Gërvalla kërkon ndihmë nga Kroacia për sigurimin e vaksinave antiCovid

Aktuale

Gërvalla kërkon ndihmë nga Kroacia për sigurimin e vaksinave antiCovid

Më: 14 prill 2021 Në ora: 15:53
Radman dhe Gërvalla

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla, ka zhvilluar një bisedë telefonike me ministrin e Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Kroacisë, Gordan Grlić Radman.

Ministri Grlić Radman ka përgëzuar ministren për marrjen e detyrës së re, si dhe për përmbylljen me sukses të procesit të formimit të institucioneve pas zgjedhjeve.

Me këtë rast, ministrja Gërvalla ka falënderuar homologun e saj kroat për bashkëpunimin bilateral, partneritetin dhe ndihmën e vazhdueshme që Kroacia i ka ofruar Kosovës, nëpër të gjitha fazat e shtetëndërtimit.

Gjatë kësaj bisede, ministrja Gërvalla mori rikonfirmimin e shtetit kroat për përkrahje në avancim të agjendës evropiane të Kosovës.

Palët diskutuan për bashkëpunimin bilateral, marrëveshjet aktuale mes të dy vendeve si dhe nevojën për shkëmbim të eksperiencave në fusha e sektorë të ndryshëm.

U bisedua edhe çështja e zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit si dhe e ardhmja e dialogut Kosovë-Serbi.

Temë diskutimi ishte edhe menaxhimi i situatës me pandeminë Covid-19. Ministrja Gërvalla e njoftoi ministrin kroat me angazhimin dhe punën e Qeverisë së Kosovës në drejtim të sigurimit të vaksinave për të gjithë qytetarët, si dhe theksoi nevojën për ndihmë në këtë pikë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat