Vrasja e dy vëllezërve Maloku: Familja dyshon për manipulim provash, kërkon drejtësi dhe rigjykim

Aktuale

Vrasja e dy vëllezërve Maloku: Familja dyshon për manipulim provash, kërkon drejtësi dhe rigjykim

Më: 23 mars 2021 Në ora: 17:05
Shani e Bahri Maloku

Më 9 mars të 2018-tës në fshatin Plloqicë të Malishevës, ishin qëlluar për vdekje me armë zjarri vëllezërit Shani e Bahri Maloku. Barra e kryerjes së veprës penale nga Prokuroria i ishte vënë Besim Malokut, teksa për armëmbajtje pa leje ishte akuzuar Blerim Maloku.

Tri vite pas ngjarjes tragjike ku mbetën të vrarë në shtëpinë e tyre Shani e Bahri Maloku, familja e viktimave është ende në kërkim të drejtësisë. Më 14 nëntor të vitit 2019, Gjykata Themelore në Gjakovë  e kishte shpallur të pafajshëm të akuzuarin për vrasje, Besim Malokun. Atë e kishte dënuar me 20 muaj burgim për armëmbajtje pa leje.

Për të njëjtën vepër penale, Gjykata në Gjakovë kishte dënuar me 9 muaj burgim kushëririn tjetër të viktimave të përfshirë në këtë rast, Blerim Malokun, teksa i njëjti nuk ishte ngarkuar me veprën penale të vrasjes së rëndë. Të njëjtin dënim e vërtetoi edhe Gjykata e Apelit, e cila konfirmoi verdiktin e shkallës së parë në Gjakovë. Rasti në fjalë ka përfunduar në Supreme, vendimin e së cilës po e pret familja.

Familja Maloku, me një letër të adresuar për lajmi, ka shprehur mllefin dhe zhgënjimin e saj me institucionet e drejtësisë që nuk arritën ta zgjidhin përfundimisht rastin.

Familja dyshon se në rastin e vrasjes së dy vëllezërve pati manipulime dhe keqinterpretime me prova.

“Ne si palë e dëmtuar shprehim shqetësimin e thellë ne lidhje me rastin e vrasjes së Agonis Tetajt, dhe të gjithë atyre që patën fatin e njejtë me ne, ku institucionet e drejtësisë nuk funksionuan. Në rastin Tetaj shihet qartë rrjedha e tragjedisë permes videoincizimit dhe institucionet e drejtësisë manipulojnë me interpretime të ndryshme duke mbrojtur kriminelët. Po në rastet e vrasjeve ku nuk ka pas videoinqizime mundesitë e manipulimeve me provat e tjera dhe keqinterpretimin e tyre janë akoma më të mëdha, si në rastin e vrasjes së vëllezërve Maloku”, thuhet në letrën e familjes.

Ata hedhin pretendime tjera në lidhje me formën e ngritjes së aktakuzës, nga e cila lihet jashtë Blerim Maloku, i cili është dënuar vetëm për armëmbajtje pa leje.

Në këtë kontekst, ata hedhin akuza ndaj ish-prokurorit të rasti, Agron Matjani, tanimë i ndjerë, se me qëllim kryejti veprime të cilat çuan në pafajësinë e të akuzuarve.

“Tre vite pas vrasjes se vëllezërve Maloku ne si familjarë te tyre mbetëmi të zhgënjyer nga institucionet e drejtësisë të cilët dështuan në venjën e drejtësisë. Si familjarë i bëjmë thirrje prokurorisë të nivelit më të lartë, qe të marrë masa duke e kthyer në rigjykim rastin. Ju kujtojmë që rasti është nisur me një aktakuzë të ngritur keq qëllimisht duke e lënë jashtë aktakuzës të dyshuarin kryesor për vrasje Blerim Malokun, nga prokurori tashmë i ndjerë Agron Matjani i cili pasi kishte ngritur aktakuzën ishte pezulluar nga puna sepse në atë kohë akuzohej pikërisht për ngritje te aktakuzave në atë menyrë që t’i zbus denimet për të akuzuarit. Çuditërisht pas vendimit te Gjykatës se Shkallës së Parë ai bënë vetëvrasje. Vetëvrasja e tij sigurisht ka ardhë si rezultat i ketyre keqperdorimëve dhe presioneve që ka pasë nga bashkëpunëtorët”, thuhet tutje në letër.

Ata thonë se edhe gjatë gjykimit, kanë kërkuar që në seancë të vije ish-prokurori Matjani dhe të jep shpjegimet e tij për heqjen nga aktakuza të Blerim Malokut, i cili sipas pretendimeve të familjarëve, ishte pikasur se ka qenë në vendngjarje në momentin kritik.

Madje ata thonë se gjykatësi nuk e pranoi këtë kërkesë të familjes ngase ishte i kërcënuar.

“Heshtja e vdekjes së tij është shumë e dyshimtë për ne. Përmes avokatit kemi kërkuar që të ftohet në seancë Matjani dhe te jep spjegime për heqjen nga aktakuza të dyshuarit kryesorë për vrasje Blerim Malokut, për të cilin dëshmitarët deshmuan që e kanë parë në vendin e ngjarjes por kjo nuk u pranua nga gjykatesi i cili kercenohej me burg disa herë nga avokati i të akuzuarve gjatë seancave. Të gjitha ankesat tona drejtuar organeve kompetente për shkelje gjatë zhvillimt të proceseve gjyqësore nuk u morën parasysh nga personat përgjegjës. Ne shprehem paknaqësi për monitorimin e seancave, ku seancat u mbajten pa incizim më arsyetimin e mungeses se paisjes, mos-shënimi i saktë i të gjitha atyre që u thanë nga deshmitarët, ekspertët, avokatët, ne procesverbale nga ana e gjygjëtarit”, thonë tutje nga familje.

Familja Maloku hedh tutje edhe pretendime tjera se dëshmitarët mund të kenë qenë të manipuluar, pasi që të njëjtit ndërruan deklaratat.

Ata ankesa kanë edhe për vendimin e Apelit që e  vërtetoi atë të shkallës së parë.

“Gjykatësi fare nuk mori masa ndaj deshmitarëve që ndryshuan deklaratat, nuk kërkoi përgjegjësi për të gjithë ata që dhanë deklarata të rrejshme në lidhje më ngjarjen, alibi të rrejshme nga ana e të akuzuarëve dhe familjarëve të tyre përkunder faktit që të gjitha vërtetohen nga raportet policore dhe procesverbale, fakte të pavërtetuara (Identifikimi i vrasësit, gëzhoja, qështja e fshehjes se armëve, prova të dëmtuara). Të gjitha këto ndikuan në vendimin e Gjykatës se Shkallës se Parë. Zhgënjim edhe më i madh erdhi me vendimin e Gjykates se Apelit e cila nuk e shqyrtoi fare ankesën që ju drejtua thjesht e interpretoi vendimin e njejtë. Ne si famlije e demtuar që ju vranë dy antarë të pafajshëm në pragun e shtepisë nuk do heqim dorë në kerkimin e drejtesisë dhe denimin e merituar të fajtorëve”,  thuhet në fund të letrës.

Sipas aktakuzës së ngritur me 30 nëntor 2018, i akuzuari Besim Maloku, akuzohet se më 9 mars 2018, rreth orës 01:00 në fshatin Plloqicë të Malishevës me dashje ka privuar nga jeta vëllezërit Shani dhe Bahri Maloku.

Ai akuzohet se gjithashtu ka rrezikuar jetën e Uliks, Hysni, Gjemajl dhe Afrim Maloku, në atë mënyrë që i akuzuari Besim Maloku së bashku me vëllain e tij, Blerim Maloku, kanë hyrë në shtëpinë e viktimave për të vjedhur, ku Besim Maloku ka pasur me vete pushkë automatike “AK-47”, të kalibrit 7.62 x 39mm.

Sipas aktakuzës, tani të ndjerët Shani dhe Bahri Maloku, kanë qenë duke luajtur me letra së bashku edhe me Hysni, Afrim dhe Uliks Maloku.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Alban Maloku është nisur në shtëpinë e viktimave dhe kur ka hyrë në oborr të shtëpisë ka vërejtur të akuzuarit dhe i njëjti ka bërtitur dhe në atë moment kanë dal të gjithë personat që ishin duke luajtur me letra dhe kanë vrapuar për të zënë të akuzuarit dhe në rrugën e lagjes, duke ikur i akuzuari Besim Maloku ka shtënë me pushkë automatike në drejtim të vëllezërve Shani dhe Bahri Maloku dhe të njëjtit i ka privuar nga jeta dhe pastaj së bashku me të akuzuarin Blerim Maloku, kanë ikur nga vendi ngjarjes.

Me këtë veprim, i akuzuari Besim Maloku, akuzohej se ka kryer veprat penale të “vrasjes së rëndë”, nga neni 179, paragrafi 1, nënparagrafi 1.5, 1.6 dhe 1.11 të KPRK-së dhe “mbajtje në posedim të paautorizuar të armës”, nga neni 374, paragrafi 1 i KPRK-së.

Ndërsa, Blerim Maloku, akuzohej për veprën penale të mbajtjes në posedim të paautorizuar të armës, nga neni 374, paragrafi 1 i KPRK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat