Hyseni: Nuk ka zbatim të Asociacionit para marrëveshjes finale

Aktuale

Hyseni: Nuk ka zbatim të Asociacionit para marrëveshjes finale

Më: 11 qershor 2021 Në ora: 00:58
Skender Hyseni

Ish-Koordinatori Nacional për Dialogun Kosovë-Serbi, Skender Hyseni, ka zbuluar për herë të parë se Bashkimi Europian por edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mbështesin idenë që marrëveshjet e arritura deri më tash me Serbinë, të zbatohen pas nënshkrimit të marrëveshjes përfundimtare për normalizim raportesh.

Hyseni këtë e tha ndërsa komentoi kërkesën e palës serbe, që Asociaconi të zbatohet paraprakisht.

”Sa i përket Asociacionit, është ratifikuar marrëveshja e Asociacionit në Kuvend të Republikës së Kosovës”.

”Kosova duhet të demonstrojë seriozitet të skajshëm në zbatimin e zotimeve që i merr ndërkombëtarisht me nënshkrimin e saj. Meqë ka filluar një proces gjithëpërfshirës për marrëveshje të përgjithshme, ligjërisht e obligueshme dhe ndërkombëtarisht e obligueshme dhe statusi i Asociacionit ka hyrë si një prej elementeve të asaj marrëveshje. Prandaj ne kemi marrë atë qëndrim, që nuk ka zbatim as të Asociacionit, para se të nënshkruhet [marrëveshja gjithëpërfshirëse]. Dhe këtë e ka në dijeni të plotë edhe [Miroslav] Lajçak dhe janë plotësisht dakord”.

”Unë po e them publikisht, mirë që kam dëshmitarë që kanë qenë në tavolinë me mua. Një nga përleshjet e mëdha që kemi pasur në takimin e fundit me [Petar] Petkoviqin, ka qenë lansimi nga ana e tij të një slogani të ri ”Përmes zbatimit te normalizimi”. Ata [pala serbe] insistojnë të zbatohen të gjitha marrëveshjet, duke përfshirë këtu edhe Asociacionin”.

”Natyrisht unë kam reaguar bukur egër aty sepse në publik e media nuk reagoj egër, por aty ku duhet di me reagu bukur egër”.

”I kam thanë ”Përmes njohjes te zbatimit” – dhe kjo është formula të cilën e pranon Kosova”.

”Dhe Kosova nuk pranon asnjë formulë tjetër dhe nuk guxon të pranojë asnjë formulë tjetër dhe të njëjtin pozicion unë ua kam shfaqë [Richard] Grenellit, [Matthew] Palmerit, çdo kujt në Shtëpinë e Bardhë dhe në Departament të Shtetit, dhe ata kanë qenë në dijeni dhe në dakordim të plotë që ky proces i rinisur në korrik nuk duhet të përfundojë me një zgjidhje parciale, por duhet të mbyllet me një pako të përgjithshme”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat