Ambasadori i Australisë pasi u lirua nga detyra: Praktikë jo e dinjitetshme në diplomaci

Aktuale

Ambasadori i Australisë pasi u lirua nga detyra: Praktikë jo e dinjitetshme në diplomaci

Më: 20 maj 2021 Në ora: 11:00
Hajdin Abazi

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka marrë vendim dje që të lirojë të gjithë të emëruarit politikë, mes tyre edhe 12 ambasadorë.

Në mesin e ambasadorëve është edhe ai i Australisë, Hajdin Abazi.

Përmes një statusi në Facebook, Abazi e ka konfirmuar se është liruar nga kjo detyrë, derisa ka thënë se një veprim i tillë “në gjysmë të mandatit, nuk është praktikë e dinjitetshme në diplomaci”.

Abazi ka thënë po ashtu se ka pasur presion nga Serbia që i njëjti të mos akreditohej kur u emërua, për shkak se ka qenë pjesëtar i UÇK-së.

“Mediat serbe dhe komuniteti serb në Australi kanë bërë presion që të mos akreditohem unë si ambassador për shkak se kam qenë pjesëtar i UÇK. Por Qeveria Australiane, megjithatë, më akreditoi – për çka i jam shumë mirënjohës këtij vendi të madh mik”, ka shkruar Abazi tutje.

Postimi i plotë:

Të dashur miq,

Ju njoftoj se sot, në ditën që bëra fiks dy vjet nga prezantimi i kredencialeve në Australi, nga Presidentja e Kosovës më erdhi Dekreti për lirimin nga detyra. Para tre muajsh, kam dorëzuar kredencialet në Zelandën e Re, dhe kam qenë duke pritur edhe dorëzimin e kredencialeve në Republikën e Fixhit dhe Ishujt Kuk.

Ka qenë një nder ta përfaqësojë Kosovën në këtë pjesë të botës, ku kuptova se sa i gabuar është trumbetimi i disa politikanëve në Kosovë se gjoja në botën perëndimore nuk i duan njerëzit e UÇK, por kjo nuk është e vërtetë. Guvernatori-Gjeneral Peter Cosgrove më 20 maj 2019 më priti me një respekt të veçantë pikërisht pse isha veteran i luftës çlirimtare të Kosovës.

Mediat serbe dhe komuniteti serb në Australi kanë bërë presion që të mos akreditohem unë si ambassador për shkak se kam qenë pjesëtar i UÇK. Por Qeveria Australiane, megjithatë, më akreditoi – për çka i jam shumë mirënjohës këtij vendi të madh mik.

Çuditërisht, dy vjet më pas, m’u sot më 20 maj 2021, Qeveria e Kosovës përcjell dekretin që më liron nga detyra e ambasadorit, pikërisht në gjysmë të mandatit, që nuk është praktikë e dinjitetshme në diplomaci!

I falënderoj për bashkëpunimin në këto dy vite shumë zyrtarë të dikastereve të MPJD, të cilët janë treguar gjithnjë të përkushtuar dhe efikas.

Kosova ka shumë sfida përpara, të cilave mund t’u dilet ballë vetëm me një politikë konstruktive, që respekton vlerat, punën, angazhimin dhe kontributin e secilit veç e veç, duke i ruajtur e çmuar ato e jo duke i konsideruar si kundërshtarë edhe kur nuk janë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat