Gjykatësi u jep ‘ultimatum’ avokatëve të Nasim Haradinajt

Aktuale

Gjykatësi u jep ‘ultimatum’ avokatëve të Nasim Haradinajt

Më: 30 mars 2021 Në ora: 16:32
Seanca e Gjykatës Speciale

(E plotësuar 18:14) - Konferenca për rastin e Gucatit dhe Haradinajt në Hagë, mbrojtja dhe prokuroria diskutojnë për nxjerrjen e materialeve

Në konferencën e mbajtur sot në Dhomat e Specializuara në Hagë, mbi ecurinë e çështjes së ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, prokuroria dhe mbrojtja kanë diskutuar rreth nxjerrjes së materialeve që kanë të bëjnë me këtë rast. Në këtë konferencë prokuroria ka bërë të ditur se do të dorëzojë dosjen paraprake deri më 9 prill ndërsa konferenca e radhës mbi ecurinë e çështjes u tha se do të mbahet në fund të muajit prill.

Avokati i Hysni Gucatit, Jonathan Elystan Rees duke theksuar se vendimi kornizë i Gjykatës ka kërkuar nga prokuroria që të bëjë nxjerrjen e plotë, dhe njoftim të hollësishëm, në bazë të rregullës 102(3) pa vonesë, ka shtuar se rregulla thotë se në njoftim duhet të përfshihet çdo informacion i mbetur që është me rëndësi potenciale.

Reese: Kërkojmë një listë me njoftim të hollësishëm që përmban të gjitha materialet që i duhen mbrojtjes

“Ju keni thënë i nderuar gjykatës që prokuroria i ka dhënë mbrojtjes materiale që nuk ishin përfshirë në njoftimin sipas rregullës 102/3, ne kërkojmë një listë me një njoftim të hollësishëm që përmban të gjitha materialet që i duhen mbrojtjes pa vonesë. Prokuroria me sa shoh unë nuk e kupton ose nuk e pranon, nuk mund ta pranojë se ju keni dhënë një vendim të qartë me një fushëveprim shumë të gjerë, si për njoftimin e hollësishëm ashtu për listën që kërkohet në bazë në rregullës 102 pika 3”, tha ai.

Këto deklarata i mbështeti edhe mbrojtësi i Nasim Haradinajt, avokati Toby Cadman i cili shtoi se shprehin shqetësimet e tyre lidhur me mënyrën e sjelljes së zyrës së prokurorit të specializuar që sipas tij nuk po i respekton detyrimet e marra nga gjykatësi i procedurës paraprake.

Cadman: Është bërë pak sa i përket hetimeve dhe kjo do të përbëjë vështirësi

“Pjesa e përgjigjeve së ZPS-së lidhen me kërkesën për të dhëna që ja kemi parashtruar prokurorisë mbi bazën e hetimeve tona, të mbrojtjes që na tregon se është bërë shumë pak sa i përket hetimeve dhe kjo në vetvete do të përbëjë vështirësi. Do të donim që prokuroria t’i përgjigjet këtyre çështjeve, por do të donim të shikonim gjithashtu edhe nxjerrjet që janë realizuar ditëve të fundit. Ka shqetësime që i takojnë ZPS-së sa i takon interpretimit që i bën rregullës 102 (3)... Ne duhet të vazhdojmë të shprehim shqetësimet tona në të ardhmen lidhur me mënyrën se si ZPS po sillet lidhur me atë që ZPS mendon se janë detyrimet e veta dhe nuk janë në përputhje me atë që thoni ju zoti gjykatës”, ka thënë ai.

E prokurori James Spache tha se ZPS ka përmbushur kërkesat dhe detyrimet e tyre sipas ligjit.

Spache: ZPS nuk ka detyrim të jap njoftim të hollësishëm për materiale që nuk janë relevante

“Këto materiale janë voluminoze dhe materialet që nuk i kemi dorëzuar kanë mbetur të kufizuara. ZPS nuk ka detyrimin të jap njoftim të hollësishëm për materiale që nuk janë relevante për mbrojtjen, prandaj mendoj që kjo është një çështje për të cilën ne si prokurori dhe mbrojtja kemi pikëpamje të ndryshme. Mendojmë se e kemi bazuar parashtrimin në bazën e rregullave, ligjit dhe vendimit kornizë”, tha ai.

Tutje ai tha se kanë marrë 39 kërkesa që kanë të bëjnë me identifikimin e personit që muaj më parë, në mënyrë anonime, ka lënë dokumente pranë zyrës së OVL-UÇK.

Spache: Kemi marrë 39 kërkesa që kanë të bëjnë me identifikimin e personit që i ka lënë dokumentet në shoqatën e veteranëve

“Ne kemi marrë 39 kërkesa që kanë të bëjnë me identifikimin e personit që i ka lënë dokumentet në shoqatën e veteranëve të UCK-së. Siç kemi thënë më parë, kemi nxjerrë informacion lidhur me hapat e ndërmarrë sa i takon zbulimit të identitetit të personit, në veçanti bëhet fjalë për një intervistë të cilën ne ja kemi bërë të ditur mbrojtjes. Nuk e di se çfarë duan të nxjerrin mbrojtja nëse do të marrë orë të tëra regjistrimesh nga kamerat e rrugëve dhe nëse do t’i mbikëqyrin dhe do i shohin edhe njëherë këto regjistrime. Por akuzat specifike në fakt kanë të bëjnë me atë se çfarë ka ndodhur pas marrjes së informacionit dhe shpërndarjes së informacionit”, tha ai.

Ndërsa gjykatësi i procedurës paraprake Nicolas Guillou ka pyetur palët rreth ecurisë së hetimeve dhe dorëzimit të dosjes paraprake, për çka ata janë deklaruar do të t’u përmbahen afateve të përcaktuara.

Resse: Besojmë jemi të gatshëm për gjykim në muajin gusht

“Besojmë që do të jemi të gatshëm për gjykim në javën që fillon më 13 gusht e më tutje, besoj që jemi në gjendje t’i përmbahemi atij afati”, ka thënë avokati i Gucatit.

Ndërsa nga prokuroria deklaruan se dosjen paraprake do ta dorëzojnë më 9 prill.

Spache: Dosjen paraprake dhe materialet e tjera ZPS i dorëzon më 9 prill

“Duke ditur afatet e përcaktuara në kalendar që ju keni përcaktuar që të dorëzohet dosja trupit gjykues me 30 qershor ne nuk kemi për të shtuar lidhur me këtë, lidhur me dosjen paraprake ne do ta dorëzojmë atë në afat pra 9 prill së bashku me materialet e tjera që keni urdhëruar ju për të dorëzuar”, tha ai.

Në këtë konferencë, avokati i Nasim Haradinajt, Toby Cadman ka kërkuar nga gjykatësi që të ndërhyjë lidhur me qasjen ndaj klientëve, duke theksuar se kanë vështirësi në komunikim me klientët meqë bisedat duhet të bëhen përmes një xhami ndarës.

Ai ka thënë se nuk po arrin të zhvillojnë diskutime dhe t’u jap dokumente klientit, për çka gjykatësi ka kërkuar që administratorja të njoftohet lidhur me kërkesën e mbrojtjes dhe të diskutohet për gjetjen e zgjidhjes për këtë problem.

Gjykatësi i procedurës paraprake tha se konferenca e radhës pritet të caktohet në fund të muajit prill.

***

Gjykatësi i Speciales, Nicolas Guillou në fund të seancës së sotme paragjyqësore e ka urdhëruar mbrojtjen e nënkryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj që ta dorëzojë një dokument deri pasnesër, më 1 prill.

Gjykatësi Guillou ka thënë se mbrojtja e Haradinajt nuk e ka respektuar një urdhër paraprak të tij.

“Urdhëroj mbrojtjen e Z. Haradinaj që ta dorëzojë versionin e redaktuar pubik të dokumentit me kodin F 116 deri më datë 15 mars 2021. Mbrojtja e Z. Haradinaj deri tani nuk e ka respektuar këtë urdhër”, ka thënë Guillou.

Ai e ka urdhëruar mborjtjen e Haradinajt që këtë dokument ta dorëzojë këtë të enjte.

“Në këtë kuadër, do të doja t’i kërkoja mbrojtjes së Z. Haradinaj që deri më datë 1 prill 2021 ta dorëzojë një version të redaktuar publik të dokumentit me kodin F 116”, ka thënë gjykatësi.

Ai i ka dhënë edhe disa urdhra tjerë për mbrojejtet e Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt.

Guillou ka thënë paraprakisht se seanca e radhës ndaj Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt do të caktohet në fund të prillit.

“Besoj se do ta planifikojë e do ta ftojë konferencën e radhës për ecurinë e çështjes në fund të prillit”, tha Guillou.

***

ZPS flet rreth hetimeve për zbulimin e identitetit të “Rrufesë” që i çonte dokumentet e tyre në zyrat e OVL-së

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka thënë se kanë marrë disa kërkesa lidhur me identifikimin e personit që dokumentet e tyre hetimore i çonte në zyrat e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së.

Një prokuror i Speciales, në seancën e radhës paragjyqësore ndaj Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt ka thënë se kanë nxjerrë informacion lidhur me hapat e ndërmarrë lidhur me këtë çështje.

“Kemi marrë 39 kërkesa që kanë të bëjnë me identifikimin e personit që i ka lënë dokumentet në Shoqatën e Veteranëve të UÇK-së. Kemi nxjerrë informacion lidhur me hapat e ndërmarra sa i takon zbulimit të identitetit të personit. Bëhet fjalë për intervistë që ia kemi bërë të ditur edhe mbrojtjes. Nuk e dimë se çfarë duan të nxjerrin mbrojtja nëse kanë marrë orë të tëra regjistrime nga kamerat e rrugëve e do t’i shohin të gjitha ato. Akuzat specifike kanë të bëjnë me ato që kanë bërë pas marrjes së informacionit dhe shpërndarjes”, ka thënë prokurori.

Vitin e kaluar, dy udhëheqësit e OVL-së së UÇK-së, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj, kishin vendosur ta quanin “Rrufeja” një person anonim që dërgonte në zyrat e tyre dokumente konfidenciale të Prokurorisë së Specializuar. Këto dokumente, Gucati e Haradinaj i publikonin në konferenca për media.

Më 26 shtator të vitit të kaluar, dy ish-krerët e OVL-së së UÇK-së, kryetari Hysni Gucati dhe nënkryetari i kësaj organizate, Nasim Haradinaj u arrestuan me urdhër të Gjykatës Speciale. Ata akuzohen për pengim në administrimin e drejtësisë, frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Nis konferenca e Speciales ndaj Gucatit dhe Haradinajt

Ka nisur konferenca e tretë për ecurinë e çështjes ndaj kryetarit të OVL-UÇK-së, Hysni Gucatit dhe nënkryetarit Nasim Haradinajt.

Akuza ndaj tyre ishte konfirmuar më 14 dhjetor 2020.Ajo mbështetej në dyshimin e bazuar se mes 7 dhe 25 shtatorit 2020, Gucati dhe Haradinaj zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur nga Ligji i Dhomave të Specializuara.

Gucati dhe Haradinaj janë deklaruar të pafajshëm për akuzat. 

Vijon...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat