Mbrojta e ish-krerëve të UÇK-së ankohet për nxjerrjen e materialeve: Është i copëzuar dhe jo i dobishëm

Aktuale

Mbrojta e ish-krerëve të UÇK-së ankohet për nxjerrjen e materialeve: Është i copëzuar dhe jo i dobishëm

Më: 24 mars 2021 Në ora: 14:36
David Hooper

Në konferencën e sotme mbi ecurinë e çështjes ndaj krerëve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara, mbrojtja e të akuzuarve ka pasur ankesa sa i përket nxjerrjes së materialeve.

Mbrojtja ka deklaruar se janë duke punuar me një sistem të nxjerrjes së materialeve që është i copëzuar dhe jo i dobishëm.

Prokurorja Claire Lawson, bëri të ditur se nga konferenca e fundit kanë nxjerr edhe dy paketa me materiale, derisa tha se po vijojnë të shikojnë me imtësi materialet tjera në mënyrë sistematike.

Lawson: Pas konferencës së fundit prokuroria ka nxjerrë edhe dy paketa me materiale

“Sa i takon përditësimit të nxjerrjes së materialeve në përgjithësi, pas konferencës së fundit prokuroria ka nxjerrë edhe dy paketa me materiale sipas rregullës 102 (1) (b) janë paketa 23 dhe 24, po vijojmë të shikojmë me imtësi materialet tjera në mënyrë sistematike. Kemi depozituar një kërkesë të katërt për masa mbrojtëse lidhur me materiale të tjera dhe parashikojmë të parashtrojmë edhe kërkesa të tjera në përputhje me grafikun kohor të caktuar nga gjykatësi me 6 prill ose para 6 prill.... Sa i takon vëllimit, deklaratat e mëparshme të ½ së dëshmitarëve në mbështetje të aktakuzës janë përpunuar tashmë dhe janë vënë në dispozicion dhe është bërë kërkesë për masa mbrojtëse për të cilat ende nuk është marrë vendim. Sa i takon materialit shfajësues nuk ka përfunduar shqyrtimi dhe nuk parashikohet të bëhet kërkesë për masa mbrojtëse në kohë të afërt për material të tillë. Sa i takon materialit të rregullës 107, situata mbetet e njëjtë siç kemi thënë më përpara lidhur me një organizatë me të përfunduar diskutimet për masat kundër balancuese të mundshme ne parashikojmë që do të ketë kërkesa të tilla në lidhje me organizatat tjera”, tha ajo.

Ajo tha se të gjitha provat materiale që lidhen me Thaçin janë nxjerrë, ku tha se nga 54 vetëm 6 kishin mbetur pa u nxjerr para se mbrojtja të parashtronte kërkesën.

Avokati i ish-presidentit Hashim Thaçi, David Hooper, tha se janë duke punuar me një sistem të nxjerrjes së materialeve që është i copëzuar dhe jo i dobishëm.

Hooper: po punojmë me një sistem të nxjerrjes së materialeve që është i copëzuar dhe jo i dobishëm

“Ne kërkojmë një sistem të nxjerrjes së materialeve përmes të cilit prokuroria t’i japi mbrojtjes materialet të cilat ata mund t’i vlerësojnë dhe unë mendoj që në thelb të kësaj është ajo që ne tani po punojmë me një sistem të nxjerrjes së materialeve që është i copëzuar dhe jo i dobishëm. Unë mendoj që mbrojtja e ka ngritur vazhdimisht këtë shqetësim. Në qoftë se kemi një sistem të nxjerrjes së provave që është sistem për nxjerrjen e materialeve në vijimësi brenda parametrave kohore që tani shtrihen jo thjeshtë deri në maj po edhe deri në korrik dhe mbas kësaj ekziston urgjenca që po dikton prokuroria për të filluar gjykimi sa më shpejt, të cilin ne e kundërshtojmë për të gjitha arsyet e mira dhe praktike që i kemi paraqitur më parë. Por, në qoftë se do të bëhet nxjerrja e materialeve në vijimësi dhe e quaj fazat a, b, c, d, e për dëshmitarët a, b, c, d dhe e, ne tani marrim vetëm pjesë të dëshmive të tyre ose të provave që lidhen me ta dhe çfarë vlere ka kjo për mbrojtjen. Në përgjigje të parashtrimit që bëjnë me, Prokuroria tha që ne mbrojtja po e ekzagjerojmë, por realiteti është që të gjitha këto aspekte janë të lidhura me njëra tjetrën”, tha ai.

Hooper tha se nxjerrja e materialeve duhet të bëhet në mënyrë më praktike, në mënyrë që si mbrojtje të kenë mundësi të shqyrtojnë dëshmitarët dhe të mos i kthehen të njëjtit edhe një herë.

Ai ka kërkuar që të bëhet edhe lidhja e intervistave të dëshmitarëve me dokumentet e dhëna, pasi sipas tij, prokuroria në fazat e mëparshme nuk i ka lidhur intervistat e dëshmitarët me dokumente.

Hooper deklaroi se prokurori Jack Smith ka akuzuar mbrojtjen e Thaçit se po bëjnë sjellje teatrale, për çka tha se ai nuk është ai lloj avokati që bënë sjellje teatrale.

Hooper: Ai na akuzon ne mbrojtjen e Thaçit për teatralitet

“Ai na akuzon ne mbrojtjen e Thaçit për teatralitet dhe që ne këtu duam të ngremë probleme në lidhje me nxjerrjen. Unë nuk jam person që bëjë sjellje teatrale, unë nuk jam ai lloj avokati. Mocioni ynë ka dalë nga fakti që ne nuk jemi të kënaqur me mënyrën se si po bëhet me nxjerrjen e materialeve që është bërë në mënyrë rastësore, e copëzuar dhe diktohet vetëm nga ajo që do të bëjë Prokuroria dhe jo nga ajo që është e pranueshme dhe e përpunueshme nga mbrojta dhe ata mbrohen nga vendimi juaj i nderuar z. Gjykatës duke thënë se ju kërkoni ne ju japim. Në fund ju do t’i keni të gjitha në rendin e duhur në fund të majit apo në fund të korrikut kur është afati dhe ne themi që nuk është mënyra e duhur e nxjerrjes së materialeve siç edhe thash edhe më parë që në fillim”, tha ai.

Ai tha se klienti i tij, Thaçi, ka bërë një intervistë dhe është marrë në pyetje ku i janë treguar prova të ndryshme materiale, e të njëjtat tha se nuk i kanë marrë ende.

Edhe avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, foli për pretendimet e prokurorit Smith rreth mbrojtjes së Thaçit, për çka tha se nuk është hera që Prokuroria komenton punën e mbrojtjes.

Emmerson: Pretendimet e Smith është një pretendim në keqbesim

“Në këtë fazë më lejoni të them që pretendimi i zotit Smith që mbrojtja e z. Thaçi po kërkon që të krijojë një themel provash ose me fjalë të tjera të krijojë një lloj historiku të vështirësive që kanë të bëjnë me nxjerrjen e informacionit është një pretendim në keqbesim. Në fakt nuk është hera e parë që Prokuroria ka shkuar në një pozicion që kanë të bëjnë me komentimin e punës së mbrojtjes dhe në fakt mbrojtja nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka reaguar në përputhje me ligjin. Kjo është theksuar edhe herë të tjera dhe në kërkesa të tjera ndreqëse ku thuhet që mbrojtja e ka kohen e nevojshme për t’u përgatitur për çështjet, ndërkohë që koha po përdoret si arsye nga mbrojtja dhe që nuk është proporcionale si kërkesë”, tha ai.

Rreth çështjes së nxjerrjes së materialeve, edhe mbrojtja e Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit janë pajtuar me parashtrimet e mbrojtjes së Thaçit dhe Veselit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat