​Banorët e Karaçevës iu shkruajnë krerëve të shtetit, kanë kërkesë për dialogun me Serbinë

Aktuale

​Banorët e Karaçevës iu shkruajnë krerëve të shtetit, kanë kërkesë për dialogun me Serbinë

Më: 28 prill 2021 Në ora: 12:40
Banorët e Karaçevës

Banorët e Karaçevës po kërkojnë që çështja e Karaçevës të diskutohet në takimin e parë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi. Ata iu kanë dërguar letër tre krerëve të shtetit, me shpresën se do të kenë parasysh gjendjen e banorëve të kësaj ane. Për këtë thonë se presidenti, kryeministri e kryeparlamentari e kanë obligim moral e shtetëror që të mbrojnë të drejtat e banorëve.

Banori më i zëshëm i kësaj ane, Selver Lenjani tregon se para pak ditëve ka dërguar tri kërkesa për Vjosa Osmanin, Albin Kurtin dhe Glauk Konjufcën. Kjo pasi që ka dëgjuar se shumë shpejt mund të ketë ndonjë takim për rifillim të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Lenjani: E vetmja shans ka mbetur në këta tre krerë të shtetit

“Për shkak se është paralajmëruar takimi në Brukselin zyrtar mes Serbisë dhe Kosovës që të trajtohet edhe ky problem i brezit kufitar i kamotshëm që kërkon komuniteti në këtë brez kufitar që të trajtohet e mos të copëtohet sepse Serbia është munduar vazhdimisht ta copëtojë këtë pjesë të territorit. E vetmja shans, e vetmja mundësi ka mbetur tash të këta tre krerë të shtetit që t’i dalin në ndihmë komunitetit në këtë brez”, thotë Lenjani.

Më tej, shpreh shqetësimin që në bazë të marrëveshjes tekniko-ushtarake, banorët mund të humbasin 170 prona. Ai shton se i kanë të gjitha dokumentet kadastrale që rezultojnë në anën e banorëve të Karaçevës.

I pyetur se a shpreson se çështja e tyre do të adresohet në dialog, ai thotë se një gjë e tillë është obligim moral.

Lenjani: Qytetarët kërkojnë që të mbrohen në tërësi

“Është obligim moral, kombëtar, shqiptar dhe shtetëror që të merren tre krerët, patjetër e obligon edhe toka dhe gjaku edhe mundi edhe djersa. Sepse komuniteti nga ky brez kufitar dhe nga krejt qytetarët e Kamenicës iu është dhënë mundi dhe mundësia dhe djersa. Tash kërkojnë qytetarët që të mbrohen në tërësi kjo pjesë e komunës së Kamenicës”, shton ai.

Përfaqësuesi i banorëve të Karaçevës, Selver Lenjani flet edhe për vizitat e shpeshta të xhandarmërisë serbe në brendësi të fshatit.

Lenjani: Ne jemi mësuar me këto ballafaqime të xhandarmërisë serbe

“Shqetësimet janë vazhdimisht, ne jemi mësuar me këto ballafaqime të xhandarmërisë serbe. Mirëpo, megjithatë është shumë një brengë e madhe, besoni se Policia e Kosovës, veturat zyrtare nuk kanë qasje në rrugën e asfaltuar. Që nga kthesa e Novosellës deri në hyrje të fshatit Karaçevë është zonë e ndaluar për Policinë e Kosovës”, përfundon Lenjani.

Pas më shumë se dy dekadave, Kosova po vazhdon të ketë problem me territor. Media ka raportuar disa herë për shqetësimet e banorëve për patrullimin e xhandarmërisë serbe në brendësi të fshatit. Madje KFOR-i tash e sa kohë ka vendosur tabelat për shënimin e kufirit të përkohshëm të Kosovës, në fshatin Karaçevë të Kamenicës. Ndërkohë, që Policia e Kosovës i ka të ndaluara lëvizjet që nga fillimi i fshatit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat