LDK kërkon kundërshtim të “non paper” thonë se e rrezikojnë kushtetutshmërinë e Kosovës

Aktuale

LDK kërkon kundërshtim të “non paper” thonë se e rrezikojnë kushtetutshmërinë e Kosovës

Më: 29 prill 2021 Në ora: 14:57
Teuta Sahatqija

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) po kërkon që Qeveria e Kosovës të jetë e përgatitur dhe të ketë qasje serioze e me parime të qarta karshi dialogut me Serbinë. Lidhur me dokumentet “non paper” që kanë qarkulluar ditëve të fundit kjo parti po kërkon që institucionet e Kosovës t’i kundërshtojnë fuqishëm këto letra pasi që rrezikohet kushtetutshmëria e Kosovës.

Anëtarja e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Teuta Sahatqija në një konferencë për medie ka thënë se përgatitja e Kosovës karshi dialogut me Serbinë duhet të jetë serioze dhe substanciale me parime të qarta dhe të panegociueshme.

Sipas saj dialogu duhet të zhvillohet me Kosovën e jo për Kosovën.

Sahatqija: Qeveria të bëjë përgatitjet serioze karshi dialogut

“Mendojmë që përgatitja serioze dhe substanciale duhet të jetë pjesë e përgatitjeve dhe pjesë e përpilimit të një platforme të duhur për Kosovën që të dal sa më mirë në përfundim të këtij dialogu. Mendojmë që në parim patjetër duhet të jetë ruajtja e kushtetutshmërisë, ruajtja e sovranitetit, ruajtja e integritetit territorial të Kosovës duhet të jenë parimet bazë të panegociueshme nga qeveria dhe nga institucione. Mendoj që roli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës duhet të jetë rol më i fuqishëm dhe duhet të jetë pjesë[...]Ne mendojmë që duhet Kosova të ketë një rol shumë më proaktiv dhe jo të përgjigjet në kërkesa apo në tema në të cilat servohen por duhet në mënyrë shumë aktive të vendos për agjendën, për parimet të vendos për mënyrën se si vazhdon dialogu. Ne themi se dialogu duhet të jetë me Kosovën e jo Kosovën. Dialogu me Kosovën është një dialog I partnerëve të barabartë i cili sjell paqe dhe stabiliteti në rajon”, theksoi ajo.

Ajo tutje shtoi se asnjë dialog i ardhshëm nuk mund të diskutoj për statusin e Kosovë i cili është i pacenueshëm.

Sahatqija, ka komentuar letrat “non paper” në të cilën thuhet se Kosova dhe Serbia duhet të pajtohen për formimin e të ashtuquajturit Distrikt Autonom i Kosovës Veriore. Anëtarja e Kryesisë së LDK-së kërkon që institucionet e Kosovës fuqishëm t’i kundërshtojnë këto letra të cilat e rrezikojnë kushtetutshmërinë e Kosovës.

Sahatqija: Institucionet ta kundërshtojnë ‘non paper’

“Ndonëse këto dokumente apo letra nuk kanë autorësi por edhe ju e dini që si në diplomaci ‘non paper’ përdoren si testim i terrenit edhe si përgatitje. Në LDK mendojmë që këto ‘non paper’ të cilat po qarkullojnë ditëve të fundit, janë dokumente të cilët fuqishëm duhet të kundërshtohen, janë dokumente të cilat në thelb e rrezikojnë kushtetutshmërinë, e shtetësinë e Kosovës dhe si të tilla mendoj që nuk duhet të heshtet por duhet që fuqishëm të kundërshtohen. Njëri flet për rikonfigurimin e gjithë Ballkanit e tjetri e kthen Kosovën në kohën e para pavarësisë në kohën e parimeve të grupeve të kontaktit. Grupi i kontaktit ka qenë një grup që ka diskutuar për pavarësinë e Kosovës dhe çfarëdo kthimi në kohën e pavarësisë së Kosovës apo çfarëdo bazimi, e kthen Kosovën në dialog për status, ashtu siç edhe po pretendon Serbia që duhet të jetë. Ne fuqishëm duhet ta kundërshtojmë, Kosova është shtet i pavarur, statusi i Kosovës dhe shtetësisë nuk diskutohen, janë jashtë çdo parimi, nuk lejohet me Kushtetutën tonë dhe duhet që në dialog Kosova të jetë shtet i njohur prej 117 shteteve dhe të jetë pjesë aktive e dialogut”, tha ajo.

Anëtarja e Kryesisë së LDK-së ka kërkuar që Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti para dhe pas çdo takimi t’i raportoj Kuvendit të Kosovës.

Lidhur me refuzimin e Kurtit për tu takuar me kryeministrin serb, Aleksandër Vuçiç më 11 maj, ish diplomatja kosovare thotë se LDK nuk kërkon përshpejtim të procesit të dialogut por qasje gjithëpërfshirëse dhe me parime të caktuara nga ana e Kosovës.

Sahatqija: Kurti duhet të raportoj në Kuvend para dhe pas çdo vizite

“Transparenca duhet të jetë bazë për zhvillimin e proceseve çfarë është dialogu dhe kryeministri duhet të raportoj rregullisht para se të shkoj në vizitë dhe pasi të kthehet prej vizitave dhe të informoj Kuvendin institucionin më të lartë shtetëror për atë se çka është diskutuar. Qeveria duhet sa më parë të përgatit parimet mbi bazën e të cilave do zhvillohet dialogu, jemi të vetëdijshëm që platforma nuk mund të bëhet dhe as nuk është e udhës të bëhet derisa dialogu vazhdon por parimet bazë të cilat nuk mund të shkelen duhet të jenë ato që qeveria duhet t’i ketë përpara dhe të aprovuara nga Kuvendi i Kosovë, këtë gjë qeveria ende nuk e ka bërë dhe kjo mund të hap rrugë për spekulime dhe futje të tezave çfarë i pamë në ‘non paper’[…]LDK nuk kërkon përshpejtim edhe një kryerje do si do të dialogut, ato që LDK kërkon është qasja serioze, qasje gjithëpërfshirëse edhe qasje me parime të caktuara”, theksoi Sahatqija.

Gjatë ditës së djeshme në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti u votua propozimi i deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila i ciliishte që KOSTT-i të marrë përgjegjësinë për pagesën e rrymës së shpenzuar nga serbët në katër komunat veriore edhe për gjashtë muajt e ardhshëm dhe të mos obligohet Qeveria për këtë.

E për këtë anëtarja e Kryesisë së LDK-së, Teuta Sahatqija tha kjo e djeshmja ishte një shfaqje e zbehtë në kundërshtim me gjithë ata që është thënë më pare.

Sipas saj qytetarët votuan për ndryshim të cilin fatkeqësisht deri tani nuk është parë.

Sahatqija: Dita e djeshme një shfaqje në kundërshtim me atë që kanë thënë më parë

“Qeveria Kurti i ka kundërshtuar çdo gjë çka do që ka qenë në Kuvendin e Kosovës ata e kanë kundërshtuar dhe mendoj që pikërisht në bazë të ofertës që e ka pasur populli ia ka dhënë mundësinë dhe fuqinë politike për të bërë ndryshimet, fatkeqësisht deri më tash nuk pamë ndonjë ndryshim substancial nuk pamë ndonjë qasje aktive kjo dje ishte një shfaqje e zbehtë në kundërshtim me gjithë ata që është thënë më parë“, tha ajo.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është duke qëndruar për vizitë në Bruksel ai ka takuar përfaqësues të lartë të BE-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat