‘Garda’ e vjetër mbetet jashtë LDK-së, këta janë emrat e rinj të Kryesisë

Aktuale

‘Garda’ e vjetër mbetet jashtë LDK-së, këta janë emrat e rinj të Kryesisë

Më: 20 mars 2021 Në ora: 11:54
LDK

Pas zgjedhjes së kryetarit të ri të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku pritet që gjatë ditës së sotme të zgjedh përmes Këshillit të Përgjithshëm edhe anëtarët e rinj të Kryesisë së re të kësaj partie.

Siç merr vesh media nga burimet e saja, Agim Veliu, Arban Abrashi, Haki Rugova e Naser Osmani nuk do të jenë më pjesë e Kryesisë së kësaj partie.

Derisa këta emra pritet të zëvendësohen me një emër të ri siç është Brikenda Kryeziu. 

Pjesë e Kryesisë së re do të jenë edhe kryetari aktual i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri dhe Imri Ahmeti që ka mbajtur deri më tani pozitën e nënkryetarit të LDK-së. Të dy këta emra, ishin pjesë e Kryesisë së vjetër në këtë subjekt politik. 

Sipas burimeve, nënkryetar i LDK-së pritet të zgjidhet ish-nënkryetari i Kuvendit nga kjo parti, Kujtim Shala.

Po ashtu, siç mëson medias ish-kryetari i Ferizajt nga LDK-ja, Muharrem Svarqa do të zëvendësohet me kandidatin për deputet të LDK-së nga Ferizaj, Dardan Dibrën.

 “Agimi Veliu, Haki Rugova, Arban Abrashi, Naser Osmani nuk do të jenë më pjesë e Kryesisë së LDK-së. Nënkryetar pritet të zgjidhet Kujtim  Shala. Ndërsa, Lutfi Haziri, Imri Ahmeti dhe Brikenda Kryeziu do të jenë pjesë e Kryesisë së re. Edhe Muharrem Svarqës pritet të zëvendësohet me Dardan Dibrën”, i ka thënë ky burim i medias.

Kujtojmë, se zgjedhja e kryetarit të ri dhe të Kryesisë së re të LDK-së, vjen pas dorëheqjes së ish-kryetarit të kësaj partie, Isa Mustafa pas rënies drastike në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura më 14 shkurt.

Mbledhja e LDK-së pritet të mbahet sot më 20 mars në ora 14:00 në zyret qendrore të këtij subjekti politik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat