​Hoxhaj: Falë NATO-së dhe dëshmorëve të UÇK-së Kosova frymon e lirë

Aktuale

​Hoxhaj: Falë NATO-së dhe dëshmorëve të UÇK-së Kosova frymon e lirë

Më: 9 qershor 2021 Në ora: 10:07
Arkiv

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj thotë se falë NATO-së dhe dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) frymon e lirë si shtet i pavarur dhe është faktor i stabilitetit për rajonin.

Këtë Hoxhaj e tha pasi që sot bëhen 22 vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Kumanovës që i dha fund luftës në Kosovë.

“22 vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Kumanovës që i dha fund luftës në vendin tonë. Për 78 ditë, kombet që u rreshtuan në anën e të drejtës historike nën ombrellën e NATO-s, bombarduan deri në dorëzimin dhe dëbimin e Serbisë nga Kosova, duke parandaluar gjenocidin e planifikuar të Millosheviqit. Sot, falë NATO-s dhe dëshmorëve të UÇK-së, Kosova frymon e lirë si shtet i pavarur dhe është faktor stabiliteti për rajonin. Përjetësisht mirënjohës. ??????”, ka shkruar Hoxhaj në “facebook”.

Me marrëveshjen e nënshkruar 22 vite më parë, Serbia është detyruar të tërheqë të gjitha forcat e saj policore dhe ushtarake nga Kosova. Marrëveshja është arritur pas fushatës së bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe, e cila ka zgjatur për 78 ditë, si dhe pas përpjekjeve të ndryshme diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Kosovë, gjatë të cilës mbi 10 mijë njerëz janë vrarë, rreth 5 mijë të tjerë të zhdukur dhe mbi 1 milion shqiptarë të zhvendosur. Shkatërrimet materiale po ashtu kanë qenë masive.

Më 12 qershor të vitit 1999, në Kosovë kanë zbarkuar trupat e para të këmbësorisë së NATO-s, ndërsa ka nisur largimi i forcave serbe.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-së, Havier Solana, më 10 qershor 1999 kishte lëshuar urdhrin për ndalimin e bombardimit dhe Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi Rezolutën 1244, ku u dërguan 37.200 ushtarë të KFOR-it nga 36 shtete.

Misioni ishte i ndarë në pesë zona të përgjegjësisë, që i përkisnin KFOR-it Amerikan, Anglez, Francez, Gjerman dhe Italian.

Me hyrjen e NATO-s, në Kosovë ka nisur edhe vendosja e misionit të përkohshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, i cili do të administronte vendin për një periudhë të caktuar kohore.

Në të njëjtën kohë, është shpërbërë edhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës, për t’u shndërruar në Trupat Mbrojtëse të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat