Shtyhet për të martën seanca për pandeminë

Aktuale

Shtyhet për të martën seanca për pandeminë

Nga: Bota sot Më: 26 prill 2021 Në ora: 10:15

(E plotësuar 19:43) -​ Seanca parlamentare e cila është mbajtur sot lidhur me pandeminë është shtyrë për të martën në orën 15:00.

Kështu ka bërë të ditur nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci.

Ajo ka thënë se për fjalë janë të paraqitur edhe shumë deputetë dhe duke ditur se ka persona nga administrata dhe deputet që agjërojnë ka vendosur që ta shtyj këtë seancë.

***

Glauk Konjufca ia tërheq vërejtjen deputetit të PDK-së: Mund të ta ndërpres fjalën!

Kryeparlamentari Glauk Konjufca e ka paralajmëruar deputetin e PDK-së, Fadil Nura se mund t’ia ndërpres fjalën e tij në Kuvend, pasi ky i fundit bëri një krahasim të fushatës së LVV-së në Shqipëri me periudhën e pas luftës së dytë botërore atje.

Nura përmendi Dushan Mugoshën e Miladin Popoviqin, dy delegatët jugosllavë që ndihmonin në bashkimin e grupeve komuniste të kohës, duke e krahasuar me këtë rast pjesëmarrjen e zyrtarëve të LVV-së në fushatën për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare në Shqipëri, të cilat u mbajtën dje.

“Një ekspeditë e tillë ta kujton historinë analoge të Dushan Mugoshës e Milladin Popoviqit pas Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri. Veçse Kosova atëherë për dallim nga tash, ishte e mbyllur nën administrimin ushtarak jugosllav”, tha Nura.

Fjalën ia ndërpreu përkohësisht Konjufca, duke e paralajmëruar se ajo mund t’i ndërpritet krejtësisht nëse vazhdon të flasë me këtë fjalor.

“Z. deputet, një vërejtje për fjalorin. Nëse përdorni kësi krahasimi, mund t’ju ndërpritet fjala. Vetëm po ju jap vërejtje fillestare dhe po ju lajmëroj”, tha Konjufca.

***

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi i tha ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitisë se nuk po sqaron asgjë lidhur me situatën pandemike.

“Nuk du me ba politike për pandeminë, sa herë që dul ministri tha lejmoni të sqaroj e nuk sqaroj kurgja”.

Tutje Gashi kërkoi nga Vitia që të sqarojë punën me Insajderin lidhur me publikimet që nuk ka nënshkruar kontratë për blerjen e vaksinave.

“E kemi këtë ministër që mbajti konferencë në orët e vona të natës që një portal po shpif, dhe po ashtu thotë që po nxjerr dokumente konfidenciale. A ka qenë aj material i vërtetë apo jo.

Ju po thoni që ne po vazhdojmë bisedat ndërkohë që ajo po kuptohet, pritni me ardh pjesa tjetër e vaksinave covax falë, e po ashtu pfizer me ardh prej BE. A po pritni me nënshkru kontratë, a ka buxhet a ska, e jo fjalë tjera faleminderit çfaleminderit. Nëse emailat janë të rremë, duhet me paditë gazetën online për shpifje. A keni plan me nënshkru kontratën, a keni ndonjë plan, çdo ditë e humbur është një jetë e humbur. Pse nuk është nënshkru, a është çmimi i lartë a çka”.

Procesi i nënshkrimit të vaksinave/ Befason ministri Vitia, përmend dorëheqjen

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë në Kuvend para deputetëve se është i gatshëm të japë dorëheqje në rast se del ndonjë gjë që ai e ka dëmtuar procesin e ardhjes së vaksinave.

Ai tha se nuk ka refuzuar asnjë nënshkrim që do të dëmtonte procesin e vaksinave, teksa tha se ky është premtim publik që po e jep.

“S’kam refuzuar asnjë nënshkrim që do të dëmtonte procesin e vaksinave. Jam i gatshëm, që nese ka ndodh diçka e tillë që rrezikon një proces të tillë jap dorëheqje”, tha Vitia.

“Prap në aspektin e mosnënshkrimit, ju lutem edhe pak durim, nëse del dicka e tillë para jush e para qytetarëve po e jap një premtim të tillë që marrë përgjegjësi”, u shpreh ai.

Sa i përket ardhjes së vaksinave ai luti deputetët të kenë durim.

“Keni durim vetëm sa të mbarojnë disa procese”, shtoi ai.

***

Vitia i kundërpërgjigjet Zemajt: Çka iu desht një QMF në Strellc në vendlindjen tuaj, a ta ndërtoj edhe unë në Marec

Debat i ashpër po vazhdon të zhvillohet në Kuvendin e Kosovës mes ish-ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj dhe atij aktual Arben Vitia. Përderisa ky i fundit u kritikua nga Zemaj, Vitia mori fjalën dhe replikoi me të.

Vitia i tha Zemajt se ka qeverisuar 10 muaj, por dëmin që e ka shkaktuar është si për 10 vite.

“Është shqetësuese gjithë ato kundërthënie në fjalim që i patët z.Zemaj. Folët për specializime, gjëja me e lehtë është të nënshkruhen 1.400-2000 specializime.Në kohë pandemie të merren 1.400 punëtorë -ushtarë të kësaj pandemie nga vendet ku punojnë edhe merren direkt me pacientët në terren, ku nuk kanë çfarë të bëjnë se nuk kanë mentorë të mjaftueshëm e nuk e marrin as dijen e duhur -është një dëm që nuk mund të riparohet…Nuk po mundem me besu që dikush që ka qenë në MSH të vije në një konstatim të pabazuar.Ju kuptoj në petkun e opozitarit, çdo kritikë tuajen do ta marrë me seriozitet dhe çdo ofendim me shumë sporitivitet”, tha Vitia ndër të tjera në Kuvend.

Tutje ai e pyeti Zemajn se pse e ka nisur ndërtimin e një QMF-je në Strellc në vendlindjen e tij dhe pse e ka përmendur ndërtimin e Spitalit të Podujevës pa pasur buxhet.

“Po pse në kohë pandemie e keni përgjysmuar buxhetiun nëpër komuna…Pse keni thënë se do të ndërtoni spitalin e Podujevës pa pasur asnjë cent…Keni larguar komplet mjekët nga fronti dhe keni sjellë në koridore të QKUK-së, pa pasur askush t’i mësojë…Çka ju dasht një Qendër e Mjekësisë në Strellc në vendlindjen e juaj, a ta ndërtojë edhe unë në Marec dhe të shkojë në këtë logjikë”, tha ai ndër të tjera.

Replikat mes tyre nisën pasi ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka kritikuar ministrin aktual Arben Vitinë për menaxhimin e gjendjes me COVID-19.

Ai ka thënë se pasi i ka dorëzuar detyrën ministrit Vitia, është dëshpëruar me situatën e krijuar.

***

Zemaj kritikues ndaj Vitisë: Mos-nënshkrimi i kontratave për vaksina, solli mbi 21 mijë infektime

Ish-ministri i Shëndetësisë, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj ka deklaruar se Kosova ka staf të mrekullueshëm shëndetësore, por të njëjtit kanë nevojë për kushte e jo për lëmoshë të dorës ë dytë të shtetit tonë.

Ai tha se më 23 mars ka dorëzuar detyrën, por që ka vijuar punën e tij e ka pritur që do të vijohet edhe pas tij.

“Jam plotësisht i dëshpëruar me situatën e krijuar, jo që nuk e dija por duket se e degradoi thellësisht gjatë këtyre ditëve.Këtë nuk e meriton shëndetësia e as qytetarët tanë. Mos-nënshkrimi i kontratave menjëherë, është tejet dëshpërueses, askush nuk duhet të sulmohet për shkak të kërkesës për transparencë.Për këto 30 ditë janë 21 mijë e 39 persona të infektuar të ri, me 353 vdekje. Asnjë fjali për 30 ditë nga Qeveria, së paku një ngushëllim.Janë shpenzuar vaksinat deh salla ‘1Tetori’ është mbyllur, tash duhet pasur vëmendje ashtu siç e kishit në mendje 15 prillit por edhe 8 qershori është marrja e vaksinës shtesë nga AstraZeneca.Për këto 30 ditë angazhimi për vaksina është zero poashtu edhe llogaridhënia ndaj qytetarëve.Ku dhe si qëndrojmë me barna e dëgjuam një arsyetim, për 30 ditë është anomali të shpenzohen 5.5 milionë euro për blerje dhe furnizim me barna”, tha Zemaj.

Tutje Zemaj theksoi se ky është arsyetim banal lidhur me buxhetin e ndarë për sektorin e shëndetësisë.

“Ky është arsyetim banal lidhur me buxhetin e ndarë për sektorin e shëndetësisë. Angazhimet për furnizim dhe zbatimi i kontaktit më tej. Vetëm sot kemi dëgjuar dhe u tha këtu se numri 5 mijë e 500 u potencua, u theksua dhe u deklarua edhe nga ministri se numri kësisoj është më i vogël se 3 mijë i testimeve. Ky arsyetim joracional për testime që mbetet hulumtimi, testimi dhe përzgjedhja e situatës duhet bërë në mënyrë të vazhdueshme dhe intensive dhe jo me ditë e me javë e me muaj.

Ulja e testimeve ndikon në rritjen e rasteve të reja”, tha ai.

Gjithashtu Zemaj theksoi se tani për tani s’ka testime as për mësimdhënësit e nxënësit.

“Paramendoni tash kur nuk kemi testime as për mësimdhënësit e nxënësit, por insistojmë vetëm për planifikim me testime.Në kohën kur pandemia ishte në pikën më të lartë, testimet jepeshin falas edhe në sheshet e Prishtinës. Furnizimet me materiale mbrojtëse janë shpenzuar, në Klinikën Infektive thuhet se ka mungesë të dezinfektuesve e që është pa sens”, tha ai.

***

Vitia thotë se në qeverisjen e tij po bëhen më shumë teste sesa në kohën e Zemajt

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, thotë se në 28 ditët e kabintetit të ministrisë që po udhëhiqet nga ai, janë bërë 13.64% më shumë testime sesa në 20 ditët paraprake, të qeverisë së kaluar.

Tutje, Vitia tha se është i vetëdijshëm për vështirësitë ekonomike që qytetarët dhe bizneset po kalojnë, por duke marrë parasysh shtrëngimin e masave në nivel global, masat e ndërmarra në nivel rajonal dhe evidencat e institucioneve janë bërë masa kufizuese edhe në vendin tonë.

“Masat kufizuese janë në funksion me lehtësira të caktuara, do të jenë të tilla derisa të kemi lajme më të mira…Do të përditësohen çdo dy javë varësisht nga situata epidemiologjike në terren…Kemi ulje të rasteve të reja, të hospitalizimeve dhe vdekjeve…Krahas rënies së numrit dhe përqindjes së të infektuarve ngrihet edhe përqindja e të shëruarve”, tha ndër të tjera Vitia, transmeton Express.

Sipas tij më 28 ditët e kabinetit të ministrisë së Shëndetësisë janë bërë 13.64% më shumë teste sesa në 20 ditët e qeverisë së kaluar.

***

​Ismajli: Prioritet për Kurtin ishte Boikeni, e jo qytetari i Kosovës në pandemi

Në debatin parlamentar për gjendjen më pandeminë Covid-19, me kërkesë të Grupit parlamentar të PDK-së, deputeti nga kjo parti Uran Ismajli tha se janë ndërruar tri qeveri, por jo edhe të ndryshohet situata që po e rëndën jetën e qytetarëve gjithnjë e më shumë.

Deputeti Ismajli tha se problemi është se qeveria Kurti 2, është një qeveri që mungon në veprim, sepse sipas tij, prej formimit të kësaj qeverie prioritet ishin zgjedhjet në Shqipëri.

Ismajli: Prioritet për Kurtin ishte Boikeni, e jo qytetari i Kosovës

“Fatkeqësisht edhe Qeveria Kurti 2 po ecën hapave të qeverisë Hoti, duke zgjedhur heshtjen, ikjen dhe fshehjen në vend të transparencës dhe veprimit. Kryeministri Kurti dhe shumica e ministrave që janë sot në kabinetin qeveritar nuk janë të rinj në menaxhimin e pandemisë. Nuk janë duke u provuar për herë parë me një situatë të tillë, janë përballur me pandeminë edhe gjatë 122 ditëve të qeverise Kurti 1, ndërsa sot i kanë bërë 156 ditë në dytë, në pandemi. Pra problemi i pandemisë nuk është i pa njohur për këtë qeveri, problemi është se qeveria Kurti 2, është një qeveri që mungon në veprim. Mungon në veprim në Kosovë, sepse ajo që e pamë prej formimit të kësaj qeverie ishte se prioritet politik i Albin Kurtit dhe kësaj qeverie ishin zgjedhjet në Shqipëri. Prioritet për të ishte Boikeni, e jo qytetari i Kosovës. Qytetarin e Kosovës dhe shëndetin e tij ai e vendosi nën hijen e kotësisë së votës për Boikenin”, tha Ismajli.

Deputeti i PDK-së tha se në pandemi u morën një mori masash të pa menduara dhe zero përgjigje adekuate.

Rezultati siç tha ai mijëra të vdekur, dhjetëra mijëra të infektuar dhe qindra biznese të falimentuara.

Kuvendi ka shkuar në pauzë deri në orën 15:00. 

***

Kuvendi shkon në pauzë deri në ora 15:00

Kuvendi i Kosovës para pak minutash ka shkuar në pauzë deri në ora 15:00.

***

Abdixhiku kritikon Kurtin: 1000 pacientë për një Boiken nuk ia vlen, ai i shkreti as aq votues s’i ka

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se mos prezenca e kryeministrit në Kuvend ku po diskutohet për menaxhimin e pandemisë tregon mos interesin e tij ndaj kësaj çështje.

“1000 pacientë për një Boiken nuk ia vlen ai i shkreti as aq votues s’i ka”, ka shtuar Abdixhiku.

“Kjo pamje tregon që e ka një kryeministër të pa interesuar, po bëhen 1 muaj e katër ditë prej votimit të qeverisë dhe jemi në pandeminë ditët s’kanë rëndësi sepse çdo dy orë një qytetarë vdes për shkak të pandemisë.

Unë nuk pres që të bëni mrekulli menjëherë po pres që kryeministri të jetë këtu”, tha ai.

Image

Hoxhaj: Qeveria Kurti i braktisi qytetarët në krizën me pandeminë

Kryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj në seancën e Kuvendit të Kosovës ku po diskutohet për menaxhimin e pandemisë Covid-19, ka thënë se do të kishte qenë e udhës që Qeveria ta ftonte për një diskutim të tillë, sepse çdo qeveri e përgjegjshme dhe e ndërgjegjshme, këtë betejë me pandeminë, do të duhej ta shtronte në një rrafsh social e jo politik.

Ai ka kritikuar Kurtin se i ka braktisur qytetarët në kohën kur ata po ballafaqohen me pandeminë dhe nuk po merret sigurimin e vaksinave.

"Vaksinat nuk janë instrumente e procedura. Janë mjete që shpëtojnë jetë dhe ne sot jemi pa to. Prandaj abstenim nga përgjegjësia nuk ka. Ose merrni përgjegjësitë që ju takojnë ose hiqni dorë, por popullin mos e merrni në qafë. Sepse ju i keni braktisur ata, por ne nuk mund t’i braktisim dhe as ata vetë nuk do ta braktisin shpresën së kanë ku të mbështeten e në kë të llogarisin", tha ai.

Kollçaku arsyeton Vitinë: S’mund të kërkohet përgjegjësi nga një ministër që sapo ka marr detyrën

Në Kuvendin e Kosovës ku po diskutohet për menaxhimin e situatës me pandemi dhe sigurimin e vaksinave kundër Covid-19, deputetja e Vetëvendosjes, Fatmire Kollçaku ka arsyetuar ministrinë e Shëndetësisë, Arben Vitia.

Ajo ka thënë se Vitia sapo ka marr detyrën.

“Nuk mundesh me paraqit një projekt pa ditë sa ke buxhet. Shumë prej kompanive kanë pasur përfitime të mëdha në kohën e Covid-19 dhe ndihma është dashtë të shpërndahet te ata që kanë humbur më shumë. Vaksina nuk mundet ta zgjedhë brenda natës problemin”, tha ajo.

Kuvendi miraton në parim projektligjin që lehtëson procedurat për gjykimin në mungesë

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale, me 90 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Me këto ndryshime pritet të lehtësohen procedurat për gjykimin ne mungesë.

Projektligji për plotësimin dhe ndryshimi ne kodit të procedurës penale po procedohet në mënyrë të përshpejtuar.

Rrustemi: Gjykimi në mungesë për krimet e luftës është i domosdoshëm

“Gjykimi në mungesë për krimet e luftës në Kosovë është I domosdoshëm, është e kuptueshme që gjykimi në mungesë nuk shpaguan viktimat dhe nuk përmbush pritjet për drejtësi, sidoqoftë gjykimi i përgjegjësve për krimet e luftës në Kosovë, qoftë edhe në mungesë, është detyrim moral e institucional i shtetit të Kosovës, për të bërë atë çfarë ka mundësi të bëjë dhe për të reflektuar edhe formalisht përmes proceseve gjyqësore të vërtetën e krimeve të Serbisë në Kosovë”, tha kryetarit i Komisionit për Legjislacion, Adnan Rrustemi, derisa ka paraqitur propozimin e komisionit.

Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahri tha se gjykimi në mungesë duhet të vlejë edhe për vepra të tjera dhe jo vetëm në rastet e krimeve të luftës.

Tahiri: gjykimi në mungesë duhet të vlejë për të gjitha veprat

“Pra gjykimi në mungesë duhet të vlejë edhe për vepra të tjera që për rendin tonë, për sundimin e ligjit janë jashtëzakonisht të rëndësishme. Po ia përkujtoj kryeministrit Kurti që e tha më herët që do të kërkojnë që policët të cilët i kanë kryer krimet ndaj dy qytetarëve të Republikës së Kosovës në vitin 2007 të gjykohen dhe dënohen në mungesë, dhe unë po i tregoj që me këtë propozim që e ka bërë ministrja e drejtësisë pjesë e qeverisë së tij nuk mund të ndodh një gjë e tillë. Prandaj, ose nuk jeni koordinuar ose nuk po dini çka po propozoni, andaj po i’u them edhe njëherë sillni kodin e procedurës penale të cilin ua kemi lënë gati, nuk ka nevojë me zvarritë”, tha Tahiri.

Ai ka thënë se kodi i procedurës penale i miratuar në lexim të parë në vitin 2019, koha kur Tahiri ishte ministër i Drejtësisë, dhe i kthyer pastaj pas dorëheqjes së kryeministrit Haradinaj, duhet të vihet në Kuvend për votim dhe i njëjti do të mundësojë gjykimin në mungesë edhe për veprat të tjera.

Lidhur me këtë, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se me kodin procedurës penale që sipas saj do të vijë në Kuvend brenda dy muajsh, do të lejohet gjykimi në mungesë për të gjitha veprat penale.

Haxhiu: Kodi i procedurës penale do të vijë në Kuvend brenda dy muajsh

“Aktualisht ky ndryshim ka bëjë më gjykimin në mungesë për krimet e luftës, në kodin e procedurës penale që do të vijë në Kuvend gjatë këtij viti e unë thash më herët brenda dy muajsh, do të lejohet gjykimi në mungesë për të gjitha veprat penale përfshirë edhe për krimet e luftës, dhe kjo është në përputhje të plotë edhe me rekomandimet e komisionit të Venecias sepse komisioni i Venecias ka thënë që mjafton personi të dijë që po kërkohet nga institucionet e sigurisë apo gjyqësisë”, tha Haxhiu.

Në diskutimin e deputetëve rreth kësaj teme, deputeti I LDK-së Driton Selmanaj ka përmendur edhe rastin e kryeministrit Kurti, ministres së Drejtësisë dhe ministrit të Mjedisit, lidhur me aktakuzat që janë ndaj tyre.

Selmanaj: Kryeministri dhe ministrat janë me aktakuza

“Janë ndër parimet themelore të demokracisë dhe vendet demokratike kur personat me aktakuzë të lirojnë detyrat, unë ju kuptoj juve ministër sepse jeni vet e përfshirë në rast të tillë keni aktakuzë, e çka është edhe më e keqja ne kryeministrin e kemi me aktgjykim dënues, kryeministri ne vendit e kemi, dhe zoti Kurti në promovimin e kësaj qeveri pati thënë që ministrja e Ekonomisë dhe financave nuk mund të flas shumë për ekonominë si ka ndodhur 20 vjet sepse atë qasje e gjeni vetëm në librat e kriminalistikës, unë po I them kryeministrit të vendit që në librat e kriminalistikës gjeni edhe diçka tjetër që shkruan aty, kushdo që kryen vepër penale është kriminel”, tha Selmanaj.

Pas miratimit në lexim të parë, kërkohet nga komisioni funksional dhe komisionet e përhershme të shqyrtojnë projektligjin dhe Kuvendit t’ia paraqesin raportin me rekomandime.

Miratohet në parim ndryshimi i Kodit të ri që parasheh gjykimin në mungesë

Me 90 vota për, asnjë kundër dhe abstenim, Kuvendi e miratoj në parim Projektligjin për plotësim-ndryshimi i Kodit të Procedurës Penale, që parasheh gjykimin në mungesë.

“Kërkohet nga Komisioni funksional dhe komisionet e përhershme ta shqyrtojnë projektligjin dhe Kuvendit t’ia paraqesin raportin me rekomandime”, ka njoftuar kryeparlamentari Glauk Konjufca.

Pas votimit që shqyrtimi i parë i ndryshimit dhe plotësimit të Kodit të Procedurës Penale të bëhet në procedurë të përshpejtuar, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka deklaruar se brenda dy muajve mund ta procedojnë Kodin e ri të Procedurës Penale.

“Kompetencën për adresimin e krimeve të luftës e kishte UNMIK-u pastaj EULEX-i e pastaj institucionet vendore. Në mënyrë që prokuroria speciale të ketë kohë t’i trajtoj këto raste, është i rëndësishëm ndryshimi që është proceduar në këtë ligj. Deri tani nuk ka pasur trajtim serioz të krimeve të lufteve. Ne brenda dy muajve do ta procedojmë Kodin e ri të Procedurës Penale”, ka deklaruar Haxhiu.

***

Adresimi i krimeve të luftës përplas Albulena Haxhiun dhe Abelard Tahirin

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri e ka kritikuar LVV-në dhe qeverinë për ndryshimet në Kodin e Procedurës Penal ku përfshihet edhe gjykimi në mungesë për krimet e luftës.

Ai tha se ky gjykim duhet të vlejë edhe për vepra të tjera penale.

“Gabimin që e ka bërë VV-ja në vitin 2019 po mundohet që ta përmirësoj sot, por ky është një gabim i radhës që po e bën sepse e kemi propozuar edhe në atë kohë ku ka kaluar në lexim të parë Kodi i Procedurës Penale, ku është gabim që të ndalemi dhe ta specifikojmë dhe të kufizohemi në gjykimin në mungesë vetëm në krimet e luftës. Pra gjykimi në mungesë duhet të vlejë edhe për veprat e tjera që për rendin tonë për sundimin e ligjit është shumë i rëndësishëm”, ka thënë Tahiri.

Më tutje deputeti i PDK-së, deklaroi se me ndryshimet që janë propozuar sot nga ministria e Drejtësisë nuk mund të hetohet edhe vrasja e Mon Balajt dhe Arben Xheladinit.

“po ja rikujtoj kryeministrit Kurti që e tha më herrët që do të kërkojnë që policët që i kanë kryer krimet ndaj dy qytetarëve të Kosovës në vitin 1007 të gjykohen dhe të dënohen në mungesë. Po i them që me këtë propozim që e ka bërë ministrja e tij nuk mund të bëhet një gjë e tillë. Ose nuk jeni koordinuar ose nuk po dini se çfarë po propozoni”, tha ai.

Tahiri e akuzoi Haxhiun për mungesë të njohurive rreth procedurave dhe hetimeve që duhet bërë në konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme dhe gjykimin e të pandehurve për krime lufte.

“Afati për hetime të tilla është dhjetë vjet, me arrit me qenë efikas dhe me konfisku një pasuri të pajustifikueshme. Ti as nuk je tu lexu, e as nuk je tu pa. Por, dëgjoj njerëzit që i ki në Ministri të Drejtësisë, e ndoshta i mbanë në mend. Hetimet të tilla për dy vjet janë të pamjaftueshme”, tha ai.

Ndaj këtyre deklaratave të Tahirit, është kundërpërgjigjur ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

“S’po e di Abelard kur po e lexon fjalimin a më ke dëgjuar paraprakisht se çfarë kam thënë ose pavarësisht se çfarë kam thënë unë ti prapë qëndron prapa fjalimit që e ke shkruar. Shumë prej çështjeve që i adresove unë edhe i pata në fjalim, kështu që ke mundur me e shpenzu kohën për çështje të tjera”, ka thënë ajo.

Ministrja e Drejtësisë tha se para dy vitesh kanë bërë diçka për të u gjykuar kriminelët e luftës.

“Është një çështje që du me adresu sërish. Thatë ju që gabimin që e keni bërë para dy viteve po doni me rregullu tash. Kjo nuk qëndron. Të paktën ne para dy vitesh kemi bërë diçka që me u gjyku kriminelët e luftës. Ju që sa kohë keni qenë në pushtet nuk ju ka ra ndërmend me i hetu kriminelët e luftës”, ka thënë ai.

Më tutje Haxhiu i tha ish-ministrit të Drejtësisë, që ka qenë gabim i tij që nuk i ka sjell në të njëjtën kohë në Kuvend edhe Kodin Penal edhe atë të Procedurës Penale.

“As 2% e totalit buxhetor nuk është shpenzuar për organet e drejtësisë. Gabim i joti ka qenë në atë kohë që Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale nuk e ke sjell në të njëjtën kohë. Nuk ka asnjë logjikë që në Kuvend me ardh Kodi Penal dhe jo ai i Procedurës Penale”, ka thënë ajo.

Edhe deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj tha se është shqetësues mos dakordimi ndërmjet ministres Albulena Haxhiu dhe kryeministrit Albin Kurti.

“Unë ju kuptoj ministre sepse jeni vetë me aktakuzë dhe më e keqja është se kryeministrin e vendit e kemi me aktgjykim dënues, sepse ne kriminalistike thuhet se çdo kush që bën vepër penale është kriminel, dhe kërkojmë qe ta sjell i me urgjence”, u shpreh ai.

Kuvendi miraton përshpejtimin e procedurës për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit të Procedurës penale

Kuvendi i Kosovës ka miratuar përshpejtimin e procedurës për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit të Procedurës penale.

Për përshpejtimin e procedurës votuan 92 deputetë pro, asnjë kundër dhe asnjë nuk abstenoi.

“Më 92 pro asnjë kundër dhe asnjë abstenim  miratohet që shqyrtimi i parë i projektligjit i cili do të bëhet në procedurë të përshpejtuar, shmangje nga afatet procedurale të parapara me nenin 56. Pra mund të kalojmë në shqyrtimin e parë të ndryshimit dhe plotësimit të Kodit të Procedurës Penale. Komisioni për Legjislacion e ka shqyrtuar projektligjin dhe Kuvendit ja ka rekomanduar votimin e tij”, ka deklaruar kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

Me ndryshimin dhe plotësimin e Kodit të Procedurës Penale lejon gjykimin në mungesë.

“Ndryshimi i Kodit të Procedurës Penale i domosdoshëm për nisjen e hetimeve për krimet e luftës”

Kryetari i Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, Adnan Rrustimi, ka deklaruar se ndryshimi dhe plotësimi i Kodit të Procedurës Penale është shumë i domosdoshëm për nisjen e proceseve hetuese ndaj krimeve të luftës.

Ai ka deklaruar se me ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale ata i heqin pengesat për gjykimin në mungesë, si dhe ndryshohet kufizimi i bashkëpunimit me mekanizmat ndërkombëtarë.

“Ky ndryshim ligjor është i domosdoshëm, pasi mundëson nisjen e proceseve hetuese. Ky projektligj që po shqyrtojmë sot, ka efekte të rëndësishme në drejtim të adresimit të krimeve të luftës dhe duke ndryshuar kufizimin e bashkëpunimit me secilin mekanizëm ndërkombëtarë. Ne sot i heqim pengesat për gjykimin në mungesë”, ka deklaruar ai.

Rrustimi ka thënë se ky ndryshim nuk duhet të jetë i vetmi për adresimin e krimeve të luftës në Kosovë, derisa ka theksuar se duhet të shtohet edhe numri i prokurorëve, zyrtarëve ligjorë e hetuesve.

“Ky ndryshim nuk mjafton dhe nuk duhet të jetë veprimi i vetëm për adresimin e krimeve në Kosovë. Ky veprim është i domosdoshëm. Shtimi i prokurorëve, hetuesve, zyrtarëve ligjor është po aq i nevojshëm”, ka shtuar ai.

***

Deputetët miratojnë formimin e Komisioneve Parlamentare

Në seancën e cila është duke u mbajtur në Kuvendin e Kosovës janë miratuar edhe propozimet për emërimin e Komisioneve Parlamentare.

Me 89 vota pro, një abstenim dhe asnjë votë kundër, Kuvendi ka miratuar propozimin e Grupeve Parlamentare për emërimin e Komisioneve Parlamentare.

Pas diskutimit të pikave jashtë rendit të ditës, pyetjeve drejt ministrave dhe kryeministrit, Kuvendi ka miratuar Komisionet Parlamentare ndërsa pritet të diskutojë edhe për pandeminë.

Seanca është duke vazhduar.

***

VV-ja tërheq ndryshimet në Kodin Penal, opozita kundërshton

Kryetari i Komisionit për Legjislacion, Adnan Rrustemi, ka kërkuar tërheqjen e plotësim ndryshimit lidhur me kërkesën e Ministrisë së Drejtësisë në ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale. Këtë veprim e ka kundërshtuar opozita.

“E kemi shqyrtuar kërkesën e MD dhe kemi marr dy vendime që të miratojë në parim Projektligjin, që ta procedojë në procedura të përshpejtuara. Unë konsideroj që komisioni e ka përmbushur përgjegjësinë e vetë dhe konsideroj që sot është e rëndësishme që të shqyrtohen dhe konsideroj që të votohet projektligji për plotësim ndryshim. Vendimi i dytë që ka marr komisioni për ta trajtuar me procedurë të përshpejtuar dhe duke qenë që kryesia nuk e kishte caktuar datën e seancën ne sot e tërheqim kërkesën për shqyrtim”, u shpreh ai.

Por për këtë ka reaguar Abelard Tahiri i cili tha se në mbledhjen e Komisionit kanë kërkuar të trajtohet me urgjencë derisa tash kërkojnë tërheqjen.

“Pavarësisht pse jemi opozitë jemi pajtuar që kjo të vij në seancë dhe të trajtohet me urgjencë, pasi që është e rëndësishme, e keni plot gojë që kriminelët e luftës t’i vendosni para drejtësisë dhe në raste të tilla kërkojeni një koordinim më të mirë dhe situata të tilla janë të panevojshme”.

Edhe shefi i GP-së të LDK-së,Arben Gashi tha se është e pa kuptimtë tërheqja e VV-së, duke thënë se e përkrahin në procedurë të përshpejtuar.

“E përkrahim në procedurë të përshpejtuar të kalojë ky ligj, dhe këtu kemi pasoja se dy shtetas të Kosovës të vrarë dëme të mëdha njerëzore e materiale”

Po ashtu edhe shefi i GP-së së AAK-së Besnik Tahiri, pati kritika për këtë veprim të VV-së.

“Ne kemi trajtuar temën dhe kemi thënë se ndryshimi i dy neneve e ndihmon të drejtën dhe të vërtetën e luftës së UÇK-së në Kosovë dhe tani vijmë në një situatë që pas fjalimit të kryeministrit lidhet me përfaqësuesit e UNMiKU-t e që nuk është diskutuar në Komision dhe as në Kryesi dhe e kemi mbështet dhe nuk e kuptojmë që me e qitë para aktit të kryer me tentua me ndryshua dhe me tërheq në procedurë”, u shpreh Tahiri.

Kurti për vrasjen e Arben Xheladinit dhe Mon Balajt: I kemi shkruar Rumanisë, po presim përgjigje

Në seancën e sotme parlamentare, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i është përgjigjur deputetit të PDK-së, Fadil Nura për dy aktivistët e LVV-së, Arben Xheladini dhe Mon Balaj që u vranë në protestat e 2007-tës.

Kryeministri Kurti theksoi se Qeveria ka bërë atë që është e mundshme, sipas të cilit ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu i ka shkruar direkt Rumanisë për këtë çështje, por ende nuk ka marrë përgjigje.

Kurti ka thënë se pas protestës së 10 shkurtit 2007, ishte publikuar një raport i shefit të shtyllës së dytë të UNMIK-ut, Rober Din ku është konstatuar se vrasja e Arben Xheladinit dhe Mon Balajt ka qenë edhe e panevojshme dhe e evitueshme.

Kurti: Si Qeveri vlerësojmë se kjo duhet të marrë rrugën e drejtësisë

“Si kryeministër i Republikës së Kosovës konsideroj që me UNMIK-un duhet të fillojmë të flasim për vrasjen Arben Xheladinit dhe Mon Balajt pasi që prokuroria jonë special të filloj hetimin qoftë edhe për gjykim në mungesë të atyre kriminelëve nga radhët e policës ndërkombëtare që I kanë vrarë aktivistët tanë. Në këtë pikë kjo çështje duhet të jetë gjyqësore dhe në degë të tillë e ne nuk mund e as nuk duhet të kemi ndikim. Sa na përket neve si ekzekutiv ne kemi bërë atë që mundemi, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu I ka shkruar direkt Rumanisë për këtë çështje, por ende nuk kemi marrë përgjigje… Paneli këshillues për të drejta e njeriut në kuadër të UNMIK-ut e patë trajtuar këtë çështje me sukses të pjesshëm jo i plotë. Si Qeveri vlerësojmë se kjo duhet të marrë rrugën e drejtësisë”, theksoi Kurti.

Shefi i Qeverisë, tha se prej ekipit të policëve që kanë qenë pjesëmarrës në protestën e 10 shkurtit 2007, nga 11 polic të Rumanisë në kuadër të UNMIK-ut, 2 prej tyre me siguri janë vrasës, ata nuk janë më nën ombrellën e UNIKM-ut ata janë në Rumani. Kryeministri thekoi se është koha që prokuroria e Kosovës të veproj. 

***

 Çeku thotë se me 9 qershor do të përurohet shtatorja e Fadil Vokrrit

Në seancën e Kuvendit, ministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, tha se shtatorja e Fadil Vokrrit do të përurohet më 9 qershor, ndërsa parku i planifikuar të ndërtohet afër shtatores nuk do të realizohet me kohë për shkak të mos përmbushjes së kritereve të UEFA-së.

Çeku këtë e bëri të ditur pasi deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu pyeti nëse punimet janë duke shkruar sipas planifikimit.

“Kuvendi ka ndarë 200 mijë euro për shtatoren e Fadil Vokrrit dhe prej muajit tetor ajo është e përfunduar ajo ende nuk është vendosur në lokacionin e përcaktuar”, tha Haxhiu.

“Bazamenti është përfunduar dhe bashkë do ta përurojmë me 9 qershor por parku nuk mund të ndërtohet dhe arsyet janë mos përmbushjet e kritereve të UEFA-së, shtatoren do ta kemi në pjesën perëndimore por jo edhe parkun”, u shpreh Çeku.

Nagavci paralajmëron universitetet: Asnjë studentë s’do të regjistrohet jashtëligjshëm

Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit Arbërie Nagavci, tha se asnjë institucion nuk do të mund të regjistrojë student mbi kuota e përcaktuara nga Agjencia e Akreditimit.

Tutje Nagavci në seancë ku do të diskutohet për situatën pandemike, shtoi se kjo është situatë shqetësuese, duke e quajtur papërgjegjësi totale.

“Është situatë shqetësuese, sipas njoftimit të zyrtarëve përgjegjës çështja e mos validimit të diplomave vjen si problem i kamotshme”.

“Diplomat e lëshuara në programet e pa akredituara të cilat nuk figurojnë në platformë dhe ky problem është më i madh sesa që e kemi menduar. Një numër i madh i institucioneve nuk i kanë dorëzuar në MASh librar amë”.

“I’u siguroj që asnjë institucion nuk mund të regjistrojë studentë jashtë ligjshëm, mbi kuota e përcaktuara nga Agjencia e Akreditimit”.

Image

Gashi i LDK-së: Qeveria Kurti karakterizohet nga mashtrimi

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi ka kritikuar qeverinë, duke thënë se Qeverinë Kurti e përfaqëson dhe e karakterizon mashtrimi.

Ai ka kritikuar qeverinë duke thënë se po tentojnë të fshihen pas gjinisë duke e përmendur edhe rastin e kalimit të deputetes Adelina Grainca nga PDK’ja në Vetëvendosje.

“Mashtrimin që e keni kthyer në kauzë, është ajo çfarë ju përfaqëson dhe ju karakterizon. Përfaqësimi mes mashtrimit është i padenjë.

Tani jeni në pushtet, nëse diçka është gabim, rregullone, nëse diçka nuk funksion rregullone. Trajtoni me prioritet gratë e këtij vendi, jo sepse janë gra, por sepse janë deputete”, ka thënë ai.

Image

Shefi i deputetëve të LDK-së e krahason deputeten Grainca me ish-deputetin Haxhi Shala

Shefi i Grupi Parlamentar të LDK-së Arben Gashi, ka pyetur deputetët se ku është dallimi ndërmjet ish-deputetit Haxhi Shala dhe deputetes Adelina Graincës, duke shtuar se kanë bërë pazare më vota kundrejt dy qeverive.

“Pazari ka ndodh pa marr parasysh a është burrë a grua. Kur i drejtoheni opozitës është mirë të identifikoni se kujt poni drejtoheni dhe sa i përket numrave është e pavërtetë Kuvendi i ka 41 vra prej 120 deputetëve dhe keni pasaktësi në atë çka flisni”.

“Ju keni sulmuar dhe deri në degradim të gjuhës në Kuvend për shkak të blerjes dhe ku qenka dallimi mes Haxhi Shalës dhe deputetes Grainca”.

“Mashtrimi që e keni deklaruar duke pretenduar të vërtetën absolute në këtë vend është ajo çka i’u karakterizon”.

Këto komente ia i bëri në seancë ku po diskutohet për sigurimin e vaksinës anti-Covid dhe menaxhimin me pandeminë.

Deputeti i PDK-së pyet për trajtimin e vrasjes së Xheladinit dhe Balajt, Kurti: Do të flasim me UNMIK

Deputeti i PDK-së, Fadil Nura e ka pyetur kryeministrin Albin Kurtin për trajtimin e vrasjes së Arben Xheladinit dhe Mon Balajt. Ky i fundit është përgjigjur se kompetenca për t’u marr me këtë çështje i ka UNMIK.

 “Sipas njoftimi zyrtar keni pritur përfaqësuesin e Kombeve të Bashkuara dhe ka theksuar se prioritet i tij janë kërkesat e qytetarëve. Kryeministri e ka përdorur Mon Balaj dhe Arben Xheladinin”, tha Nura.

Kryeministri Albin Kurti tha se për vrasjen e Xheladinit dhe Baljt do të flasin me UNMIK, duke shtuar se ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, i ka shkruar shtetit të Rumanisë për këtë cështje po ashtu.

“Si kryeministër konsideorj që UNMIK duhet të flasim për vrasjen e Arben Xheladinit dhe Mon Balajt dhe kjo cështje duhet të jetë gjyqësore.Kjo duhet të marr rrugën e organeve të drejtësisë dhe 11 policië të Rumanisë me siguri 2 janë vrasës por ata nuk janë nën ombrellën e UNMIK por të Rumanisë dhe prandaj ministrja Haxhiu i ka shkruar Rumanisë”.

Përplasje në Kuvend, deputetët e opozitës nga ulëset e kundërshtojnë Mimoza Kusarin

U.d e shefit të grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila derisa po deklarohej sot në Kuvend të Kosovës është kundërshtuar nga deputetët e opozitës që i kanë reaguar fjalimit të saj.

“Kolegët e mi kur të dalin në foltore të reflektojnë edhe njëherë në pamjen e Kuvendit, ajo që ka ndodhë në zgjedhjet e 14 shkurtit nuk mund të shkojë pa asnjë reflektim. Ky nuk ka ndodh në formatin si ulemi ne këtu, por edhe në mënyrën se si ne qeverisim, ju inkurajoj sa herë të vini ta shihni se çka do të thotë ndryshimi”, ka thënë Mimoza Kusari.

“Sa i përket lirisë së mediave, ai indeks që është prezantuar është në vitin 2020-të. Të gjuhemi dhe të flasim pa asnjë fakt, nja një ish-ministër I Qeverisë që ishte përgjegjës që sipas planeve të tij nuk dështoi sa duhet, po duhet të bëhen spekulime që vënë hije të zezë mbi Qeverinë”, tha e njëjta.

Derisa Mimoza Kusari po fliste për deputeten Adelina Grainca të njëjtës në vazhdimësi i kanë reaguar deputetët e opozitës.

Të njëjtët nuk janë kuptuar mirë se çka i kanë thënë Kusarit megjithatë, e njëjta nuk e ka ndalur fjalimin e saj.

Tahiri i AAK-së: Mos bëni eksperimente me çështjen e pandemisë dhe me tema nacionale

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, i ka bërë thirrje Qeverisë Kurti që të mos bëhet eksperimente me çështjen e pandemisë, e me tema nacionale, siç është dialogu me Serbinë.

Ai ka thënë se duhet lënë anash arrogancën.

“Kërkesa ime për ju është mos bëni eksperimente me çështjen e pandemisë, me orën policore, mos bëni eksperimente me tema nacionale si dialogu, të mos ballafaqoheni me atë që u ka ndodhur herën e kaluar. Ju lus ta lini anash arrogancën.

Votimi i djeshëm nuk mendon që e ka forcuar demokracinë në Shqipëri, vetëm besoj e ka forcu mendimin për Kosovën të vendeve mosnjohëse”, ka thënë Tahiri.

Bekë Berisha kërkon që të largohet ora policore

Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, ka kërkuar që të largohet kufizimi i lëvizjes së lirë.

Berisha këtë kërkesë e bëri në seancën e Kuvendit ku po diskutohet për menaxhimin e pandemisë dhe sigurimin a vaksinës anti-Covid.

Edhe Kurti i përgjigjet ftesës së Tahirit për pjesëmarrje në seancën e Kuvendit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka arritur në seancën ku do të diskutohet për menaxhimin e pandemisë dhe sigurimin a vaksinës anti-Covid.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, i cili para seancës së Kuvendit ka shkruar në rrjete sociale se Qeveria nuk do të duhej të kishte asnjë prioritet tjetër pos kësaj çështje.

Tahiri në Facebook ka shkruar se kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia sot duhet të shkojnë në seancë të Kuvendit.

Deliu-Kodra: Kurti e Vitia duhet të japin përgjegjësi pse nuk u nënshkrua marrëveshja me Pfizerin

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka thënë se kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, duhet të dalin para qytetarëve e të japin përgjegjësi pse nuk u nënshkrua marrëveshja për vaksina me Pfizerin.

Ajo ka kritikuar Qeverinë Kurti, duke thënë se ka nisur përndjekjen e gazetarëve. Ndërsa ka thënë se janë shenjat e para të kalimit nga një sistem demokratik në një autoritar.

“Kosova këtë vit ka rënë për tetë pozita sa i përket raportit të ‘Reporterë pa Kufij’, sa i përket lirisë së shtypit. Tash kur qytetarët më shumë se kurrë kanë nevojë që të informohen drejtë për pandeminë e vaksinat, Qeveria Kurti është e para që ka nisur përndjekjen e mediave e gazetarëve. Kurti e Vitia duhet të dalin para qytetarëve e të japin përgjegjësi pse nuk është nënshkruar marrëveshja për t’i marrë vaksinat nga Pfizeri. Ndërhyrja flagrante e aparatit shtetëror është njollë e zezë mbi demokracinë. Gazetarët kanë theksuar mungesën e përgjegjësisë publike të kryeministrit për të marrë pjesë në konferenca për gazetarë dhe debate publike. Këto janë shenjat e para të kalimit nga një sistem demokratik në atë autoritar”, ka thënë Deliu-Kodra.

Galushi i romëve: Vdekja e Elmedinit po cilësohet e dyshimtë

Deputeti Erxhan Galushi nga Lëvizja e Përparimtare të Romëve të Kosovës (LPRK), në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, ka folur për rastin e vdekjes së 9-vjeçarit, Elmedin në Fushë-Kosovë.

Ai tha se deri më tani rasti i vdekjes së Elmedinit është duke u cilësuar si vdekje e dyshimtë.

“Do të flas edhe për vdekjen e Elmendint që po cilësohet si vdekje e dyshimtë deri në zbardhjen e plotë të rastit nga organet shtetërore”, ka thënë ai.

Ai tha se ndihet krenar që kanë romët kanë treguar konstruktivitet në formimin e institucioneve.

Më tutje Galushi foli edhe për historinë e romëve dhe për sfidat që ka kaluar ky komunitet.

Abrashi iu drejtohet opozitës: Nuk reaguat kur u fyen gratë e Kuvendit

Deptueti i LVV-së, Artan Abrashi ka thënë në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ka përmendur rastet kur gratë janë fyer e për të njëjtat nuk kanë reaguar deputetët e partive të opozitës, .

Abrashi ka thënë në seancën e sotme se ndaj presidentes Vjosa Osmani është përdorur një gjuhë e ulët, në shtëpinë e deputetes Adelina Grainca janë bërë grafitë me gjuhë fyese ndërsa, deputetes Albena Reshitaj iu është bërë presion të ndryshojë qëndrimet e saj.

“ Ndaj presidentes së Kosovës u përdor një gjuhë e ulët, në muret e shtëpisë së familjes së deputets Adelina Grainca u shkruajtën grafite me fjalë fyese, kishte edhe presione ndaj grave që të ndryshojnë qëndrimet e tyre”, ka thënë ai.

Abrashi tha se njejtë nuk është reaguar kur deputeti Haxhi Shala kaloi nga Nisma në AAK.

“Deputetet e opozitës nuk I dënuan ato, po të njejtët nuk reaguan në rastet e deputetëve burra. Nuk reaguan kur Haxhi Shala nga Nisma kaloi në AAK, por reaguan për gratë, akoma nuk janë çliruar nga mentaliteti i mykur e patriarkal”, tha ai.

“Të nderuar deputetë, problemet tua partiake, mungesa e hapësirës brenda hapësirë, nuk mund t’i mbuloni përmes degradimit të personaliteteve të njeritu. Dëshprimi nga humbja që e pësuat në zgjedhje, e sulmet e egra ndaj LVV-së bëni sa të doni, nuk na bëjnë përshtypje, por, aman distancojuni nga casjet e tilla primitive”, tha Abrashi.

***

Ka nisur seanca plenare e Kuvendit të Kosovës.

Në seancë pritet të diskutohet edhe për pandeminë.

***

Nga zyra për media e Kuvendit të Kosovës kanë bërë të ditur rendin e ditës për seancën e sotme.

Fillimisht, do të ketë deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare.

Do të bëhet edhe ndryshimi i vendimit për formimin e komisioneve parlamentare.

Ndërsa  si pikë e fundit është debati për pandeminë.

Rendi i ditës:

1.    Deklarimet jashtë rendit të ditës,
2.    Pyetjet parlamentare, 
3.    Miratimi i procesverbaleve nga seancat e mëparshme,
4.    Ndryshimi dhe plotësimi i Vendimit nr. 08-V-006, dt. 02.04.2021 për formimin e  komisioneve parlamentare,
5.    Shqyrtimi i parë i Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e  Kodit nr. 04/L-123  të Procedurës Penale, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin Nr. 06/L -091, dhe
6.    Debat parlamentar për gjendjen me pandeminë COVID-19 në Republikën e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat