Dramë në Kuvend, zgjidhet Vjosa Osmani apo shkojmë në zgjedhje të reja?

Aktuale

Dramë në Kuvend, zgjidhet Vjosa Osmani apo shkojmë në zgjedhje të reja?

Më: 2 prill 2021 Në ora: 21:28
Kuvendi i Kosovës

Lëvizja Vetëvendosje ka thirrur seancë të jashtëzakonshme për ndryshimin e amandamentimit të Ligjit për Zgjedhje përmes së cilit mërgatës do të ju mundësohet votimi për zgjedhje nëpër ambasadat e Kosovës në vendet ku ata jetojnë.

Lidhur me këto zhvillime të ashpra kanë qenë reagimet e opozitës dhe shoqërisë civile në vend të cilët kanë kërkuar që kryeministri Albin Kurti të tërhiqet nga kjo iniciativë të cilën e kanë quajtur edhe të rrezikshme për vendin.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka paralajmëruar se partia e tij nuk do ta votojë Vjosa Osmanin për presidente në rast se kryeministri Albin Kurti nuk do ta tërheqë reformën në Ligjin për Zgjedhje.

“LDK gjithmonë ka mbështetur reformat zgjedhore, nuk kemi ndonjë kundërshtim, por reforma duhet të jetë më e thellë sesa kaq. Nëse ky ndryshim nuk tërhiqet, kryeministri Kurti na dërgon në zgjedhje dhe të krijojë vakuum institucional”, u shpreh Abdixhiku.

Ndërsa ushtruesi i detyrës së presidentit dhe kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se fajin nëse vendi shkon në zgjedhje të reja do ta kenë vetëm deputetët që s’kanë marrë pjesë në votimin për zgjedhjen e presidentit.

“Gjithçka është e qartë: Kosova shkon në zgjedhje vetëm dhe VETËM nëse ata të cilët mungojnë në seancën e zgjedhjes së Presidentes janë më shumë se 40. Vetëm ATA e marrin përgjegjësinë e zgjedhjeve të reja dhe askush tjetër. Ata të cilët e duan shtetin dhe republikën më shumë se veten, i kanë 3 opcione: a) e votojnë Vjosën; b) e qesin kundërkandidatin e tyre dhe e votojnë atë; c) votojnë kundër Vjosës. Kurse ata që duan bojkot e obstruksion - vetëm ata duan zgjedhje në Kosovë. E qartë si drita e diellit”, ka thënë Konjufca në postimin e tij në Facebook.

Enver Hoxhaj, ushtrues detyre i kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, e ka quajtur fund të demokracisë tentimin e Lëvizjes Vetëvendosjes për të ndryshuar Ligjin për Zgjedhjet duke shtuar se kryeministri Albin Kurti po i dëshiron zgjedhjet e reja sepse “ka frikë nga pushteti”.

“Kjo se çfarë po ndodh sonte në Kuvend dhe Qeveri, ku është e gjithë vëmendja qytetarëve, që po përballen me pandeminë, me vafërinë, e ka vetëm një emër që është iniciuar nga qeveria e turpit. Në vend se të mblidheshim dhe të diskutonim sesi ta kemi një plan për ta vaksinuar popullatën, ne merremi me një krizë të re që e ka burimin te kryeministri Kurti dhe te Lëvizja Vetëvendosje, që shpërfaqet për ndryshimin e Ligjit për Zgjedhje. Sa është prioritet për qytetarët ky ligj në kohë pandemie. Në vend se të kemi një program, në vend se të kemi plan se si të merremi me pandeminë, është prodhuar një krizë e re”, tha Hoxhaj në një konferencë për media.

E, Skender Hyseni ka kritikuar Kryesinë e LDK-së dhe kryetarin Lumir Abdixhiku pas vendimit të tyre për të qëndruar në sallë në kohën e zgjedhjes presidente të Vjosa Osmanit.

“Shantazhi i VV-së dhe këndellja e vonuar e LDK-së, pas poshtërimit  dhe mashtrimit që kryesia  e saj i bëri këtij subjekti. Kryesia e LDK-së me një lehtësi të padurueshme vullnetaroi dhe ia shpalli vazalitetin VV-së së Albinit dhe Vjosës bllanko, në emër të gjoja një “konstruktiviteti” ndaj një subjekti politik, i cili gjatë gjithe jetës së vet politike  destrukcionin dhe obstrukcionin i ka pasë parashenja të vetme. Për më tepër, vendimi i pamenduar i  kryesisë së LDK-së, pos mospërfillje e votuesëve të saj ishte  edhe kapitulim. Këtë lloj poshtërimi LDK-së nuk kanë mundur t’ia bëjnë as kundershtarët më të egër politik të saj. Këtë ‘zemërgjërsi” nuk do ta ketë pritur mbase as Albin Kurti”, tha Hyseni.

I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i shtatë organizatave joqeveritare të cilat i kanë kërkuar kryeministrit Albin Kurti të tërhiqet nga kjo iniciativë. 

Në një komunikatë të përbashkët, Demokraci Plus (D+), Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), Demokraci për Zhvillim (D4D), Lëvizja FOL, Iniciativa për Progres (INPO), Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) dhe Organizata për Demokraci, Anti-Korrupsion dhe Dinjitet (Çohu) kanë thënë se nuk arsyetohet urgjenca me të cilën po tentohet ndryshimi i këtij ligji.

Në anën tjetër, pasi jemi mësuar që gjithmonë të kemi qëndrimeve të shteteve të QUINT-it, deri mq tani asnjë prej ambasadorëve ndërkombëtarë nuk ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit në vend.

Ndryshe akualisht Komisioni për Legjislacion i Kuvendit të Kosovës është duke proceduar për votim ndryshimin e amandamentimit të Ligjit për Zgjedhjet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat