Gërvalla thotë se s’do të ketë konsuj politik, mbi 50% e ambasadorëve do të jenë diplomatë të karrierës

Aktuale

Gërvalla thotë se s’do të ketë konsuj politik, mbi 50% e ambasadorëve do të jenë diplomatë të karrierës

Më: 25 maj 2021 Në ora: 07:58
Xhavit Haliti dhe Haki Abazi

(E plotësuar 15:24) - Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Donika Gërvalla ka thënë se me ligjin për shërbimin e jashtëm do të rishikohet prezenca e të gjitha ambasadave në botë ku do të vendoset se në cilat shtete duhet të jetë e pranishme Kosova. Në raportimin e saj para deputetëve të Komisionit për Punë të Jashtme, Gërvalla ka deklaruar se nuk do të ketë konsuj politik dhe se mbi 50% e ambasadorëve të Kosovës në botë do të jenë diplomatë të karrierës, derisa përqindja më e vogël do të jenë të emëruar politik. Para deputetëve ajo ka folur edhe për shkarkimin e ambasadorëve dhe mundësinë që konsujt politik të lirohen gjithashtu nga detyra.

Gërvalla ka thënë se do të dalin me një propozim publik lidhur me prioritetet e vendosjes së ambasadave të Kosovës në botë. Për këtë, ajo ka thënë se do të kërkojnë mendimin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Gërvalla: Ligji për shërbimin e jashtëm vë në pikëpyetje të gjitha ambasadat e Kosovës

“Prezenca në shtete të ndryshme e nevojshme apo e panevojshme, ligji për shërbimin e jashtëm do të vë në pikëpyetje të gjitha, ambasadat, konsullatat, prezencën tonë, mos prezencën, pra ne secilin shtet veç e veç do ta marrim në konsideratë, do të shikojmë në çfarë konkurrence është me shtetet e tjera ku do të duhej të ishim të pranishëm por që nuk jemi. Duke marrë parasysh edhe çështjen e kostos financiare për buxheti ne shtetit që ka secila prej përfaqësive tona ,duhet të jemi shumë të kujdesshëm në atë se ku i vendosim, apo ndoshta edhe më të kujdesshëm se ku nuk i vendosim ambasadat ose konsullatat tona”, ka thënë Gërvalla.

Ajo ka folur për emërimet e reja që do të bëhen në misionet diplomatike në botë ku ka theksuar se së paku 50% e ambasadorëve do të jenë diplomatë të karrierës.

Gërvalla: Nuk do të ketë konsuj politik në qeverinë Kurti

“Proporcioni politik dhe diplomatë të karrierës nuk do të tejkalojë në asnjë moment 50-50, do të thotë së paku, jo maksimumi, por minimum 50% e ambasadorëve tanë do të jenë diplomatë të karrierës. Konsuj politik nuk ka në qeverinë tonë, nocioni konsul politik nuk është praktikë ndërkombëtare dhe nuk do të ketë të tillë. Pra të marrim vetëm ambasadorët do të jetë së paku 50% por duke marrë në konsideratë edhe konsujt, atëherë përqindja do rëndojë shumë më tepër nga diplomatët e karrierës sesa nga diplomatët politik”, ka thënë ajo.

Gjatë raportimit para Komisionit për Punë të Jashtme, ministrja është pyetur nga deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi rreth reagimit të djeshëm që kjo ministri e ka bërë në Twitter, lidhur me ngjarjen në Bjellorusi.

Musliu-Shoshi: Pse nuk janë shkarkuar edhe konsujt e përgjithshëm politik

“Mos keni menduar të mendoni që Kosova tash me qeverinë tuaj është me e fortë sesa perëndimi i dobët dhe se ju si ministri dhe qeveri do të merrni barrën për të sfiduar Rusinë. Pyetja ime e dytë është pse nuk I shkarkuat konsujt e përgjithshëm politik”, ka pyetur Musliu-Shoshi.

Lidhur me këtë, ministrja e Jashtme ka thënë se e mbanë përgjegjësinë politike.

Gërvalla: E marr përgjegjësinë politike për reagimin në Twitter

“Ju jap plotësisht të drejtë, e marr përgjegjësinë politike për atë twit, përpjekja për të futur 270 shkronja një mesazh të komplikuar, duke lënë anash lidhëset, ka shkaktuar një tekst i cili është[...]u jap shumë të drejtë, nuk kam çfarë të zbukuroj ashtu është, e kemi marrë të njëjtin tekst e kemi zgjeruar në fjalor, i kemi futur lidhëset, e kemi marrë të njëjtin mesazh dhe mendojmë që kemi një tekst të kuptueshëm që është një mesazh të cilin kemi dashur ta përçojmë. Sa i përket saj Kosova e fortë, Kosova synon, dëshiron dhe do të jetë gjithmonë në anën e aleatëve të saj të rëndësishëm”, tha Gërvalla.

Ndërsa duke folur për shkarkimin e 13 ambasadorëve, Gërvalla ka thënë se nuk ka vepruar njëjtë edhe me konsuj politik për shkak të rrezikut që përfaqësitë e Kosovës në botë të mbesin të zbrazëta.

Gërvalla: Ambasadorët e shkarkuar do të ushtrojnë funksionin e tyre deri më 30 gusht

“Shkarkimi i 13 ambasadorëve në të njëjtën kohë dhe afati i dhënë atyre që deri më 30 gusht të ushtrojnë funksionet e tyre me qëllim që mos të krijohet një zbrazësi vakum institucional i përfaqësimit të Kosovës jashtë vendit, e pamundëson marrjen e hapave radikal me shkarkime në numër edhe më të madh. Pra, ne përpiqemi të vendosim ligjshmërinë lidhur me ekuilibrin që duhet vendosur me ambasadorët politik, ne do t’i emërojmë ambasadorët e rinj ,do të sjellim emrat e tyre në Parlament, do t’i kalojmë procedurat e nevojshme parlamentare, do të kërkojmë akreditimet e tyre dhe tek atëherë kur të jemi të sigurt që një zbrazësi e kemi mbushur do të mund të hapim zbrazëtirën tjetër”, ka thënë Gërvalla.

Ministrja e Jashtme ndër të tjera ka deklaruar se ka gjetur shkelje të mëdha në këtë institucion, me çka tha se është marrë në javët e para pas marrjes së detyrës.

Gërvalla: Në MPJD është vetëm një zonjë në departamentin e IT-së, të tjerët kanë shkuar diplomatë

“Në ministri ka pasur gradime të parregullta, në Ministrinë e Punëve të Jashtme ka pasur shkelje të kritereve jo vetëm për gradime por edhe për dërgim të personelit që shërbejnë jashtë vendit. Unë mund të ju them që në Ministrinë e Punëve të Jashtme vetëm një zonjë e kemi në departamentin e IT-së, sepse të gjithë të tjerët kanë shkuar diplomatë dhe ajo zonja kujdeset për 170 kompjuterë në ministri dhe mbi 170 të tjerë jashtë nëpër ambasada, dhe shqetësimi im kryesor në mëngjes kur vi në punë është ‘ku është Afërdita’, sepse sikur Afërdita të sëmuret ne na bie sistemi komplet”, ka thënë ajo.

Gjatë mbledhjes së komisionit pati edhe përplasje në mes mes të kryetarit dhe nënkryetarit të komisionit, e kjo erdhi pasi kryetari i komisionit, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi bëri përpjekje të ndërpresë Xhavit Halitin e PDK-së gjatë fjalimit të tij drejtuar ministres Gërvalla.

Haliti-Abazit: Nuk mund të më ndërpresh fjalën, funksioni yt është me ma dhënë fjalën

“Nuk po intervenon hiç sepse jam duke diskutuar unë. Unë jam duke folë dhe mos më ndërhyj, nuk ke të drejtë absolutisht, ti mundesh veç me e dhënë fjalën. Funksioni yt këtu është me e dhënë fjalën. Pse mos me rrehemi ne këtu, unë më shumë kam respekt për të (ministren). Nuk jam me ty në parti, nuk vi me ta bë qejfin, unë jam oponencë e qeverisë dhe unë po e kundërshtoj asgjë, unë po du me e ndihmu për çështjet nëpër të cilat kemi kaluar që 20 vjet. Ti i ke kqyr prej së largu, edhe kjo nuk ka qenë pjesë e institucioneve. Ti je marrë me atë fondacionin tënd”, ka thënë Haliti.

Abazi: Mos të tregoj me çka është marrë zoti Haliti

“Mos të tregoj me çka je marr ti zoti Haliti të lutëm. Përfundoje të lutëm fjalinë”. Ka thënë Abazi.

Haliti-Abazit: Mos u bë dyfytyrësh

“Trego, nuk po du me e përfundu por trego, mos u bë dyfytyrësh, mos le të panjohura, trego krejt. Niveli kolegial me ofendime nuk mbahet. Nuk je në proces ti, ti i ke menaxhuar paratë e fondit të atij Rocfellerit, ty të ka pagu dikush , nuk ke qenë në pozita të Kosovës. Hajde i çelim bashkë këtu. Mos më ndërhyj sepse nuk ke të drejtë askund me më ndërhy në fjalë. Nuk ke ti më mësu asgjë, nuk je mësuesi im, je këtu me ma dhënë fjalën”, ka thënë Haliti.

Abazi-Haliti: Ty të ka paguar Vendlindja thërret

“Edhe ty të ka paguar Vendlindja thërret. Zoti Haliti përfundoje”, ka shtuar Abazi.

Në këtë mbledhje të komisionit, ministrja Gërvalla ka folur edhe për çështjen e vizave për kosovarët, për çka ka thënë se nuk do të lënë gur pa lëvizur e kontakt pa shfrytëzuar në mënyrë që binden vendet skeptike për dhënien e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Ndërsa rreth dialogut me Serbinë, ajo ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk do t’i ikë normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, meqë siç ka deklaruar aj, Kosova i ka të gjitha argumentet në anën e saj.

Pjesa e fundit e raportimit te Gërvallës në komisionin për Punë të Jashtme është mbajtur pa praninë e mediave, për siç është thënë, shkaku i ndjeshmërisë së disa temave për te cilat raporton ministrja.

***

Gërvalla-Shalës për pyetjen për Asociacionin me komuna serbe: A jeni me ne apo me arushën

Deputeti i LDK-së, Kujtim Shala e ka pyetur ministren Gërvalla lidhur me kërkesën e vendeve të QUINT-it dhe OSBE-së për regjistrimin e pronave rreth Manastirit të Deçanit sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

“Qeveria nuk ka dhënë përgjigje. Ka dy deklarime publike që mendoj se e kanë nxitur këtë reagim. Qeveria, a do t’i regjistrojë këto prona?”, ka pyetur ai.

Shala e ka pyetur ministren edhe për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe dhe tentimin e Serbisë për ta diskutuar ketë çështje.

Gërvalla ka thënë se nuk i ikë kësaj teme por gjithashtu nuk donë të shpalosë çdo detaj.

“Kur flisni me lehtësi për pronat e Manastirit, pikat e marrëveshjes se asociacionit, them këta njerëz a janë me ne apo me arushën. Nuk i iki kësaj bisede por një e tillë në këtë proces të normalizimit, nuk po e refuzoj pyetjen tuaj, por njeriu nuk i hedh të gjitha gjërat në tavolinë. Nuk do të doja të shpalosja çdo detaj”, ka thënë ajo.

Raportimi i ministres Gërvalla është duke vazhduar me dyer të mbyllura, pasi kryetari i komisionit, Haki Abazi ka kërkuar largimin e mediave. Sipas tij, kjo për shkak të disa çështjeve të ndjeshme tha se do t’i raportojë Gërvalla para deputetëve.

 

​​Raportimi i Gërvallës vazhdon pa praninë e mediave

Komisioni për Punë të Jashtme, ku po raporton ministrja Donika Gërvalla po vijon me dyer të mbyllura.

Kjo për shkak siç deklaroi Ministrja dhe Kryetari i komisionit, “janë disa çështje të ndjeshme që nuk mund të diskutohen në praninë e mediave”.

Gjatë raportimit pati kritika të ashpra ndaj ministres Gërvalla për komunikimin në Twiter.

***

Gërvalla e Haliti përplasen në komision për Lëvizjen Vetëvendosje

Në Komisionin Parlamentar për Punë të Jashtme, kryediplomatja Donika Gërvalla i ka thënë deputetit të PDK-së, Xhavit Haliti se Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurti nuk është pengesë për liberalizimin e vizave nga ana e Bashkimit Evropian për Kosovën.

Gërvallla tha se deklarata paraprake e Halitit në komision nuk është e vërtetë. Por aty ka ndërhyrë Haliti duke e korrigjuar.

“Pa pasë nevojë t’i bëjmë avokat askujt, një rast specifik… Thatë që Lëvizja Vetëvendosje është pengesë për liberlazim të vizave dhe ajo nuk është e vërtetë”, tha Gërvalla.

“Ka qenë, thashë, ka qenë”, ndërhyri Haliti.

Gërvalla tha se ka pasur mbi 40 biseda me zyrtarë evropianë lidhur me çështjen e liberalizimit të vizave.

“Unë përmenda më shumë se 40 biseda që i kam pasë rreth liberalizimit të vizave”, tha Gërvalla.

Aty Haliti e pyeti Gërvallën se “Sa kanë zgjatur këto biseda?”.

“Kanë zgjatur më shumë se nga një orë. S’ka rëndësi fare. Unë ua japë përshtypjen time që e kam krijuar gjatë bisedave”, u përgjigj kryediplomatja.

“Mendoj që kaq respekt duhet të kemi sa të themi se nuk është përmendur asnjëherë. Vërtetë s’është përmendur asnjëherë”, shtoi ajo.

Përplasen keq Xhavit Haliti e Haki Abazi

Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Haki Abazi është përplasu në komision me deputetin e PDK-së, Xhavit Haliti rreth minutave për fjalim e që ka eskaluar me akuza dhe kundër akuza ndaj njëri-tjetrit lidhur me fondacionet Rockfeller dhe Vendlindja Thërret.

Abazi ka kërkuar nga Haliti që ta përfundojë fjalën e tij, e që më deputeti i PDK-së ka reaguar duke ia fikur mikrofonin, Abazit.

 “S’ki drejtë me ma ndalë fjalën, funksioni yt është me dhënë fjalën, dhe kur e përfundoj është çështje e imja. Unë kam më shumë respekt për të se për ty. Nuk vi me ta bë qëfin ty, unë jam oponencë e qeverisë dhe nuk po e kundërshtoj asgjë, po du me e ndihmu. Ti i ke kqyrë prej së jashti”, tha Haliti.

Abazi i ka kërkuar Halitit që të përfundojë fjalinë.

“Rezervohu prej komenteve, dhe përfundoje fjalinë. Është ofendim kur tenton me i qitë njerëzit në pozita të keqe”, tha Abazi.

Haliti pastaj i tha Abazit që ke udhëheqë fondacione që i ke vjedhur si ai Rockfeller.

“Mos u bën dyftyrësh, trego krejt, ti i ke menaxhu fondet e Rockfeller-it, ty të ka pagu dikush s’ke qenë në pozita udhëheqëse në Kosovë.Ti i ke udhëheqë fondacionet të cilat i ke vjedhë. S’ki ti mu me mësu kurgjo”, i ka thënë Haliti.

Kurse Abazi në kundër përgjigje i ka përmendur fondin Vendlindja Thërret, deputetit Haliti.

“Edhe ty të kanë pagu Vendlindja Thërret me qindra mijëra euro”, i ka thënë Abazi.

Abazi pyet Gërvallen se a do të bëhet rishikimi i prezencës së Kosovës në shtetet e botës

Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, Haki Abazi ka pyetur ministren e Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz se a do të bëhet rishikimi i prezencës së Kosovës në shtetet e botës, dhe me cilat kritere.

Për çka ministrja Gërvalla-Schwarz tha se shkak i kostove financiare duhet të bëhet kujdes se ku i vendosin më shumë dhe ku nuk i vendosin ambasadat e konsullatat.

“Ligji për shërbimin e jashtëm do të vë në pikëpyetje të gjitha, ambasadat e konsullatat, prezencën e mos prezencën e Kosovë në botë. Duke marrë parasysh edhe koston financiare për shtetin e Kosovës duhet të jemi të kujdesshëm ku i vendosim dhe më shumë se ku nuk i vendosim ambasadat e konsullatat. Së shpejti do të dalim me propozim publik, listë të qartë që do ta paraqesim për diskutim para jush dhe në Kuvend, se ku janë prioritetet për vendosjen e ambasadave tona. Natyrisht që disa prej ambasadave nuk diskutohen”, ka thënë Gërvalla para Komisionit për Punë të Jashtme.

Ministrja Gërvalla: Jemi duke e rishikuar demarkacionin me Malin e Zi

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka raportuar sot para deputetëve në Komisionin për Punë të Jashtme dhe Diasporë.

E pyetur për çështjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, Gërvalla ka thënë se kjo çështje është duke u rishikuar.

“Ekziston mirëkuptimi me Malin e Zi dhe është vetëm çështje formale pjesa e ratifikimit nga ana jonë. E kemi në rishikim që të shohim të gjitha rrethanat dhe jo vetëm përmbajtjen por të gjitha rrethanat anësore”, ka thënë Gërvalla.

Kujtojmë se Lëvizja Vetëvendosje e kishte kundërshtuar demarkacionin me Malin e Zi gjatë kohës sa ishte në opozitë.

Tweet-i i MPJ-së, Gërvalla tregon arsyen pse gabuan

Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu Shoshi ka pyetur ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla rreth një cicërime në Twitter që Ministria e Punëve të Jashtme ka bërë, me gabime të mëdha dhe pa kuptim në gjuhën angleze, e që ka shkaktuar reagime të mëdha mbrëmë.

Shoshi në Komisionin për Punë të Jashtme e ka pyetur kryediplomaten nëse kanë menduar që Kosova me qeverinë Kurti është më e fortë se shtetet perëndimore.

“Mos keni filluar të mendoni se Kosova me qeverinë tuaj është më e fortë se perëndimi i dobët, dhe do ta merrni barrën për ta sfiduar Rusinë. Diplomacia digjitale duhet të ruhet”, tha Shoshi.

Ministrja Gërvalla tha se e merr përgjegjësinë për atë cicërimë, pasi janë përpjekur që me 270 shkronja ta shkruajnë një tekst dhe kanë gabuar.

“E marr përgjegjësinë politike për atë Tweet, përpjekja për të futur në 270 shkronja , ka shkaktuar një tekst pa lidhëse pra e marr përgjegjësinë, e kemi marrë të njëjtin tekst dhe e kemi shtuar lidhësat që kanë munguar dhe mendoj se e kemi kuptuar dhe në të ardhmën të mos ndodh asnjëherë. Ju siguroj që 6 apo 8 sy shikojnë më shumë se 2 sy, diplomacia dixhitale ka rëndësi të madhe keni të drejt, rreth kësaj teme”, tha Gërvalla.

Zëvendëskryeministrja shtoi se me atë tweet nuk kanë dashur të tregojnë që perëndimi është i dobët.

“Kosova synon, dëshiron dhe do të jetë në anën e aleatëve të saj të rëndësishëm në çfarëdo faze, në atë Tweet nuk shkruar që perëndimi është i dobët, por që Rusia mendon se perëndimi është i dobët, ai mesazh dëshiron të tregojë se qëndron fort krah aleatëve të saj. Në këtë qeveri ka një sërë”, u shpreh Gërvalla.

***

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka deklaruar se në Qeverinë Kurti 2, në të cilën ajo drejton diplomacinë e jashtme, nuk do të ketë konsuj politikë.

Ajo tha se do të përqëndrohen më shumë në diplomatët e karrierës.

”Proporcioni politik, me diplomatë të karrierës nuk do ta tejkalojë 50/50. Minimuni 50% e ambasdorëve tanë do jenë diplomatë të karrierës. Konsuj politik, nuk ka në Qeverinë tonë. Nocioni ”Konsull Politik” nuk është praktikë ndërkombëtare dhe nuk do të ketë të tillë. Do të marrim vetëm Ambasadorët. Duke marrë në konsideratë edhe konsujt, atëherë përqindja do të rëndojë më shumë në diplomatët e karrierës sësa në ata politik”.

”Çështja e atashejve kulturorë – Nuk kemi një zgjidhje standarde për secilin vend. Kemi shtete për të cilat nuk kemi nevojë për atashe kulturorë. Secili prej diplomatëve do të jetë i përgatitur si diplomat edhe i ekonomisë së vendit por edhe i kulturës së vendit”.

”Do të kërkojmë zgjidhje individuale duke marrë parasysh vetëm specifikat e atij vendi. Do të përpiqemi që të gjithë personelin diplomatik që e kemi, ta kemi më të përgatitur. Kjo do të jetë një shtrirje më e gjerë”.

Gërvalla: Projektligji për shërbimin e jashtëm, i rëndësishëm dhe i domosdoshëm

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla është duke raportuar sot para deputetëve në Komisionin për Punë të Jashtme.

Gërvalla në fjalën hyrëse ka paraqitur planin e punës të ministrisë që ajo udhëheq.

Gërvalla ka theksuar se një nga projektligjet e shumta që ka hartuar kjo ministri është edhe projektligji për shërbimin e jashtëm.

Ministrja ka theksuar se ky projektligj është i rëndësishëm dhe i domosdoshëm.

“Është hap i rëndësishëm dhe i domosdoshëm për avancim të mëtejmë të shërbimit të jashtëm. Me hartimin e këtij projektligji do të bëhen reforma lidhur me shërbimin e jashtëm të Kosovës”, tha Gërvalla.

Ajo shtoi se ky projektligj mundëson krijimin e një shërbimi të jashtëm profesional.

“Projektligji përcakton edhe ndryshimet thelbësore në strukturën e brendshme organizative të MPJD-së. Ky ligj mundëson krijimin e një shërbimi të jashtëm profesional…”, u shpreh Gërvalla.

Gërvalla theksoi se afati i paraparë për dërgim dhe miratim në qeveri të këtij projektligji është 20 shtatori 2021.

***

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz do të raportoj sot para deputetëve të Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë.

Ministrja Gërvalla-Schwarz do të raportoj lidhur me planin legjislativ të ministrisë që ajo drejton.

Po ashtu ministrja do të raportoj edhe për prioritetet e saj.

Komisioni ku pritet të raportoj Gërvalla-Schwarz do të mblidhet në ora 10:00.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat