Ministrja Gërvalla priti në takim ambasadorin gjerman, biseduar edhe për dialogun Kosovë-Serbi

Aktuale

Ministrja Gërvalla priti në takim ambasadorin gjerman, biseduar edhe për dialogun Kosovë-Serbi

Më: 25 mars 2021 Në ora: 20:24
Pamje nga takimi

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla, të enjten zhvilloi një takim me Ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë, Jorn Rohde.

Në këtë takim, Ministrja Gërvalla falënderoi ambasadorin Rohde për mbështetjen e vazhdueshme dhe shumë të çmuar të shtetit gjerman për Republikën e Kosovës, në veçanti për përkrahjen e jashtëzakonshme dhënë, me dekada, mërgatës sonë në Gjermani.

“Qeveria e re e Republikës së Kosovës zotohet të punojë në thellimin e bashkëpunimit bilateral me Republikën Federale të Gjermanisë, në të gjitha fushat e interesit të përbashkët midis dy vendeve tona”, tha drejtuesja e diplomacisë kosovare, duke nënvizuar se bashkëpunimi jo vetëm ekonomik dhe nxitja e investimeve gjermane në Kosovë, do të jenë ndër prioritetet kryesore të saj si ministre e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Ministrja Gërvalla dhe ambasadori Rohde kanë biseduar edhe për dialogun Kosovë-Serbi, sfidat e pandemisë, zhvillimet e tjera politike në vend dhe rajon, dhe të dyja palët kanë shprehur besim e tyre në forcimin e miqësisë së ngushtë midis Republikës së Kosovës dhe Republikës Federale të Gjermanisë. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat