Pagesat për mbrojtjen e të akuzuarve në Hagë/ Vjen reagimi i parë nga PDK, fton Prokurorinë e Shtetit që ta intervistojë zv.ministrin e Drejtësisë

Aktuale

Pagesat për mbrojtjen e të akuzuarve në Hagë/ Vjen reagimi i parë nga PDK, fton Prokurorinë e Shtetit që ta intervistojë zv.ministrin e Drejtësisë

Nga: A.Morina Më: 15 prill 2021 Në ora: 13:02
Foto ilustrim

Zëdhënsi i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Avni Bytyçi ka reaguar ndaj deklaratës së zëvendësministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu, në të cilën ka thënë se të akuzuarit nga Gjykata Speciale në Hagë kanë marrë më shumë para se që duhet për mbrojtjen e tyre.

Bytyçi i ka cilësuar këto deklarata si skandaloze, dashakeqe dhe keq-informuese.

“Prandaj me këtë rast, ftoj Prokurorinë e Shtetit që të intervistojë zv. Ministrin në lidhje me deklaratat e tij në të cilat pretendon se është abuzuar më këtë fond”, shkroi Bytyçi në Facebook, përcjell “Bota sot”

Postimi i plotë

Deklaratat e zv. Ministrit të Drejtësisë të Qeverisë Kurti janë skandaloze, dashakeqe dhe keq-informuese, të cilat vijnë si vazhdimësi e sulmeve të mirë organizuara ndaj themelueseve dhe eksponentëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët gjinden në Hagë.

Fondi është i rregulluar në atë formë, sa që askush nuk mund të marrë as edhe një cent pa e ndjekur një procedurë të caktuar. Legjislacioni që e rregullon këtë fushë ishte hartuar në koordinim të ngushtë me vendet e BE-së, si dhe vetë Dhomat e Specializuara. Standardi që është vendosur si praktikë është standard ndërkombëtar.

Për të ruajtur integritetin e mbrojtjes, këto shpenzime dhe qasja në këto dokumente janë kategorizuar si sekrete deri në përfundim të procesit gjyqësor, pas së cilit, publikimi i tyre dhe të gjitha shpenzimeve do të bëhet transparent, siç e përcakton dhe kërkon legjislacioni në fuqi.

Megjithatë, tentimi i Qeverisë Kurti për të minuar qasjen në këtë fond nga të akuzuarit, është tentim i hapur për të dëmtuar mbrojtjen e të akuzuarve nga Dhomat e Specializuara në emër të transparencës.

Kjo nxitje dashakeqe dhe e dëmshme për integritetin e mbrojtës, si dhe për interesin shtetëror të Republikës së Kosovës, duhet të ndalohet, qoftë edhe duke i trajtuar pretendimet e tyre të pabaza. Prandaj me këtë rast, ftoj Prokurorinë e Shtetit që të intervistojë zv. Ministrin në lidhje me deklaratat e tij në të cilat pretendon se është abuzuar më këtë fond.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat