Stërvitja në “Defender European 21”, Kurti: FSK-ja është e gatshme për të mbrojtur sovranitetin dhe territorin e vendit

Aktuale

Stërvitja në “Defender European 21”, Kurti: FSK-ja është e gatshme për të mbrojtur sovranitetin dhe territorin e vendit

Më: 28 maj 2021 Në ora: 10:44

(E plotësuar 14:51) - Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se suksesi i FSK-së në stërvitjet që po mbahen me ushtrinë amerikane, është rikonfirmim i një aleance të fuqishme në mes të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që sipas Osmanit është e fortë si guri. Pasi u është adresuar ushtarëve që janë pjesë e stërvitjes “Defender Europe 21”, komandantja supreme ka thënë para mediave se Kosova edhe njëherë e ka bërë të qartë orientimin strategjik drejt integrimeve euroatlantike.

E para e shtetit në kampin e FSK-së në Deve të Gjakovës, është shprehur krenare me pjesëtarët e Forcës.

Osmani: Themelet e Kosovës qëndrojnë të forta dhe nuk ka kush që i lëkundë ato

“Dita e sotme është rikonfirmim i një aleance të fortë sa guri, një aleancë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ne së bashku me shumë vende të tjera e rikonfirmuam sot orientimin tonë strategjik, e rinkofirmuam sot rrugën tonë të përbashkët përpara drejt integrimeve euroatlantike, rikonfirmuam sot se gjaku i derdhur për këtë vend nuk ka shkuar huq. Me suksesin e jashtëzakonshëm të ushtarakëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, ushtrisë sonë e cila është ndërtuar me shumë mund, u konfirmua sot se themelet e Kosovës qëndrojnë të forta dhe nuk ka kush që i lëkundë ato”, ka thënë Osmani.

Presidentja e Kosovës ka falënderuar aleatin kryesor, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ka kujtuar kontributin e tyre 22 vjet më parë në çlirimin e Kosovës nga policia e ushtria serbe.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se nënoficerët e oficerët e FSK-së dëshmuan aftësitë e tyre për gatishmëri në mbrojtje të sovranitetit dhe territorit të Republikës së Kosovës.

Ai ka thënë se ushtria e Kosovës nuk ngel prapa ushtrive që tashmë janë pjesë e NATO-s.

Kurti: FSK e ka perspektiven e sigurtë

“Me FSK-në shteti i Kosovës, republika jonë është shumë e fuqishme në njërën anë dhe anën tjetër e ka perspektiven e siguritë. Ne e dimë prej nga vimë, e dimë edhe kudo të shkojmë, pra vimë prej përpjekjeve tona të shekullit 20 për liri, pavarësi e bashkim që kulmuan me luftën çlirimtarë, me UÇK-në, dhe në anën tjetër e dimë se ku do të shkojmë, do të shkojmë në aleancën më të madhe ushtarake që e njeh historia, e njerëzimit e kjo është NATO. Pra me ketë gatishmëri dhe aftësi, me këtë që e dimë nga vimë dhe e dimë se ku do të shkojmë edhe do të jemi të sigurt e të mbrojtur mirë por gjithashtu edhe do të kontribuojmë në paqen e sigurinë afatgjate të kontinentit tonë e globit në përgjithësi”, ka thënë Kurti.

Forca e Sigurisë së Kosovës nga 17 maji, po zhvillon operacione luftarake në kuadër të stërvitjes “Defender Europe 21”, që është ushtrimi më i madh i ushtrisë amerikane që prej Luftës së Dytë Botërore.

Kosova sivjet është në mesin e 16 shteteve pritëse të kësaj stërvitje prej së cilës pret të dalë e validuar me kapacitetet e këmbësorisë në operacionet mbrojtëse, sulmuese dhe për operacionet e stabilitetit të nivelit të kompanisë

***

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ushtrimi i Forcës së Ushtrisë së Kosovës “Defender European 21” e dëshmon qartë synimin e ushtrisë për një një ambient të sigurt dhe paqësor në Evropë dhe më gjerë.

“Veçantia e këtij ushtrimi lidhet me faktin se SHBA-të i dhanë besimin vendit tonë dhe FSK-së për herë të parë, të mirëpres një pjesë të këtij ushtrimi në territorin tonë. Pjesëmarrja e FSK-së në këtë ushtrim dëshmon qartë synimin e ushtrisë për një ambient të sigurt dhe paqësor në Evropë dhe më gjerë”.

“Profesionalizmi i juaj në këtë operacion vërteton se FSK-ja është e vullnetshme, e gatshme e aftë për të ndihmuar dhe kontribuar për sigurinë kontinentale dhe globale. Ju ushtarakë gjatë këtij ushtrimi keni shtyrë kufijtë e juaj më të skajshëm, ju ua dëshmoni qytetarëve se forca jonë është e gatshme për të mbrojtur sovranitetin dhe territorin e vendit tonë dhe çdo ditë me shumë është duke arritur standardet që duhet për t’u bërë pjesë e strukturave euro-atlantike”, ka thënë Kurti.

Image

Osmani: Forcat tona të armatosura janë sinonim i shtetësisë sonë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është shprehur e lumtur për Forcën e Sigurisë së Kosovës e cila po merr pjesë në ushtrimin ushtarak “Defender Europe 21”, që këtë herë mbahet edhe në Kosovë.

Image

“Kështu dua t’ju shpreh gëzimin e pamasë kur po shoh të jetësuar ëndrrën e secilit ushtarak dhe qytetar që kanë pritur që ta shohin ushtrinë e vendit të tyre krah aleatëve tanë strategjikë”, është shprehur Osmani, duke iu drejtuar ushtrisë si Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës.

“Ngritja e kapaciteteve dhe standardizimi dhe modernizimi i ushtrisë sot po merr vulën e përkrahjes nga partnerët tanë strategjikë. FSK është sinonim i shtetësisë sonë, mbrojtjes së sovranitetit dhe paprekshmërisë së territorit.

Osmani si Komandante Supreme e FSK-së, ka ftuar ushtarët që për aleancën me ushtritë më të fuqishme të botës t’u flasin edhe fëmijëve të tyre.

“Shpreh falënderim ndaj ushtrive të vendeve mike, vençarisht ushtrisë amerikane. Të dashur oficer të forcave tona të armatosura, 22 vjet më parë gra e burra të udhëhequr nga ideali për lirinë u rreshtuan drejt UÇK-së për ta fituar lirinë. 22 vjet më parë ne bijat dhe bijtë e tyre të veshur me idealin e sigurimit të paqes i kemi lidhur qëllimet tona me SHBA. Si vend e si komb e kemi pasur qëllim mbrojtjen e atdheut tonë dhe lirisë sonë dhe respektimin e lirisë së të tjerëve”.

“Ruani miqësitë me botën e lirë dhe thellojini përditë ato. Flituni bijëve dhe bijave për aleancën me miqtë tanë”.

Osmani e Kurti njoftohen me aktivitetet e FSK-së në stërvitjen “Defender Europe 21”

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti po qëndrojnë në Aeroportin e Gjakovës, ku po njoftohen prej afër me aktivitetet e Forcës së Sigurisë së Kosovës në kuadër të stërvitjes “Defender Europe 21”, ushtrimi më i madh i ushtrisë amerikane që sivjet po mbahet edhe në Republikën e Kosovës.

Krerët e institucioneve gjithashtu do t’u adresohen sot ushtarëve në kampin ushtarak, ku prej 10 ditësh po qëndrojnë pjesëtarët e Forcës që janë pjesë e “Defender Europe 21”.

Operacionet e FSK-së në kuadër të kësaj stërvitje kanë filluar prej 17 majit dhe po zhvillohen në operacione në Devë e Babaj të Bokës, në Gjakovë.

Image
Osmani e Kurti njoftohen me aktivitetet e FSK-së në stërvitjen “Defender Europe 21”

Janë 339 pjesëtarë të Forcës të përfshirë në “Defender Europe 21”.

Image
Osmani e Kurti njoftohen me aktivitetet e FSK-së në stërvitjen “Defender Europe 21”

Objektivi kryesor i komandantit të FSK-së për këtë ushtrim është validimi i kapaciteteve të këmbësorisë në operacionet mbrojtëse, sulmuese dhe për operacionet e stabilitetit të nivelit të kompanisë.

Ushtrimi më i madh ushtarak i Shteteve të Bashkuara të Amerikës që nga Lufta e Dytë Botërore, i cili sivjet e ka përfshirë edhe Kosovën, sot e ka ditën kryesore derisa më 3 qershor do të përfundojë ridislokimi i pjesëtarët të Forcës nëpër kazermat e përhershme në Kosovë.

Image
Osmani e Kurti njoftohen me aktivitetet e FSK-së në stërvitjen “Defender Europe 21”
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat