Ekspozita që dokumenton gjenocidin serb të kryer në Kosovë

Aktuale

Ekspozita që dokumenton gjenocidin serb të kryer në Kosovë

Më: 10 qershor 2021 Në ora: 16:23
Ilustrim

"Si u vra Kodi Etik i Hipokratit dhe si u shkelën ligjet ndërkombëtare të luftës", është emri i ekspozitës së autorit Salih Krasniqi, që është hapur sot në Prizren, e për të cilën u tha se dokumenton gjenocidin që Serbia ka kryer në Kosovë.

Kjo ekspozitë ofron mbi 250 fotografi e dokumente që dëshmojnë dhunën e ushtruar, vrasjen e masakrimin e Serbisë ndaj mjekëve e mbi pacientët shqiptarë. Po në këtë ekspozitë flitet edhe për brutalitetin e treguar nga mjekët e infermierët serbë në raport me pacientët vetëm për shkak të përkatësisë së tyre etnike.

Ekspozita, që i paraprin botimit të librit me të njëjtin titull e tematikë, është ndarë në 6 kapituj që përfshin 350 pacientë.

Autori i ekspozitës, Salih Krasniqi, tha se përmes kësaj ekspozite ka dashur të paraqesë krimet që ka kryer Serbia në Kosovë gjatë luftës.

Krasniqi: Në libër tregohen torturat ndaj pacientëve shqiptarë

"Në 6 kapituj, ku në të parin janë personeli shëndetësor të vrarë janë 45 qoftë mjekë apo infermierë dhe studentë të mjekësisë. Pastaj fëmijët 0-18 vjet, të rriturit mbi 18 vjet, pastaj janë një grup të burgut të Dubravës, janë 31, të cilët i kanë sjellë forcat serbe në QKUK. Pastaj janë 17 të rritur tek profesioni i tyre i kanë shkruar terroristë dhe ndaj tyre ka pasur zullume duke i lidhur për radiatorë, duke i rrahur thuajse për çdo ditë dhe në fund i kanë marrë në burg. Është kapitulli i 6 ku do të shihni disa dokumente që i kam hasur çka ka ndodhur në QKUK. Këto janë vetëm një pjesë sepse e kam librin thuajse afër për ta botuar", tha ai.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, u shpreh se një ekspozitë e tillë i shërben dokumentimit të krimeve të kryera nga Serbia në Kosovë.

Haskuka: Pamjet janë dokumentim për krimet serbe në Kosovë

"Pamjet janë dokumentim i vërtetë i krimit që e ka bërë Serbia në Kosovë, një dokumentim i cili fatkeqësisht në vitet e kaluara ka mbetur në vullnetin e individëve. Në këtë rast ne duhet të falënderojmë përzemërsisht profesorin që ka punuar individualisht, i ka mbledhur këto dhe i ka dokumentuar edhe tash e kemi ekspozitën këtu. Mendoj që këto gjëra është dashur të bëhen në mënyrë institucionale nga shteti, por fatkeqësisht ka qenë njëfarë neglizhence që është bërë deri më tani. Sidoqoftë mendoj që nuk është vonë kurrë që t'i tregojmë ato që kanë ndodhur", tha ai.

Islam Thaçi, është një nga protagonistët e kësaj ekspozite, e i cili tha që një punë që është dashur ta bëjnë institucionet po e bënë profesori Krasniqi.

Thaçi: Dokumentimin e krimeve duhet ta bëj shteti

"Një punë që është dashur ta bëjnë institucionet, fatkeqësisht po detyrohemi ta bëjnë njerëzit e vullnetit të mirë dhe të sakrificës së madhe. Unë kam pasur fatin që të jem në duart e profesorit Salih në kohën e luftës", tha ai.

Kjo ekspozitë u hap në kuadër të ngjarjeve për shënimin e 143 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat