Kryetarët e komunave mbështesin Kastratin për reformën në arsim

Aktuale

Kryetarët e komunave mbështesin Kastratin për reformën në arsim

Më: 5 maj 2021 Në ora: 10:33
Qëndron Kastrati

Asociacioni i Komunave të Kosovës janë rreshtuar përkrah kryetarit të Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati sa i përket reformës në arsim, çështje kjo që ka nxitur debat dhe polemika mes komunës së Kamenicës dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.

Kjo pasi që Ministrja e MAShTI-it, Arbërie Nagavci ditë më parë mori edhe vendimin për të organizuar mësimin alternative të përshpejtuar për 441 nxënësit e fshatrave të Kamenicës. Për të cilin vendim Kastrati në një intervistë për KosovaPress e quajti “sjellje të papërgjegjshme dhe tendencioze”.

Ndërkohë që Asociacioni i Komunave nëpërmjet një komunikate për media thonë se po përcjellin me shqetësim ndërhyrjen e Ministrisë së Arsimit lidhur me reformën në arsimin paraunivesitar në Komunën e Kamenicës.

Këshilli i kryetarëve me këtë rast po kërkon zbatimin e Ligjor të Zyrës së Kryeministrit.

Poashtu Këshilli i Kryetarëve kërkon që Ministrja e Arsimit të ndaloj siç thuhet në komunikatë tendencat për ndërhyrje të jashtëligjshme ndaj pushtetit lokal në Republikën e Kosovës.

Komunikata e plotë e Asociacionit të Komunave të Kosovës:

KRYETARËT E KOMUNAVE PËRKRAHIN VEPRIMIN LIGJOR TË KRYETARIT QENDRON KASTRATI LIDHUR ME REFORMËN NË ARSIM NË KOMUNËN E KAMENICËS

Këshilli i Kryetarëve të Asociacionit të Komunave të Kosovës është duke përcjell më shqetësim ndërhyrjet e Ministrisë së Arsimit lidhur me reformën në arsimin parauniversitar në Komunën e Kamenicës.

Këshilli i Kryetarëve me këtë rast kërkon zbatimin e opinionit Ligjor të Zyrës së Kryeministrit i cili i jep të drejtë Kryetarit të Kamenicës në veprimet e tija që konsiderohen ligjore.

Në takimin e përbashkët me përfaqësuesit e Zyrës Ligjore të Zyrës së Kryeministrit, zyrtarët e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, kryetari i Komunës së Kamenicës z. Qendron Kastrati dhe përfaqësuesit të Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), kanë paraqitur argumentet e tyre lidhur me ndërhyrjen që Ministria e Arsimit dhe Shkencës i ka bërë komunave në kompetencat vetanake, sipas Ligjit mbi Vetëqeverisje Lokale, andaj opinioni Ligjor është kthyer në favor të Komunave dhe së shpejti presim edhe anulimin e U.A. (MASH) Nr. 104/2020 ana e Kryeministrit të Kosovës.

Siç dihet, Ministria e Arsimit dhe Shkencës në muajin shtator 2020, ka miratuar Udhëzimin Administativ nr.104/2020 për Kriteret dhe Procedurat e Themelimit dhe Pushimit të Veprimtarisë së Institucioneve të Arsimit Parauniversitar, me të cilën ka ndërhyrë në kompetencat vetanake të komunës të parapara me Kushtetutën e Kosovës dhe të rregulluara me Ligjin nr.03/L- 040 për Vetëqeverisjen Lokale.

Edhe me këtë rast, Këshilli i Kryetarëve të Komunave të Kosovës që përfaqëson gjithë pushtetin lokal në Kosovë, kërkon anulimin e menjëhershëm të këtij Udhëzimi sepse ka ndërhyrje direkte të pushtetit qendror në pushtetin lokal.

Opinioni Ligjor i Zyrës së Kryeministrit ndër të tjera thotë:

“Si përfundim, Zyra Ligjore është e mendimit se: Ministria e Arsimit dhe Shkencës, me rastin e nxjerrjes së Udhëzimit Administrativ nr.104/2020 nuk ka pasur bazë të mjaftueshme ligjore për marrjen e kompetencës për themelimin e institucioneve arsimore parauniversitare, por vetëm për caktimin e kritereve në bazë të të cilave, komunat, në ushtrimin e kompetencave vetanake, do të themelonin këto institucione. Kjo për arsye se themelimi dhe pushimi i veprimtarisë së institucioneve të arsimit parauniversitar nuk përcaktohet shprehimisht e as në mënyrë të nënkuptuar si fushë e përgjegjësisë apo si detyrë e MASH-it, qoftë me Rregulloren (QRK) – Nr.07/2020 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Rregullores (QRK) – Nr.06/2020 për Fushat e Përgjegjësisë Administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe Ministrive, apo me ligjet në fuqi”.

Andaj, Këshilli i Kryetarëve vlerëson se Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe as Ministrja Nagavci nuk ka të drejtë të ndërhyjë në kompetencat e komunës në organizimin e arsimit fillor dhe të mesëm, sepse është detyrë e komunës të organizoj sistemin arsimor sipas ligjeve në fuqi, të caktojë ku janë shkollat dhe cilët janë mësimdhënësit.

Poashtu Këshilli i Kryetarëve kërkon që Ministrja e Arsimit të ndaloj këto tendenca për ndërhyrje të jashtëligjshme ndaj pushtetit lokal në Republikën e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat