​Masakra në Studime, Osmani: Vetëm kur Serbia të gjykohet për krime, viktimat do të prehen qetësisht

Aktuale

​Masakra në Studime, Osmani: Vetëm kur Serbia të gjykohet për krime, viktimat do të prehen qetësisht

Më: 2 maj 2021 Në ora: 16:46
Foto ilustrim

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka përkujtuar 22-vjetorin e masakrës në Studime ndaj civilëve shqiptarë.

Në këtë datë të vitit 1999, për më pak se dy orë, paramilitarët, ushtarët dhe policët serbë vranë 116 shqiptarë të pambrojtur, ndër ta edhe shumë fëmijë e gra, përfshirë edhe një nënë shtatzënë.

Osmani tha se masakra ishte planifikuar qysh më herët nga forcat serbe dhe se shumë nga viktimat janë ekzekutuar nga afër me gjakftohtësi të plotë, me një plumb në kokë, të tjerë janë shpuar me bajoneta ose janë ekzekutuar me automatikë dhe se në dhjetëra raste të ekzekutuarve u janë gërvishtur në trup simbole serbe.

“Duke kujtuar viktimat dhe tmerrin e kryer ndaj tyre nga regjimi serb, ne e mbajmë të gjallë kujtimin për viktimat, dëshmojmë për historinë e dhimbshme tonën, por edhe e ritheksojmë përkushtimin tonë që të mos reshtim së kërkuari drejtësi për to, derisa ajo të vihet në vend. Vetëm atëherë ato do të prehen të qeta dhe ndërgjegjja jonë do të qetësohet. Vetëm kur drejtësia të vendosë me fuqinë e ligjit, kur shteti serb të gjykohet për krimin shtetëror dhe kur kërkim-falja të vijë nga pasardhësit e sotëm të regjimit të djeshëm të Millosheviqit, viktimat e pafajshme do të prehen qetësisht”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Ndryshe, sot janë mbushur 22 vjet nga masakra në fshatin Studime të Vushtrrisë ku mbetën të vrarë nga forcat ushtarake të Serbisë, 116 martirë, në mesin e tyre fëmijë, gra dhe pleq. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat