​Vlerësohet se është momentumi i duhur për arritjen e marrëveshjes finale Kosovë-Serbi

Aktuale

​Vlerësohet se është momentumi i duhur për arritjen e marrëveshjes finale Kosovë-Serbi

Më: 23 qershor 2021 Në ora: 14:51
Foto

Në kuadër të konferencës “Kapitull i ri i dialogut Kosovë-Serbi” të Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), njohësit e këtij procesi vlerësuan se është momentumi i duhur për arritjen e marrëveshjes finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, mirëpo duhet të ketë vullnet më të madh nga pala serbe. Derisa theksuan se ky proces nuk është i ri, siç po konsiderohet nga Qeveria Kurti, po vazhdim i së kaluarës.

Drejtori i institutit EPIK, Demush Shasha tha se në dy vendet mazhorancat kanë legjitimitetin politik dhe janë të afta për të përmbyllur marrëveshjen finale, por është skeptik pasi nuk po sheh ndonjë lëvizje konkrete nga pala serbe.

Shasha: Është moment unik sepse mazhorancat në dy vendet janë të afta për të përmbyllur marrëveshjen finale

“Ne shohim për herë të parë mazhorancat në të dy vendet që janë të afta politikisht dhe kanë legjitimitetit për të përmbyllur dialogun, por edhe përmbushin kërkesat kushtetuese që kërkon një proces i tillë. Kjo është pse është moment unik, kemi për herë të parë një mazhorancë të aftë për të përmbyllur këtë proces. E katërta dhe e fundit pse jam optimist është nëse analizojmë çka është duke bërë lideri i kësaj mazhoranca në Kosovë. Kryeministri Kurti një nga një është duke i hequr vetës pengesat për të arritur tek marrëveshja finale. Siç cek raporti, zbuten tonet sa i përket vendosjes së tarifës, reciprocitetit, rishikimit të marrëveshjeve, që po largohen nga diskursi, në mënyrë që të arrihet tek një shteg për të arritur tek marrëveshja. Nëse i analizojmë katër zhvillime krijohet një optimizëm që jetojmë në një stad të veçantë që mund të ketë sukses[...]unë nuk jam duke parë cilat janë objektivisht iniciativat politike të Serbisë për të nënshkruar një marrëveshje, nuk po shoh ajo çka do të jetë kjo”, tha ai.

Qasjen e Qeverisë Kurti për dialogun, analistja politike, Shqipe Pantina po e sheh ta gabuar, pasi sipas saj, historia nuk ka filluar me 14 shkurt dhe se asgjë nuk mund të kthehet në pikën zero.

Pantina: Historia as nuk fillon nga sot

“Historia as nuk fillon nga sot, procesi i zgjidhjes së konfliktit me Serbinë, nuk ka filluar me 14 shkurt dhe për fat të keq as nuk mund të kthehet në pikën zero. Ne tashmë kemi hyrë në një proces dhe qeveria aktuale duhet ta vazhdojë aty ku ka mbetur. E mira e gjithë kësaj është se ka një pajtueshmëri se ne po hymë në fazën e finale”, shtoi ajo.

Ndërsa, Ardian Arifaj, ish këshilltari i ish presidentit Hashim Thaçi, tha se temat e dialogut edhe në procesin e ri janë të njëjta.

Arifaj: Temat në kuadër të dialogut janë të njëjta

“Në kuptim të temave, ato janë të njëjta. Njohja, anëtarësimi i Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe disa nga temat që kanë qenë në tavolinë, së paku prej Vjenës. Të pagjeturit, Kisha, prona e kështu me radhë. Në kuptim nuk mund të ketë një proces të ri dhe nuk është një proces i ri”, tha ai.

Kurse, drejtori organizatës joqeveritare, NGO-AKTIV, Miodrag Miliçeviq tha se përkushtim të arritjes së marrëveshjes finale nuk ka as pala kosovare, por as ajo serbe.

Miliçeviq: Nuk ka përkushtim të dialogut nga asnjëra palë

“Nuk kemi pasur sinqeritet në procesin e dialogut dhe ky është sot e kësaj dite një problem serioz. Tek asnjëra palë nuk kemi nivel të përkushtimit ndaj dialogut siç është dashur të jetë. Në panelin paraprak nuk duhet të paraqitet partitë e tyre në këtë proces, jo është çështje nacionale, kushdo që e percepton ndryshe është e gabuar”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat