të enjten, janë shënuar 2.540 raste pozitive me sëmundjen COVID-19.

Tolaj thotë se kafiteritë e restorantet, të cilat po organizojnë ahengje me muzikë live, janë vendet ku po përhapet virusi.

Këto vende ku po grumbullohen njerëzit, shton ai, duhet të identifikohen dhe të mbikëqyren nga autoritetet kompetente.

“Masat restriktive vetëm e shtyjnë pandeminë dhe nuk krijojnë zgjidhje. E jona do të ishte që të lejojmë përhapjen e infeksionit në mënyrë graduale. Tjera është që autoritetet shëndetësore duhet të jenë më serioze, të korrigjojnë dështimin që e kanë bërë me vaksinat dhe të fillojë vaksinimi sa më shpejtë”, thotë Tolaj.

Kosova është vendi i vetëm në Ballkan i cili ende nuk ka filluar vaksinimin. Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti ka paralajmëruar se kontingjenti i parë prej 33.000 dozave të vaksinës nga programi, COVAX do të vijnë në muajin mars.

Dakordimi për mbyllje të shkollave

Antigona Baxhaku-Idrizi, këshilltare e kryeministrit në detyrë, Avdullah Hoti, tha për Radion Evropa e Lirë, se përveç dakrodimeve që ka bërë Ministria e Arsimit dhe Shkencës me atë të Shëndetësisë për masat në sektorin e arsimit, nuk ka ndonjë masë tjetër.

“Numri rasteve me COVID-19 është evident, por është në kuadër të parashikimeve dhe nën kontroll. Nuk ka ndonjë rritje shumë të madhe që nuk mund të menaxhohet”, tha Baxhaku-Idrizi.

Të premten, shtoi Baxhaku-Idrizi, nga Ministria e Shëndetësisë do të bëhet kategorizimi i komunave dhe aty do të shqyrtohet situata se si do të veprohet tutje.

Për shkak të rritjes së numrit të personave të infektuar me koronavirus në sistemin e arsimit, Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka propozuar që në institucionet arsimore të ndërpritet procesi mësimor për një javë, nga data 22 mars.

Por, mbyllja e shkollave nuk po shihet si veprim i duhur nga infektologu, Ilir Tolaj.

“Shkollat është lehtë të kontrollohen dhe mbikëqyren, si nga mbajtja e distancës fizike, si në aspektin e masave higjienike. Prandaj, nuk po e shoh që është zgjidhje nëse shkollat mbyllen, e në anën tjetër të gjitha veprimtaritë tjera mbeten të hapura dhe nuk kontrollohen ”, thotë Tolaj.

Kapacitet spitalore, të mbushura

Autoritetet shëndetësore që nga fillimi i rritjes së numrit të rasteve, herë pas here kanë theksuar se ka mbingarkesë të kapaciteteve spitalore.

Rastet me COVID-19 aktualisht trajtohen në Klinikën Infektive, atë të Pulmologjisë, në Klinikën Sportive të Qendrës Klinike Universitare si dhe në spitalet rajonale.

Spitali COVID-19, i planifikuar të ndërtohet, nuk ka përfunduar ende.

Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), Valbon Krasniqi tha për Radion Evropa e Lirë se sikur të kishte përfunduar ky spital, menaxhimi do të ishte më i lehtë.

“Ne po detyrohemi që për çdo rritje të numrit të pacientëve të hospitalizuar, të marrim shtratin e pacientëve pa COVID-19 për t’i ridestinuar për pacientët me COVID-19”, tha Krasniqi.

Procedurat për ndërtimin e këtij spitali, thotë Krasniqi, janë duke vrazhduar nga Ministria e Shëndetësisë, por që nuk dihet se kur mund të jetë i gatshëm ai.

Aktualisht, pacientë të shtrirë në shtatë spitalet e përgjithshme dhe në klinikat e QKUK-së janë 780, numër ky më i vogël sesa në muajin nëntor të vitit të kaluar, kur ishin të shtrirë 110 pacientë.

Krasniqi paralajmëron se një rritje më e madhe e personave që do të kërkonin ndihmë mjekësore, do ta bënin që të pezulloheshin shërbimet e tjera spitalore.

“Është shqetësuese, pothuajse shumë pak respektohen masat. Po të dalësh në qytet shihni pjesën më të madhe të njerëzve që nuk bartin maska, shihni njerëz të grumbulluar në dyqane, lokale, restorante. Është një relaksim i tërësishëm i popullatës dhe kjo mund të kushtojë”, tha Krasniqi.

Megjithatë, për infektologun Ilir Tolaj, kapacitetet spitalore nuk është se janë në nivelin, siç thuhet, të mbingarkuara.

“Sistemi shëndetësor duhet të funksionojë në mënyrë shumë fleksibile dhe nëse shprehet nevoja të krijojë kapacitete shtesë për këtë punë”, tha ai.

Masat nga qeveria e ardhshme

Në Kosovë së shpejti pritet krijimi i qeverisë së re të udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje, fituesja e zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit. Kjo parti, me ardhjen në pushtet, pritet të përballet me menaxhimin e situatës epidemiologjike me COVID-19.

Fatmire Mulhaxha -Kollçaku, nënkryetare e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila është edhe epidemiologe, tha për Radion Evropa e Lirë se të gjitha masat që do të ndërmerren nga qeveria, që mëton ta udhëheqë kreu i kësaj partie, Albin Kurti, konkretisht nga Ministria e Shëndetësisë, do të bazohen në situatën epidemiologjike.

“Pasi që të emërohet ministri i ri i Shëndetësisë, atëherë do të njoftoheni më konkretisht se cilat masat do të duhet të ndërmerren për të parandaluar rritjen e numrit të rasteve dhe për të vënë në kontroll situatën. Ne nuk kemi ende vaksinën dhe kjo qeveri në detyrë është shumë e vonuar në këtë drejtim”, tha Mulhaxha-Kollçaku.

Prej regjistrimit të rasteve të para me koronavirus në Kosovë, më 13 mars të vitit të kaluar, autoritetet shëndetësore kanë regjistruar 79.793 raste të infektimit.

Prej tyre 1.736 persona kanë vdekur./Rel/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat