Flet ish-këshilltari i Thaçit për dokumentin që ‘dridhi’ Kosovën

Aktuale

Flet ish-këshilltari i Thaçit për dokumentin që ‘dridhi’ Kosovën

Më: 27 prill 2021 Në ora: 22:29
Ardian Arifaj dhe Hashim Thaçi

Ish-këshilltari politik i ish-presidentit, Hashim Thaçi, Ardian Arifaj ka komentuar dokumentit “Non-Paper”, të publikuar në media, pas të cilit thuhet se qëndrojnë Franca dhe Gjermania e që flet për njohjen e sovranitetit territorial të Kosovës dhe Serbisë ndaj njëra-tjetrës dhe krijimin e një “distrikti autonom të Kosovës Veriore”.

Arifaj ka thënë se kjo është një tentativë apo siç e quan ai “balonë” provuese për ta matur reagimin e opinionit publik.

Ai thekson se me këtë “Non-Paper”, po tentohet të shkaktohet konfuzion.

Ish-këshilltari politik i ish-presidentit Thaçi, Ardian Arifaj

“Me intensifikimin e paralajmërimeve për vazhdim e dialogut dhe gjasat për marrëveshje, do të ketë “balonë” të tillë provues. Për të matur reagimin e opinionit por edhe për të shkaktuar konfuzion”, ka thënë ish-këshilltari i Thaçit.

Sipas tij, e rëndësishme është të diskutohet për atë që arrihet në tavolinën e bisedimeve.

“E vlefshme është vetëm ajo që do të diskutohet e arrihet në tavolinën e bisedimeve. Dhe që në fund duhet të pranohet nga Kuvendi i Kosovës”, ka deklaruar Arifaj.

Media ka kontaktuar edhe Bekim Çollakun, ish-shefin e stafit të ish-presidentit Hashim Thaçi, për të marrë një përgjigje nga ai në lidhje me “non-paper-in” e publikuar, por i njëjti ka refuzuar të komentojë. Me arsyetimin se nuk ka bazë zyrtare.

“Këto “non-paper”, kur nuk kanë burim zyrtare po është vështirë me i komentu, veç po bien njeri në lajthitje. Kësisoj – kisha preferu mos me komentu, meqë i kanë mohu edhe dy ambasadat”, ka thënë Çollaku.

Ndërkohë, nga Bashkimi Evropian kanë mohuar se kanë gisht në dokumentin e ashtuquajtur “non-paper”.

Ky “non-paper”, është publikuar mbrëmë në media, e në të cilin flitet për një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë, e ku pretendohet se ky është qëndrim i Bashkimit Evropian.

Prapa, “non-paper-it”, u tha se qëndron Franca e Gjermania. Një gjë e tillë, u mohua nga dy ambasadorët e shteteve gjegjëse. Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde e cilësojë si lajm të rremë këtë “non-paper”, duke mohuar se një dokument i tillë është hartuar nga gjermanët dhe francezët.

Edhe Ambasada e Francës në Kosovës ka deklaruar se Franca dhe Gjermania nuk janë burimi i atij “non-paper” dhe se dy shtetet mbështesin ndërmjetësimin e dialogut nga Bashkimi Evropian.

Reagim ka pasur edhe nga presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, i cili tha sot se “non-paper” lidhur me marrëveshjen që duhet të arrihet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë botuar nga mediat në Prishtinë u ideua nga dikush shumë më i zgjuar dhe më dinak se ai.

Në dokumentin jozyrtar, i cili u publikua me 26 prill përveç idesë se krijimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, Kosovës po i kërkohet që veriu i vendit të jetë një Rajon Autonom. Pastaj thuhet se palët, pra Kosova e Serbia, duhet të bëjnë ndryshime kushtetuese që të mund të zbatohet kjo marrëveshje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat