Ministrja Haxhiu dhe deputeti Selmanaj përplasen keq në Kuvend

Aktuale

Ministrja Haxhiu dhe deputeti Selmanaj përplasen keq në Kuvend

Më: 17 qershor 2021 Në ora: 07:22

E plotësuar (14:40) - ​Kuvendi i Kosovës me 70 vota për dhe një kundër ka emëruar anëtarët e Komisionit për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës, ku Albert Zogaj është zgjedhur kryetar. Për emërimin e tyre pati përplasje verbale ndërmjet ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe deputetit nga LDK-ja Driton Selmanaj.

Haxhiu ka thënë se nuk ka konflikt interesi ndaj Albert Zogajt dhe nuk ka shkelje për anëtaren Valbona Disha-Haxhosaj, pasi sipas saj, më shumë peshon guximi dhe profesionalizimi se sa një masë disiplinore. Madje, Haxhiu ka udhëzuar deputetin Selmanaj ta lexojë Ligjin e punës.

Haxhiu: Nuk kam kohë të ta lexoj ligjin, Driton!

“Edhe një herë sa i përket kandidates Valona Disha Haxhosaj. Unë besoj që më shumë peshon guximi dhe profesionalizmi i saj se sa një masë disiplinore. Dhe përvoja praktike pastaj që përmend, lexoje Ligjin e punës, bre Driton! Për besë nuk mundem, nuk kam kohë të ta lexoj Ligjin e punës. Lexoje Ligjin e punës dhe shiko çka është përvoja praktike!”, tha ministrja Haxhiu.

Ndaj kësaj deklarate ka replikuar deputeti Selmanaj, i cili tha se ministrja Haxhiu nuk duhet të flasë në foltoren e Kuvendit sikur të jetë në firmën e Faton Dalladakut.

Selmanaj: Ministre Haxhiu, nuk je në firmën e Faton Dalladakut!

“Merrni me mend një ministre del thotë ‘unë vlerësojë më shumë guximin’ se sa një vendim të një institucioni më të lartë të drejtësisë në Kosovë. Oj zonjë, oj zonjushë, oj ministre nuk po flas në emër tuajin personal, po flas për ministren e shtetit, ministren e Dritësisë, nuk je në firmën e Faton Dalladakut këtu. Je ministre e Drejtësisë, nuk je ti askush për të vlerësuar guximin ose mos guximin e dikujt. Janë institucionet që vlerësojnë shkeljen ose mos shkeljen e ligjit për vepra penale ose masa disiplinore. Ti je politikane, nuk është në mandatin tuajin. Unë kam problem me pozitën tuaj që më përfaqëson mua, drejtësinë në Kosovë. Mos ju lutemi”, tha Selmanaj.

Komisioni për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës ka këtë përbërje: Albert Zogaj kryetar, Drita Rexhaj, Valbona Disha-Haxhosaj, Afrim Shala, Zenel Leku, Edije Sezairi, Halile Reka, Bajram Miftari, Hajriz Hoti dhe Nenad Laziq.

Kuvendi i Kosovës ka shkuar në pauzë deri në orën 16:00./

***

Haxhiu: Zogaj s’do të kompensohet për punën në Komisionin për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës

Kuvendi i Kosovës po shqyrton propozimin e Qeverisë së Kosovës për emërimin e Komisionit për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës, të cilin raport me kandidatë të saj e ka prezantuar ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Duke iu përgjigjur deputetëve të opozitës, ministrja Haxhiu ka mohuar të ketë konflikt interesi në rastin e kandidatit për kryetar të Komisionit, Albert Zogaj. Ajo tha se Zogaj nuk do të kompensohet për punën në Komisionin për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës.

Haxhiu: Albert Zogaj nuk kompensohet për punën në Komision

“Një gjë po iu informoj e lexuar nenin 18 paragrafi 6 të Ligjit për Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Zogaj edhe dy anëtarë të tjerë nuk do të kompensohen për punën e tyre si anëtar të Komisionit për Provim të Jurisprudencës. Pra, nuk do të kompensohen për punën e tyre si anëtarë të komisionit, kjo s’ka ndodhur asnjë herë. Kështu që nuk ka pasur asnjë herë një anëtar i komisionit, i cili nuk është kompensuar për punën e tij apo të saj në komision. Është hera e parë që Zogaj dhe dy të tjerë nuk do të kompensohen. Ne kemi kërkuar Agjencia Kundër Korrupsionit opinion, kjo agjenci për Zogajn ka thënë që nuk ka konflikt interesi, por varet puna e çështjes së shpërblimit apo kompensimit. Zogaj nuk do të kompensohet për punën e tij si kryetar I Komisionit. Mos më ndërprit, e merr fjalën…”, tha Haxhiu.

Debati për kandidatët e komisionit është duke vazhduar në Kuvend. 

***

​Haliti: LVV u financua nga tri kompani në fushatën kundër prodhimeve të huaja

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje në fushatën kundër prodhimeve të huaja, ka dal për interesa të dy, tri kompanive që kanë financuar lëvizjen.

Ai në seancën e sotme të Kuvendit, ka thënë se është e padrejtë, joparimore, jo njerëzore të thuhet krejt PDK, LDK, e të gjithë ata që kanë qenë në pushtet janë të korruptuar.

Haliti: E di kush financoi LVV-në kundër prodhimeve të huaja

“Unë e di kush iu ka financuar juve kur keni dal me ato pretendimet e luftës kundër atyre prodhimeve të huaja, ju nuk keni dal kundër prodhime që është deshtë me dal dhe nuk keni ndal akoma, por keni dal për interesa të dy tri kompanive që iu kanë financuar, por sot jeni prish me ta dhe po kërkoni t’i shkatërroni, është interes i juve”, tha ai.

Sipas tij, nacionalizmi i tepruar nga pozicioni opozitar që e ka pas Lëvizja Vetëvendosje nuk i bën mirë Kosovës dhe do ta kenë rrugëtim të vështirë si qeveri, së bashku me parlamentit edhe çështjen e dialogut.

***

Këta janë emrat e propozuar në Komisionin për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në Kuvendin e Kosovës ka treguar anëtarët që janë propozuar për Komisionin për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës.

Gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës Haxhiu tha se kanë dërguar interpretime në Agjencinë Kundër Korrupsion për dy anëtarë.

Sipas Haxhiut, këta janë emrat e propozuar: Albert Zogaj, Drita Rexhaj,Valbona Dishaj-Haxhosaj, Afrim Shala, Zenel Leku, Edijesa Zahiri, Halide Reka, Bajram Miftari, Hajriz Hoti dhe Nenad Lazic.

“Këto janë propozimet tona për shkak që shumë kandidatë po presin ju ftoj që ta mbështesni këtë”, tha ministrja Haxhiu.

***

Deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi, ka kritikuar Qeverinë Kurti për punësimet familjare.

Ai ka thënë se emërimi i anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë duhet të mos bëhet në baza të lidhjeve familjare.

“Ne nuk mund të mbështesim emërime të tilla, shpresoj që Bislimi ta takojë nipin e tij pas 50 viteve sepse bashkimi familjar është i rëndësishëm, por nëse jemi përjashtuar nga ENQA për shkak të ndikimeve politike, tash mund t’ju tregojmë se asgjë nuk ka ndryshuar por vetëm është shtuar edhe ndikimi familjar”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka thënë se nuk beson që zëvendëskryeministri Besnik Bislimi deri nesër nuk mund të ndikojë tek nipi i tij për të kaluar ndonjë projekt dhe për të anuluar ndonjë tjetër.

Pas fjalës së Krasniqit, ka replikuar Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, e cila tash ka mohuar se Bislimi ka lidhje familjare me personin në fjalë.

“Në lidhje me diskutimin që është bërë për njërin nga kandidatët, për njërin nga kandidatët dhe diskutimet që janë bërë unë e kam pyetur zëvendëskryeministrin Bislimi dhe nuk e ka nip dhe në linjë të gjakut nuk e shkel asnjë kufizim siç e përcakton ligji”, ka thënë Nagavci.

Ajo ka thënë se është respektuar çdo procedurë dhe afat ligjor për konkursin në fjalë.

Kujtojmë se debati ka të bëjë me propozimin e Gëzim Tosunit për anëtar të KShC-së, i cili është raportuar më herët se është nip i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi. 

Kuvendi miraton në parim heqjen e homologimit për automjete

Deputetët e Kuvendit të Kosovës me 70 vota pro kanë votuar sot në parim Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Automjete, që parasheh heqjen e homologimit të veturave të importuara nga BE-ja, raporton KosovaPress.

Ushtruesja e detyrës së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila tha se me këtë plotësim-ndryshim të Ligjit për automjetet po hiqet një padrejtësi ndaj qytetarëve të Kosovës për më shumë se një dekadë

Kusari-Lila: Hiqet nja padrejtësi për qytetarët që është bërë mbi 10 vjet

“Në këtë legjislaturë kemi marrë prapë iniciativën për të korrigjuar një padrejtësi e cila në Kosovë vijon prej vitit 2009. Është vlerësuar që ky autorizim që i është bërë një kompanie në veçanti ka siguruar ekskluzivitetin në kundërshti me rregullat e konkurrencës së lirë të tregut. Gjithashtu, ka pasur shkelje të vazhdueshme në procedurë, ka pasur reagim të Zyrës së Bashkimit Evropian dhe natyrisht shkelje të të drejtave të konsumatorëve për faktin se kanë qenë të udhëzuar që të kryejnë shërbime vetëm te një operator ekonomik. Me plotësim ndryshimin e projektligjit për automjetet dhe ne sigurojmë se do të hiqet kjo padrejtësi me mbi një dekadë”, tha Kusari-Lila.

PDK nuk e ka mbështetur heqjen e homologimit, por deputeti nga PDK-ja Mërgim Lushtaku, tha se sa i përket këtij ligji ai ka ngritur zërin në vazhdimësi për ndryshim, por për lejimin e importimit të veturave më të vjetra se 10 vjet.

Lushtaku: Duhet lejuar importimi i veturave më të vjetra se 10 vjet

“Meqenëse nuk jam në këtë Komision, gjithmonë jam munduar të ngre zërin sa i përket këtij ligji për ndryshimin e disa neneve, sidomos të nenit 44 paragrafi 2, ku thuhet që nuk mund të importohen vetura më të vjetra se 10 vjet. Kam kërkuar që mos të ketë një standard të dyfishtë për arsye se Kosova e ka një standard të dyfishtë. Evropa ka vetëm një kriter ‘Euro disel 4’ për importimin e veturave, ndërsa Kosova fatkeqësisht i ka pasur dy standarde. E di që tash nuk është në shqyrtim kjo çështje, por dua të ngriti zërin përsëri”, tha Lushtaku.

Ndërsa, deputeti nga LDK-ja Besian Mustafa tha se e mbështesin plotësim- ndryshimin e projektligjit në fjalë, por kërkojnë të hiqet edhe monopoli për qendrat e kontrollit teknik, si dhe të ulet akciza për veturat e importuara.

Mustafa: Të hiqet monopoli edhe në Qendrat e Kontrollit Teknik

“Po deklarohemi siç kemi bërë vitin e kaluar edhe sivjet se përkrahim iniciativën për plotësim-ndryshimin e Ligjit për automjete, sepse rregullon një fushë të rëndësishme për sigurinë në trafik dhe sigurinë e automjeteve, dhe mbi të gjitha ul koston financiare dhe barrën administrative që rëndon mbi qytetarët e vendit. Siç kemi kërkuar edhe vitin e kaluar, po kërkojmë edhe sivjet që plotësim- ndryshimi i këtij ligji të jetë pjesë e një reforme më thelbësore të kësaj fushe. Po i ceku vetëm disa nga temat që kërkojmë të përfshihen largimi i monopolit të qendrave të kontrollit teknik, si dhe akciza tejet e lartë që konsiderojmë në veturat që importohen nga qytetarët tanë”, tha Mustafa.

Edhe deputetët nga AAK-ja thanë se mbështesin plotësim-ndryshimin e Ligjit në parim për automjetet, që parasheh heqjen e homologimit. 

***

Me 70 vota për, Kuvendi ka miratuar në parim Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Automjete që mundëson heqjen e homologimit.

Përderisa Partia Demokratike e Kosovës nuk morri pjesë në votim

Shefja e GP të VV-së Mimoza Kusari-Lila tha se me këtë ndryshim do të largohet kjo padrejtësi që ka mbizotëruar për një dekadë.

“Me plotësim ndryshimin e Projektligjit për Automjete do të hiqet kjo padrejtësi me mbi një dekadë, ne e konsiderojmë se e rëndësishme është që të sigurohet kjo padrejtësi pasi që nga viti 2009 kjo mundësi ju është dhënë vetëm një operatori”.

Kryetarja e Komisionit për Bujqësi, Fitore Pacolli tha se shumë shpejt ministri i linjës do t’i sjellë Ligjin e ri për automjete.

Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku tha se nevoja për ndryshim nuk është vetëm te një pikë.

“Ky ligj do të vjen me një shqyrtim dhe plotësim ndryshim dhe nevoja për ndryshim nuk është vetëm për një pikë dhe të presim ministrinë”.

Shefi i GP së AAK-së, Besnik Tahiri tha se e përkrah në parim plotësim ndryshimin e Ligjit për Automjete.

“Në parim grupi parlamentar e mbështet në parim plotësim ndryshimin e këtij Ligji”.

Armend Zemaj, nga LDK-ja, tha se nuk mund të mashtrohen qytetarët vetëm se po largohet homologimi, por të hiqet akciza dhe ndryshime të tjera.

“Homologimi ka marr konotacion politik dhe jo rrallë herë, dikush e ka plot gojën përkrahje për mërgatën”.

***

Riemërohet Komisioni parlamentar për të Drejtat e Njeriut

Me 84 vota për dhe asnjë kundër, deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan vendimi për riemërim  të Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur, Peticione, duke i shtuar kështu edhe pjesën “Viktima të Dhunës Seksuale gjatë Luftës”.

Në lidhje me këtë, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosjes, Vasfije Blair, ka folur për herë të parë në cilësinë e deputetes, dhe u bëri thirrje deputetëve që ta përkrahin këtë propozim.

“Përmes votës së tyre, qytetarët u treguan të gatshëm për të përkrahur viktimat e dhunës seksuale të luftës në Kosovë, ku një hap i rëndësishëm në këtë drejtim është bërë përmes propozimit për riemërimin e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione duke i shtuar edhe kategoria “Viktima të Dhunës Seksuale gjatë Luftës”, u shpreh Blair në Kuvend.  

***

 "Na keni lodhur me kapjen dhe çkapjen e shtetit", Xhavit Haliti-VV-së: Zbatojeni ligjin

Deputeti i PDK-së Xhavit Haliti ka kërkuar që të gjitha marrëveshjet e Kuvendit t’i shpërndahen deputetëve.

Ai ju drejtuar VV-së duke i thënë se i kanë lodhur me kapjen dhe çkapjen e shtetit.

“Të gjithë marrëveshjet që janë bërë në Kuvendin e Kosovës t’i shpërndahen deputetëve dhe që të dihen se çfarë janë”.

“Na keni lodh me kapjen dhe çkapjen, zbatojeni ligjin dhe kush ta shkel ligjin dihet çfarë masa me marrë”.

Tahiri, LVV-së: Në vitin 2015 votuat për faljen e borxheve publike, falja e gjobave duhet të ndodh edhe për sektorin privat

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri gjatë debatit në Kuvendin e Kosovës ka thënë se, duhet të ndodh falja e gjobave për sektorin privat duhet të ndodh.

Tahiri në këtë seancë ka kujtuar se Lëvizja Vetëvendosje në vitin 2015 kishte votuat për faljen e borxheve publike.

“Ne kemi kërkuar që falja e borxheve për sektorin privat në kohë pandemie të ndodh. Me datën 22 korrik 2015, në këtë seancë parlamentare ju [LVV] keni votuar për faljen e borxheve. Pyetja ime për ju është se tash çfarë ka ndryshuar, pse në vitin 2015 keni votuar për faljen e borxheve dhe si ndodhi kjo që ndryshoj që tani që jeni ministër s’po bënë të falen borxhet publike”, tha Tahiri. 

AAK-ja kërkon që Kurti sa më shpejt të raportojë në Kuvend për takimin në Bruksel

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka kërkuar që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti t’i raportojë Kuvendit të Kosovës sa më parë për takimin në Bruksel.

Tahiri tha se kjo është kërkesa kryesore e deputetëve të AAK-së, pasi siç tha ai, “humbi tema e njohjes reciproke dhe e kërkimit të faljes, humbën temat kombëtare dhe fillojë loja e fjalëve CEFTA e Sefta, që në esencë është mini-shengeni”.

Ai tha se kërkojnë të dinë se pse gjatë takimit nuk ka kërkuar njohje.

“Kërkesa e AAK-së është që kryeministri Kurti të raportojë sa më shpejt para Kuvendit të Kosovës”, tha Tahiri në seancë.

***

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj në seancën e Kuvendit të Kosovës ka folur për shkarkimin e kryetares së KQZ-së, Valdete Dakën nga presidentja Vjosa Osmani.

Duke folur në emër të LDK-së, Selmanaj ka thënë se ky vendim i Osmanit paraqet një precedent të rrezikshëm dhe skandaloz.

Ai tha se ky vendim është bërë për të realizuar qëllimet e caktuara partiake.

“Sipas vlerësimit tonë, një vendim i tillë paraqet një precedent të rrezikshëm dhe skandaloz. Veprimi i tillë nuk mund të kuptohet ndryshe pos për realizim të qëllimeve partiake”, tha Selmanaj.

Tutje, deputeti i LDK-së, tha se presidentja nuk mund të shkarkojë kryetarin e KQZ-së por vetëm ta emërojë atë.

“Duhet t’i kujtojmë presidentes, se Kushtetuta nuk e ka paraparë shkarkimin e kryetarit të KQZ-së nga ana e presidentes, por vetëm emërimin. Arsyetimet që janë dhënë më tepër ngjanin me një pamflet politik, sepse në një mënyrë të pakuptimtë presidentja e merr rolin e katër institucioneve tjera”, tha Selmanaj tutje.

“Presidentja e mazhoranzës parlamentare në vend që të garantojë funksionimin e institucioneve, ka zgjedhur që t’i cënojë ato. Po atakohet institucioni që ka dëshmuar se është shembull për të gjithë rajonin për administrimin e proceseve elektroale. Nëse nuk e ndalim tani, veprime të ngjajshme do të përsëriten përsëri”, shtoi ai.

***

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Elmi Reçica ka kërkuar që të hiqet nga rend i ditës, pika për zgjedhjen e Komisionerit për Informim dhe Privatësi.

Ai i ka bërë thirrje grupit parlamentar të VV-së që ta tërheqin këtë pikë të rendit të ditës.

“Ne kërkojmë që pika e nëntë e rendit të ditës të largohet. Ka pasur kundërshtime këtyre ditëve. Kërkojmë nga Lista Serbe dhe nga VV-ja që ta tërheqin këtë pikë”, ka thënë ai.

Në ndërkohë, u.d. e grupit parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se nuk do ta tërheqin këtë pikë të rendit të ditës.

“Argumentet që i prezantoi z.Recica nuk qëndrojnë. E kemi pasur një proces që ka shkuar në rrugën siç ka qenë e paraparë. Ky proces ka ardhur në seancë dhe seanca vendos. Thirrja për tërheqje është një thirrje për të vazhduar me proces të votimit. Ne kërkojmë që të procedohet kjo pikë e rendit të ditës”, ka thënë Kusari Lila.

Në ndërkohë, shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi ka thënë se për kandidatët e përzgjedhur ka pasur vërejtje të shumta.

“Ne e kemi shqyrtuar këtë problem. Është prish një traditë e vazhdueshme në Kuvend, ku janë formuar grupe punues që kanë intervistuar kandidatët, i kanë përzgjedhur dhe i kanë dërguar në Komision. Kandidatët që janë përzgjedhur janë kandidatë për të cilët ka vërejtje të shumta. Mendoj se është e rëndësishme që të kemi përfaqësues jo politik. Propozimi për tërheqjen nga rendi i ditës është i arsyeshëm dhe duhet të tërhiqet”, ka thënë Gashi.

Edhe Bekë Berisha nga AAK-ja ka kërkuar që kjo pikë e rendit të ditës të tërhiqet.

“Sa i përket çështjes së Komisionerit, mendoj se ky konkurs është kompromentuar. Nuk do t’i përfaqësoj gjithë qytetarët dhe deputetët. Është e drejtë që të hiqet nga rendi i ditës dhe të bëhet konkursi për së dyti”, ka thënë Berisha.

Me 19 për, 53 vota kundër nuk ka kaluar propozimi i PDK-së për tërheqjen nga pika e rendit të ditës, votimi për Komisioner për Privatësi dhe Informim.

***

Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sot në ora 10:00 seancë plenare. Në rend dite janë 9 pika. Ndër to edhe zgjedhja e Komisionerit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi, për të cilën gjatë ditës së djeshme, opozita por edhe shoqëria civile kërkuan që të hiqet nga rendi i ditës.

Në një komunikatë për media organizatat e shoqërisë civile thonë se kandidati për këtë pozitë, Enver Bujari, ka manipuluar me CV-në e tij, duke mos ofruar dokumentin që dëshmon mbi përvojën e punës, ashtu siç është kërkuar me konkurs dhe ligj, por vetëm raportin e Trustit Pensional.

Shoqëria civile vlerëson se Komisioneri për Informim dhe Privatësi do të jetë personi më i rëndësishëm në Kosovë në mbrojtjen e të dhënave personale dhe garantimin e qasjes në dokumente publike.

“Ai duhet të jetë profesional, pa ngjyrosje politike dhe me integritet të lartë. Shpresojmë që Lëvizja Vetëvendosje do të reflektojë dhe nuk do të rrezikojë një institucion kaq të rëndësishëm”, thuhet në njoftim.

Ky është rendi i ditës:

1. Deklarimet jashtë rendit të ditës,

2. Pyetjet parlamentare,

3. Propozim-vendimet për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit nr. 08-V-006, dt. 02.04.2021 për formimin e komisioneve parlamentare,

4. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-004 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-132 për Automjete,

5. Shqyrtimi i propozimit të Qeverisë së Kosovës për ratifikimin e shtatë (7) anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë Kosovare të Akreditimit,

6. Shqyrtimi i propozimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për emërimin e Komisionit për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës,

7. Zgjedhja e kryesuesit të Komisionit Shqyrtues në Autoritetin Rregullator për Shërbimet e Ujit,

8. Zgjedhja e Komisionerit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi,

9. Propozim-rezoluta nga debati parlamentar në lidhje situatën ekonomike si pasojë e pandemisë COVID-19.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat