Spahiu: Ja pse Asociacioni i komunave serbe është i papranueshëm

Aktuale

Spahiu: Ja pse Asociacioni i komunave serbe është i papranueshëm

Më: 27 mars 2021 Në ora: 17:16
Nexhmedin Spahiu

Analisti Nexhmedin Spahiu e konsideroi të papranueshëm për Kosovën krijimin e një asociacioni komunash serbe me kompetenca ekzekutive, të cilat në parim themelor të shtetit i ka qeveria qendrore.

Duke komentuar për Euronews Albania deklaratën e Albin Kurtit se “kjo kërkesë bie ndesh edhe me Kushtetutën e Kosovës që ndalon krijimin e bashkësive një-etnike”, Spahiu tha se dhënia e kompetencave të qeverisë qendrore komunave do të ishte “zhbërje e shtetit”. Thënë këtë ai mori si shembull një paralelizim me Shqipërinë.

Spahiu tha se nëse do t’i jepen kompetencat ekzekutive një komune, asaj mund t’i jepet mundësia që, për shembull, të bllokojë, apo tjetërsojë edhe një investim madhor si rrugët kombëtare.

“Është njësoj sikur për shembull autostradën Tiranë-Durrës të mund ta bllkojë më pas bashkia Vorë,” – tha Spahiu, i cili këmbënguli se për investime të tilla është e qartë se kompetenca i mbetet qeverisë qëndrore.

Në tërësi Spahiu e konsideroi deklaratën e Kurtit kundër propozimit për asociacion komunash serbe si përpjekje “për të ulur pazarin e bisedimeve me Serbinë”. Me të njëjtin cilësim ai e komentoi edhe deklaratën e mëhershme të Kurtit se për qeverinë e tij bisedimet me Beogradin nuk do të jenë prioritet kryesor.

Sipas Spahiut, “pazari” i nënkuptuar nga Serbia është që “njohja të vijë duke marrë diçka nga Kosova”. Në lidhje me presionet nga ndërkombëtarët, sipas analistit nga Kosova, ato bien më shumë te Serbia, e cila “është e prirur t’i qëndrojë larg tryezës së bisedimeve”.

Në analizën e tij Spahiu tha se “deri më tani Kurtit i ka ecur mirë qasja e tij pa kompromise në politikën e brendshme”, mirëpo “tani duhet parë se sa do t’i eci edhe në politikën e jashtme”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat