Haxhiu thotë se nuk kanë pranuar kërkesë për të dhënë garancë për të akuzuarit në Hagë

Aktuale

Haxhiu thotë se nuk kanë pranuar kërkesë për të dhënë garancë për të akuzuarit në Hagë

Më: 5 maj 2021 Në ora: 15:01
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se si qeveri deri më tash nuk kanë pranuar asnjë kërkesë për garanci për mbrojtje në liri nga pala mbrojtësve e të akuzuarve nga Gjykata Speciale në Hagë.

Ajo tha se nëse do të ketë një kërkesë të tillë nga mbrojtja padyshim që do ta shqyrtojnë, por që tha se edhe në amendamentin kushtetues nuk është juridikisht e rregulluar kjo çështje.

Haxhiu, që ishte pjesë e diskutimit “Fol Hapur” të organizuar nga Lëvizja FOL, ka folur për prioritetet dhe sfidat e saj në krye të ministrisë së Drejtësisë.

Haxhiu: Nuk kemi pasur asnjë kërkesë zyrtare nga mbrojtja për të dhënë një garancë të tillë

“Deri tani nuk kemi pasur asnjë kërkesë zyrtare nga mbrojtja e personave që po akuzohen pranë Dhomave të Specializuara për të dhënë një garancë të tillë. Ju po ashtu e dini qëndrimin që kemi pasur ne si opozitë e vazhdojmë ta kemi edhe si Qeveri në raport me Gjykatën Speciale, do të thotë kundërshtimin tonë kundrejt një padrejtësie të madhe që i është bërë historisë së Republikës së Kosovës, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sepse përmes atij amendamenti kushtetues dhe pastaj përmes ndryshimeve të tjera që janë bërë ne kemi paraqitur një pasqyrë të shtrembëruar për të vërtetën e UCK-së[...]Sa i përket garancës nëse e shohim edhe amendamentin kushtetues edhe ligjin që ka dalë pastaj, do të thotë nuk është një çështje juridike, nuk është juridikisht e rregulluar. Por, të shohim nëse do të ketë kërkesa nga mbrojtja edhe pastaj padyshim që do ta shqyrtojmë si të tillë”, tha ajo.

Sa i përket shpenzimeve për mbrojtjen e të akuzuarve nga Gjykata Speciale, Haxhiu tha se kanë bërë publike vetëm shpenzimet që janë ndarë nga ana e ministrisë dhe jo atyre që janë ndër me vendim të ish-Qeverisë Haradianj, e për të cilat tha se janë ndarë jashtëligjshëm.

Haxhiu: Janë ndarë me vendime të ish-kryeministrit Haradinaj dhe mendoj që nuk ka qenë e ligjshme

“Ne nuk kemi bërë publike shpenzimet e mëparshme për të cilat ju po flisni, për faktin se ato nuk janë ndarë nga ministria e drejtësisë, por janë ndarë me vendime të ish-kryeministrit Haradinaj. Për bindjen time ato forma se si janë ndarë ato mjete nuk ka qenë e ligjshme për faktin se Ligji që është votuar në Kuvendin e Kosovës flet për të akuzuarit potencial, persona të cilët do të thotë kanë përfituar mjete në të kaluarën nga qeveria Haradinaj nuk është e rregulluar me ligj që kanë të drejtë të përfitojnë nga ky Ligj. Por, ajo nuk ka qenë në kompetencë të Ministrisë së Drejtësisë dhe nuk kemi pasur si të ofrojmë qasje për diçka që nuk kemi vendosur vetë, prandaj për bindjen time është çështja se si mediat e adresojnë këtë çështje, por që për mua nuk kanë qenë të ligjshme”, potencoi Haxhiu.

E para e ministrisë së Drejtësisë, u shpreh se do ta shqyrtojnë si mundësi që të përcaktojnë një kufizim për shpenzimet për mbrojtjen e të akuzuarve nga Gjykata Speciale. Ajo tha se është e rëndësishme që të njëjtit të mbrohen sa më mirë, por jo edhe të abuzohet me buxhetin.

Haxhiu: Padyshim duhet të shohim mundësitë për përcaktimin e një tavani

“Sa i përket kriterit dhe kufizimit, aktualisht nuk ka një tavan për shpenzime të buxhetit, pra nuk është përcaktuar as me udhëzime dhe shqetësimi i disa zyrtarëve në Divizion është që ende pa filluar seancat po rriten kërkesat prej muajit në muaj për pagesa dhe unë nuk e di si do të përfundojë pastaj, cila është vlera më e madhe ku do të përfundojmë. Nuk ka asnjë limit. Unë besoj që është e rëndësishme që të përcaktohet megjithatë një tavan, ndonëse këtë po e them vetëm unë si ministre dhe nuk është që kam folur me kryeministrin Kurti për këtë çështje, por do ta shohim do ta bëjmë një analizë, do ta bëjmë së pari një auditim përbrenda Divizionit përkatës për mënyrën se si janë ndarë nëse jemi gjithçka në rregull, që të mos vazhdojmë tutje nëse dikush diku ka bërë ndonjë shkelje. Padyshim duhet të shohim mundësitë për përcaktimin e një tavani përndryshe nuk ka kuptim nëse një avokat thotë për muajin ta zëmë maj 100 mijë euro e një tjetër 30 mijë euro. Pa dyshim që për Kosovën është e rëndësishme që të mbrohen sa më mirë, por jo që kjo pastaj të abuzohet me buxhet, besoj që këtë as qytetarët e Kosovës nuk e duan”, tha ajo.

E pyetur rreth asaj se a ka ndonjë kompetencë Ministria e Drejtësisë në raport me Gjykatën Speciale, Haxhiu tha se nuk e kanë asnjë kompetencë në raport më të dhe se nuk marrin asnjë informacion nga e njëjta as për personat që akuzohen.

Ndërsa, çfarëdo lëvizje që do të ndërmerrnin në raport me këtë gjykatë, Haxhiu dhe se do të ishte dështim dhe goditje për Kosovën. Por, që tha se nëse do të ketë fuqizim të institucioneve vendore, ndoshta kështu bëhet e pavlefshme ose i padobishëm roli i Gjykatës Speciale.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, u shpreh se prioritete të punës së saj në krye të këtij dikasteri është përfundimi i procesit të rishikimit funksional, vetingu në drejtësi, adresimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit, adresimi i krimeve të luftës dhe adresimi i dhunës në familje.

Prioritet mbi prioritetet Haxhiu tha se e ka vetingun në sistemin e drejtësisë dhe se e shohin si çelësin e vetëm për ta rikthyer besimin e qytetarëve në institucionet e drejtësisë.

Sfidë të parë, Haxhiu, tha se e kanë se a duhet të shkohet me ndryshime kushtetuese apo ndryshime ligjore. Ajo u shpreh se nuk duhet assesi që të shkohet vetëm me një plan, por tha se duhet ta kenë edhe planin B në mënyrë që të mos ketë dështim në këtë proces.

Ajo deklaroi se do të përpiqen për të arritur një konsensus me partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës, e për këtë ajo tha se kanë ftuar në grupin punues të Ministrisë së Drejtësisë edhe një përfaqësues nga Komisioni për Legjislacion.

Haxhiu: Problemi tek ndryshimet kushtetuese mund të jetë tek dështimi eventual i tyre në Kuvend

“E di që nuk është praktikë e deritanishme që Kuvendi të marr pjesë në grupet punuese brenda qeverisë, por megjithatë kam konsideruar që ata duhet të jenë në njohuri në secilin diskutim që bëhet në fazat fillestare të këtij procesi dhe duke marrë parasysh rëndësinë e të njëjtit po besoj që është shumë e rëndësishme. Madje unë do të doja që përfaqësues nga opozita të jetë në këtë grup punues. Pra, problemi me ndryshimet kushtetuese mund të jetë tek dështimi eventual i tyre për të kaluar në Kuvend të Kosovës për faktin se ju e dini që ndryshimet kushtetuese votohen me 2/3 e deputetëve shqiptarë, por po ashtu edhe me 2/3 e përfaqësuesve të komuniteteve jo shumicë në Kosovë. Prandaj, duhet ta kemi padyshim edhe alternativën B, që në qoftë se nuk kalojnë amendamentet në të mos ndalemi dhe mos të themi dështoi vetingu edhe nuk do të ketë veting, por ta kemi edhe planin B se si mund të bëhet vetingu me ndryshime ligjore”, tha ajo.

Tutje ajo tha se prioritet do ta kenë edhe adresimin e luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Ajo tha se është shumë i domosdoshëm rishikimi i bazës ligjore kundër korrupsionit, derisa përmendi se pas votimit të koncept dokumentit për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme sot do ta themelojnë grupin punues për hartimin e projektligjit për pasurinë e pajustifikueshme.

Sa i përket kësaj, ajo tha se sfidë do të jetë mekanizmi që do ta vlerësojë pasurinë e pajustifikueshme, derisa tha se besojnë shumë që duhet të jetë një mekanizëm i veçantë, i pavarur dhe shumë profesional, mirëpo çfarëdo veprimi që do të ndërmerr mekanizmi përkatës do ta dërgojë në Gjykatë. Ajo tha se nuk do të jetë kompetencë e mekanizmit përkatës të bëjë konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, por ideja është që këtë ta bëjë Gjykata.

Prioritet tjetër u nënvizoi ta kenë edhe adresimin e krimeve të luftës, ku bëri të ditur se në mes të muajit maj do të formohet grupi punues për themelimin e Institutit për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, përmes të cilit tha se synojnë dokumentimin dhe arkivimin e krimeve të luftës.

Kurse e pyetur sa i përket dialogut Kosovë-Serbi se cilat do të jenë adresimet në fushën e drejtësisë, Haxhiu tha se shumë shpejtë do ta kenë platformën dhe strategjinë e qartë në raport me dialogun.

Haxhiu: Kërkesa jonë që është urgjente pa dyshim është çështja e të pagjeturve

“Sfida më e madhe dhe kërkesa jonë që është urgjente pa dyshim është çështja e të pagjeturve, për faktin se ju e dini se Kosova sot ka mbi 1 mijë e 600 persona të pagjetur, që Serbia ndonëse ka informacione për ta nuk e njofton Republikën e Kosovës se ku janë qytetarët tanë të cilët ende janë të pagjetur. Nuk mund të vazhdohet tutje kinse asgjë nuk ka ndodhur në të kaluarën pa i adresuar çështjet që kanë ndodhur gjatë luftës në Kosovë”, tha ajo.

Haxhiu deklaroi se prioritet i punës së saj është edhe adresimi i dhunës në familje, për çka tha se janë dy probleme që duhet të eliminohen, e para neglizhenca që ia bëjnë institucionet këtyre rasteve për shkak të mentalitetit patriarkat që ende mbizotëron në Kosovë dhe e dyta, dënimet e vogla ndaj kryerësve të cilët me ato dënime që i marrin nga Gjykatat inkurajohen për të vepruar tutje.

Sa i përket noterëve, Haxhiu tha se ka kërkuar nga Zyra Ligjore në ministri që të jap një mendim se a ka të drejtë të hap konkursin për noter derisa një lëndë është duke u trajtuar nga Gjykatat. Ajo tha se do të veprojë në përputhje me opinionin që do të marrë nga kjo zyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat