LDK-ja kërkon që Kurti të raportojë për dialogun në Bruksel: Të vendosen parime të qarta

Aktuale

LDK-ja kërkon që Kurti të raportojë për dialogun në Bruksel: Të vendosen parime të qarta

Më: 29 prill 2021 Në ora: 13:43
Teuta Sahatqija

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) po kërkon që kryeministri Albin Kurti të raportojë për takimet në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Anëtarja e kryesisë së LDK-së Teuta Sahatqija tha se duhet të ketë përkushtim më të madh sa i përket çështjes së dialogut me Serbinë.

“LDK-ja do ta luaj rolin e saj konstruktiv, ashtu siç kërkojnë të gjitha rezolutat e dala nga Kosova. LDK-ja do ta luajë rolin e saj që të përfundojë suksesshëm. Dialogu të bazohet në parimin e transparencës ashtu siç kërkohet, e dyta është vendosja e parimeve bazë sado që e dimë që Qeveria nuk mund të del me një platformë, por të ketë parime”.

“’Non-papers’ janë dokumente që e rrezikojnë kushtetutshmërinë  e vendit dhe duhet fuqishëm të refuzohen dhe kundërshtohen. Dokumenti i parë flet për cenimin e integritetit të vendit tonë.  Qeveria duhet në mënyrë shumë aktive të vendos për parimet dhe mënyrën se si vazhdon dialogu”, tha Sahatqija.

“Dialogu me Kosovën është dialog i partnerëve te barabartë që sjell paqe dhe stabilitet në rajon. Asnjë dialog i ardhshëm nuk duhet të diskutojë dhe cenojë integritetin tonë”.

“Andaj kryeministri Kurti duhet të raportojë para se të shkoj dhe për gjithçka se çfarë ndodh atje. Qeveria duhet të ketë parime të qarta rreth kësaj teme. Presim nga institucionet që ta marrin seriozisht këtë temë”, theksoi tutje ajo.

E pyetur për prioritetet e kryeministrit në dialog dhe përshpejtimin e këtij procesi, Sahatqija potencon që LDK-ja mendon që ky proces nuk duhet shpejtuar.

“Nuk mendoj që ky proces duhet shpejtuar, sepse nuk duhet ta shohim se sa kryeministri Kurti e ka në prioritet sepse nuk duhet ngutur dhe përshpejtuar këtë proces, pasi kemi parë rastin e Bosnjës dhe është e rëndësishme të trajtohet me kujdes”, tha ajo.

“Nuk ka rëndësi a do të takohet sot apo nesër, e rëndësishme është që të shkoj i përgatitur dhe të jetë konciz në këto tema dhe siç është dialogu”, u shpreh Sahatqija e pyetur për refuzimin e kryeministrit Kurti për takim me presidentin serb Aleksandar Vuçiq.

Përderisa zëdhënësja e kësaj partie Sibel Halimi, tha se kanë qëndrim të qartë si parti sa i pëket këtij procesi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat