Regjistrimi i popullsisë në gjithë vendin mbetet sfidë për Qeverinë

Aktuale

Regjistrimi i popullsisë në gjithë vendin mbetet sfidë për Qeverinë

Më: 9 qershor 2021 Në ora: 14:57
Hekuran Krasniqi

Regjistrimi popullsisë dhe i ekonomive familjare i paraparë për këtë vit mund të shtyhet për pranverën e vitit të ardhshëm.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, gjatë raportimit në Komisionin parlamentar për Buxhet dhe Transfere, tha se për shkak të pandemisë dhe zgjedhjeve lokale që pritet të mbahen në vjeshtë, regjistrimi i popullsisë së Kosovës i paraparë për sivjet ka mundësi të shtyhet për vitin 2022.

Në anën tjetër, mbetet sfidë sërish bojkotimi i këtij procesi në katër komunat me shumicë serbe në veri të Mitrovicës.

Për këtë ministri Murati para deputetëve tha se synojnë të realizohet regjistrimi i popullsisë në gjithë territorin e Kosovës, me të gjithë banorët.

Murati: Regjistrimi në pranverën e ardhshme, synohet të ndodhë në tërë territorin e Kosovës

"Për shkak të pandemisë që është nga viti i kaluar dhe që po vazhdon, është shtyrë fillimisht, por pastaj kemi edhe zgjedhjet lokale që janë në këtë vit, për këtë është problematike që regjistrimi i popullsisë të mbahet sivjet. Kështu të gjithë indikatorët çojnë drejt asaj që këtë proces ta kemi dikur rreth pranverës së vitit të ardhshëm. pra, përgatitjet të jenë për pranverën e vitit të ardhshëm. Do të shohim mundësinë dhe dispononimi për ta realizuar, pasi që qëllimi është që të realizohet në tërë territorin dhe me të gjithë banorët. nëse mund të ketë ngecje diku të shohim se cila është zgjidhja optimale për të mundësuar regjistrimin sa më të mirë", tha theksoi Murati.

Deputeti nga radhët e VV-së, Eman Rrahmani theksoi se për regjistrimin e popullsisë në veri duhet të respektohen ligjet në fuqi për të krijuar kushte për këtë proces.

Rrahmani: Për regjistrimin e popullsisë në veri duhet të zbatohen ligjet në fuqi

"Është e drejt e secili mos me marrë pjesë në regjistrim dhe nuk do të mund të ndodhë detyrimi ndaj askujt që të bëhet pjesë e regjistrimit, por janë institucionet e Kosovës në secilën komunë dhe janë të obliguar t'i zbatojnë të gjitha ligjet ashtu siç ndodhë edhe në komunat tjera. Andaj, edhe nuk po e kuptoj pse nuk mund të bëhet për komunitete të tjera të cilat dëshirojnë të regjistrohen. Komuniteti serb nuk ka dashur të merr pjesë në regjistrim, megjithatë do të duhej që edhe të ishin pjesë e regjistrimit, për shkak se në pjesën veriore edhe shqiptarët kanë problem me u regjistruar. Nëse nuk dëshirojnë me marrë pjesë institucionet komunale, atëherë duhet shikuar mundësia për krijimin e grupeve ad-hoc nga përfaqësues të tjerë të cilët duhet të merren dhe të bëjnë regjistrimin në atë pjesë", tha ai.

Por, Avni Kastrati nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), u shpreh se është i pa mundur regjistrimi në atë pjesë, nëse komisionet komunale nuk janë aktiv.

Drejtues të ASK-së theksuan se kostoja për këtë regjistrim pritet të jetë rreth 12 milionë euro.

Kastrati: Është i pa mundur regjistrimi në veri, nëse komisionet komunale nuk janë aktiv

"Nëse paraqitet sfidë prapë në ndonjë komunë për mos pjesë marrje në regjistrim, pothuajse është e pa mundur, sepse ata janë personat zyrtarë në komunal që e përcaktojnë situatën. është i pa mundur regjistrimi, nëse komisioni komunal nuk është aktiv", theksoi Kastrati.

Anëtari tjetër nga PDK-ja, Bedri Hamza tha se regjistrimi duhet të ndodhë për të gjithë qytetarët në Republikën e Kosovës, teksa shtoi se sfidë mbetet edhe vonesa e miratimit të Ligji për regjistrimin e popullsisë.

Hamza: Regjistrimi duhet të ndodhë për të gjithë qytetarët në Kosovë

"Është një proces tejet i rëndësishëm, shumë kompleks, dhe sigurisht që ne si Kuvend do të japim mbështetjen e plotë edhe qeverisë dhe ASK-së, mirëpo edhe më rëndësi që regjistrimi të ndodhë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, sepse e dimë rëndësinë e statistikave, jo vetëm sa i përket procesit zgjedhor, por edhe sa i përket planifikimeve e strategjive, madhësisë së ekonomisë, rritjes ekonomike e të gjithë indikatorëve të tjerë[...]Por një prej sfidave që e shoh e që besoj se ne nuk jemi në kohë, dhe duhet të jemi më dinamik, është Ligji për regjistrimin e popullsisë", tha Hamza.

Kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Transfere, Armend Muja shprehi brengën e tij për tkurrjen e popullsisë në vend.

Muja: Ka të dhënë sa ka tkurrje të madhe të popullsisë

"Ka të dhëna se një tkurrje të madhe të popullsisë pas vlerësimeve fillestare, vlerësohet se nga 1.7 milionë ka rënë 1.5 milionë. A jeni të lejuar me diskutuar këtë?", ka pyetur Muja.

Edhe Kastrati i ASK-së tha se në këto pesë vitet e fundit ka rënie drastike të numrit të popullsisë, dhe rritje të vdekjeve në Kosovë.

Kastrati: Shkalla probelitetit jo zyrtarisht është shqetësuese

"Shkalla probelitetit në Kosovë për momentin jo zyrtarisht është 1.7. kjo është shumë shqetësuese, krahasuar me projektin e parashikimeve. Kjo do të pasoja të gjithë e dimë. Në këto pesë vitet e fundit ka rënie drastike të shtimit natyror, përkundrazi ka rritje të vdekjeve", theksoi Kastrati.

Po ashtu në këtë Komision auditori i përgjithshëm i Zyrës Kombëtare të Auditimit(ZKA) Besnik Osmani për herën e dytë sot ka dhënë informacione shtesë për raportin vjetor financiar për vitin 2020.

Për këtë raport pati mjaft kritika nga deputetë të Vetëvendosjes, për siç thanë mos auditimin e pasqyrave financiare të Televizionit Publik. Auditori Osmani tha se janë duke pritur një opinion ligjor nga Kuvendi i Kosovës për auditimin e RTK-së.

Dhe siç tha ai do të veprojnë në bazë të këtij opinioni të Kuvendit.

Osmani: S'kam marrë opinion ligjorë për auditimin e RTK-së

"Për mua ka qenë shumë e rëndësishme që të sigurohem që të mos marrë veprime për tej autorizimeve ligjore dhe kushtetuese si auditor i përgjithshëm. fatkeqësisht një interpretim të tillë, edhe një përgjigje të tillë nuk e kam marrë nga Kuvendi. Deputeti Rrahmani i'u referua përgjigjes së Kuvendit, unë edhe sot nuk e kam atë përgjigjen nga Kuvendi, dhe derisa kam ardhur këtu nuk kam ndonjë shënim. E kam për obligim që t'iu referohem dokumenteve zyrtare. Besoj sapo ta kem marr një gjë të tillë dhe ta shoh përmbajtjen, e kam obligim që ta respektoj atë dhe të vazhdoj mëtejme me procedura të tjera", theksoi Osmani.

Deputeti Eman Rrahmani tha se është shqetësuese të mos prezantohet saktë dhe drejt raporti vjetor i ZKA-së nga auditori në detyrë.

Rrahmani ka kritikuar Osmanin për gabimet siç tha ai të një pas njëshme për mos auditimin e mediumit publik.

Rrahmani: Mungesa e auditimit të RTK-së ka shkaktuar dëme të jashtëzakonshme

"Mungesa e auditimit financiar të RTK-së ka shkaktuar dëme të jashtëzakonshme, kam pyetje konkrete a e ndieni veten përgjegjës dhe fajtor për mos veprimin me kohë. Ju keni thënë që zyra ligjore e auditorit ka dhënë opinion që keni të drejt të auditoni, mirëpo për shkak të paralajmërimit nga ana e RTK-së që nuk keni të drejt ju jeni tërhequr. përderisa keni pasur një opinion të zyrës ligjore të auditorit dhe nuk keni pasur asnjë opinion nga Kuvendi, ju i jeni bindur presioneve të RTK-së për të mos i audtituar financat e RTK-së", theksoi Rrahmani.

Për këtë Osmani tha se RTK nuk është organizatë buxhetore dhe nuk e ndien veten përgjegjës, por siç theksoi ai krenar që në mandatin tij kanë rrit numrin e auditimit për ndërmarrjet publike.

Megjithatë, Komisioni pas shumë diskutimeve me shumicë votash ka miratuar raportin vjetor financiar të ZKA-së për vitin 2020.

Komisioni në fund ka miratuar edhe rishikimin e Buxhetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës për vitin 2021.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat