Reciprociteti i qeverisë Kurti – dikur prioritet, tash rezervë

Aktuale

Reciprociteti i qeverisë Kurti – dikur prioritet, tash rezervë

Më: 25 maj 2021 Në ora: 20:34
Albin Kurti

Reciprociteti me Serbinë, njëherë për njëherë nuk është në horizont.

Qeveria Kurti II këtë masë nuk po e sheh si veprim të parë, që mund ta përdorë pa i shfrytëzuar disa mekanizma të tjerë, ndryshe nga mandati i parë.

Këtë e tha vetë ministrja e Tregtisë, Rozeta Hajdari, në një fjalim para biznesmenëve, të martën.

“Nuk kam dashur të sjell masat e reciprocitetit me asnjë shtet fqinj. Kam dashur t’i zgjidhë problemet përmes mekanizmave rajonalë duke filluar nga CEFTA, RCC dhe mekanizmat tjerë evropianë që mund të na ndihmojnë për zhvillim”, u shpreh ajo.

Qëndrimi i ri është ndryshe dhe i kundërt më atë të një vitit më parë, të Hajdarit, që si ministre e Ekonomisë pati vendosur, në pajtueshmëri të kryeministrit Kurti, aplikimin gradual të masave të reciprocitetit me Serbinë.

Më 31 mars 2020, Hajdari vlerësonte se Kosova nuk ka përfituar nga marrëveshjet ekonomike në rajon.

“Kosova nuk ka përfituar nga marrëveshjet e tregtisë së lirë, CEFTA, dhe mekanizmat e saj për zgjidhje të mosmarrëveshjeve. Kosova nuk ka vënë barriera ndaj Serbisë dhe Bosnjës, ndërkohë që pëson humbje të mëdha nga barrierat e mëdha që pëson”, thoshte ajo.

Për këtë masë, Kurti madje akuzonte opozitën se po e shkarkojnë me mocion mosbesimi në Kuvend.

Efekt. “Trysnia nuk është për taksë, por për t’u hequr reciprociteti”, tha ai në fjalimin e tij para deputetëve, më 25 mars 2020.

Frymën opozitare në mbrojtje të reciprocitetit, Rozeta Hajdari e vazhdoi në rrjete sociale, kur Avdullah Hoti si kryeministër e hoqi tërësisht këtë vendim të paraardhësit të tij.

“Pa reciprocitet s’mund të ketë barazi. Pa barazi s’mund të ketë liri. Pa liri s’mund të ketë zhvillim, as mirëqenie e as dinjitet për qytetarët”, ka shkruar Hajdari në Facebook, më 6 qershor 2020.

Por shefi i saj, Albin Kurti, pohoi se e ka në mendje ta rikthejë atë shpejt, kur u pyet gjatë fushatës zgjedhore të shkurtit, duke thënë se vendosja e reciprocitetit, pasi të vijë në pushtet, është çështje ditësh apo javësh.

E kur erdhi në pushtet, zëdhënësi i tij, Përparim Kryeziu, dha shenja se reciprociteti do të rijetësohet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat