Pranon fajësinë e akuzuara që më 2007 kishte tentuar t’i dërgojë në SHBA dy fëmijë, me pasaporta të fëmijëve të shoqes së saj

Aktuale

Pranon fajësinë e akuzuara që më 2007 kishte tentuar t’i dërgojë në SHBA dy fëmijë, me pasaporta të fëmijëve të shoqes së saj

Më: 27 maj 2021 Në ora: 15:01
Gjykata Themelore në Prishtinë

E akuzuara për kontrabandim me migrantë, Selvije Tahiri e ka pranuar fajësinë në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Tahiri akuzohet se në vitin 2007, nga Aeroporti i Prishtinës kishte tentuar t’i dërgojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dy fëmijë nga Shqipëria të cilët i kishte prezantuar si të saj dhe të cilët i kishte prezantuar me pasaporta të fëmijëve tjerë.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Javorka Prlincevic, e akuzuara Tahiri e ka pranuar fajësinë për veprën penale me të cilën ngarkohet, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Po, ndjehem fajtore”, deklaroi Tahiri.

Pranimi i fajësisë nga e akuzuara u mbështet edhe nga mbrojtësi i saj, avokati Ahmet Tahiri.

“E mbrojtura ime e ka kuptuar aktakuzën, pranimi i fajësisë është bërë konform shkresave dhe provave të lëndës dhe ftoj gjykatën që të njëjtën ta pranojë”, deklaroi avokati Ahmet Tahiri.

Edhe prokurorja Prlincevic u pajtua me pranimin e fajësisë, sepse sipas saj, pranimi i fajësisë nga e akuzuara është bërë në mënyrë vullnetare dhe në pajtim me ligjin.

Ky pranim i fajësisë u aprovua pastaj edhe nga gjykata.

“Pasi që e akuzuara e pranon fajësinë, gjykata nuk do të administrojë provat e propozuara nga palët por do të vazhdojë me fjalën përfundimtare”, deklaroi kryetarja e trupit gjykues, Medije Bytyqi.

Mbrojtësi i të akuzuarës i propozoi gjykatës që gjatë matjes së dënimit t’i ketë parasysh rrethanat lehtësuese si pranimi i fajësisë dhe fakti se ka kaluar një kohë e gjatë që nga kryerja e kësaj vepre penale.

Po ashtu, ai tha se e mbrojtura e tij nuk e ka kryer veprën penale për të krijuar pasuri materiale por për të ndihmuar një familje të ndarë.

Për këtë arsye, ai kërkoi nga gjykata që ndaj të akuzuarës të shqiptohet një dënim i kushtëzuar, me të cilën sipas tij, do të arrihet efekti i dënimit.

Shpallja e aktgjykimit për këtë rast do të bëhet më 28 maj 2021, në ora 8:45.

Ndryshe, Gjykata e Qarkut në Prishtinë, në mars të vitit 2008, kishte marr aktgjykim dënues ndaj të akuzuarës Tahiri, e cila ishte dënuar me një vit burgim.

Mirëpo, e pakënaqur me aktgjykimin e Gjykatës së Qarkut kishte mbetur e akuzuara Tahiri, e cila me ankesë i ishte drejtuar Gjykatës Supreme.

Gjykata Supreme, më 19 maj 2009, kishte marrë aktvendim që të anulohet aktgjykimi i Gjykatës së Qarkut dhe çështja t’i kthehet të njëjtës gjykatë në rigjykim.

Për shkak se e akuzuara për një kohë ishte në arrati, rigjykimi ka mundur të nis vetëm tani.

Sipas aktakuzës së ngritur më 25 shkurt 2008 nga prokurorja Laura Pula,  Tahiri po akuzohet se më 22 nëntor 2007, rreth orës 12:30, në Aeroportin e Prishtinës, fillimisht kishte siguruar pasaportat suedeze të fëmijëve A.B dhe K.B dhe atë nga shoqja e saj Fikrije Bahtiri, e cila është ëma e fëmijëve.

Pasi e akuzuara ka ardhur në Kosovë, gjyshërit e H.F i lindur në vitin 1995 dhe Xh.F e lindur në vitin 2000, që të dy nga Laçi, Republika e Shqipërisë, i kishin sjellë fëmijët H.F dhe Xh.F në Vërbnicë.

Për të njëjtit fëmijë që ishin sjellë nga gjyshërit e tyre në Vërbenicë, e pandehura ishte dakorduar me prindërit e fëmijëve që t’i dërgojë ata në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku gjendeshin edhe prindërit.

Sipas aktakuzës, me rastin e kalimit në pikën kufitare në Aeroportin e Prishtinës, e akuzuara i ka prezantuar fëmijët H.F dhe Xh.F si fëmijë të saj ndërsa si pasaporta të tyre i kishte prezantuar pasaportat suedeze të fëmijëve tjerë. Duke vepruar në këtë mënyrë, ajo kishte kaluar kontrollin e pasaportave, porse, në pritje për fluturim ishte zbuluar nga policia kufitare.

Krejt këtë, sipas aktakuzës, Tahiri e kishte bërë me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore e në mënyrë të kundërligjshme.

Më këtë, Tahiri akuzohet se ka kryer veprën penale “Kontrabandimi me migrantë” nga neni 138, paragrafi 1 i KPPK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat