Ministri Vitia tregon arsyet e mungesës së insulinave

Aktuale

Ministri Vitia tregon arsyet e mungesës së insulinave

Më: 3 qershor 2021 Në ora: 17:55
Arben Vitia

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu e ka pyetur ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, për mungesën e insulinave dhe nëse do të kompensohen qytetarët që janë detyruar të blejnë ato.

Haxhiu ka thënë se MSH-ja nuk ka kontratë për furnizim të insulinave.

E ministri Vitia ka treguar arsyet prapa mungesës së insulinave.

“Keni të drejtë dhe në lidhje me çështjen insulinës dua të njoftojë. MSH-ja momentalisht posedon kontratë për insulinë analoge me veprim të gjatë dhe është duke furnizuar institucionet e nivelit parësor shëndetësor. Inicimi i procedurës për kontraktim të insulinave, ka filluar në tetor të vitit 2020, procedura ka filluar diku nga fundi i vitit të kaluar. Fatkeqësisht procedura ende nuk është përfunduar. MSH-ja e ka pasur të pamundur të fillojnë procedurat për kontraktim të të njëjtit produkt në kohë të njëjtë. Në njoftimin e departamentit të prokurimit më 12.05.2021 se ka përfunduar procesi i vlerësimit dhe lënda është proceduar, MSh-ja menjëherë ka kërkuar inicimin e procedurës së kontraktimit të insulinave për katër muaj. Është në proces dhe presim shpejt të kontraktohet sasia për katër muaj që e konsiderojmë të mjaftueshme deri në përfundim të procedurës së lartëcekur. MSH-ja ka siguruar të dhënat gjatë muajit të kaluar për përdoruesit e insulinës dhe janë 15.818”, ka thënë Vitia.

Ai ka treguar se më 1 qershor është pranuar ekspertiza nga OSHP-ja dhe lënda është kthyer në rivlerësim, duke cekur edhe disa prej arsyeve.

E Haxhiu në anën tjetër e ka pyetur sërish ministrin Vitia nëse do të kompensohen qytetarët dhe ka thënë se arsyeja që OSHP-ja ka kthyer në rivlerësim është se MSH-ja ka rekomanduar për blerje të insulinës kompaninë që ka ofertuar çmim 400 mijë euro më të shtrenjtë se ofertuesi i dytë. Dhe se shkaku i dallavereve në MSH qytetarët detyrohen të blejnë insulina.

“Kompensimi sipas ligjit është i pamundur. Për këtë aktivitet të prokurimit dhe shumë aktivitete tjera që pretendoni se ka pasur dallavere, është njoftuar Policia dhe ka iniciuar hetimet e shpresojmë dhe besojmë shumë shpejt do të merren masat adekuate ndaj personave që janë përfshirë në këtë proces”, ka thënë Vitia.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat