E pranon se kishte poseduar një pistoletë me gaz, dënohet me 350 euro nga gjykata

Aktuale

E pranon se kishte poseduar një pistoletë me gaz, dënohet me 350 euro nga gjykata

Më: 3 qershor 2021 Në ora: 21:00
Seanca

Gjykata Themelore në Prishtinë, të enjten e ka dënuar me 350 euro gjobë të akuzuarin për armëmbajtje pa leje, Fatbardh Hyseni.

Aktgjykimi ndaj tij është shpallur nga gjykatësja Alltën Murseli, pasi që paraprakisht, Hyseni e pranoi fajësinë për veprën penale me të cilën ngarkohej nga prokuroria. Atij iu konfiskua edhe pistoleta me gaz për të cilën akuzohej, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Po, e pranoj. Më vjen keq që e kom majt por nuk do t’përsëritet ma”, ishte deklarimi i Hysenit pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Ikramije Bojaxhiu.

Para shpalljes së aktgjykimit, mbrojtësi i Hysenit, avokati Asdren Hoxha kërkoi nga gjykata që me rastin e matjes së llojit dhe lartësisë së dënimit, të mbrojturit të tij t’i shqiptohet dënim i përballueshëm me gjobë.

Këtë kërkesë, avokati e arsyetoi duke thënë se i mbrojturi i tij nuk ka qenë i dënuar më parë, ka pranuar fajësinë dhe është në moshë relativisht të re.

Edhe prokurorja i propozoi gjykatës që të aprovon pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit.

“I propozoj gjykatës që ta pranojë pranimin e fajësisë meqenëse pranimi ka ndodh pas konsultimeve me mbrojtësin e tij dhe i mbështetur në fakte dhe prova që përmban kjo aktakuzë”, deklaroi prokurorja Bojaxhiu.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të përpiluar më 26 prill 2021, Hyseni akuzohej se më 3 shkurt 2021, rreth orës 17:55, në Fushë-Kosovë, përkatësisht në katin e dytë të shtëpisë së tij, gjatë një bastisje nga Policia i ishte gjetur një pistoletë me gaz e tipit ECO 1910 e kalibrit 8mm.

Në aktakuzë thuhet se pistoleta ishte gjetur së bashku me një karikator dhe 5 fishekë me gaz të po të njëjtit kalibër. Edhe pistoletën edhe karikatorin, sipas prokurorisë, Hyseni i kishte mbajtur në kundërshtim më ligjin për armët.

Për këtë, ai akuzohej se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 374, paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat