Konflikti i Vuçiqit me SHBA-në dhe ‘shqetësimi’ i Avdullah Hotit për...

Aktuale

Konflikti i Vuçiqit me SHBA-në dhe ‘shqetësimi’ i Avdullah Hotit për...

Nga: N.Sh Më: 1 korrik 2021 Në ora: 17:03
Avdullah Hoti dhe Aleksandër Vuçiq

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka folur sot për marrëveshjen e Uashingtonit të arritur me 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë.

Ai tha se Serbia do të veprojë në përputhje me interesat e saj sa i takon zhvendosjes së ambasadës serbe nga Tel Avivi në Jerusalem të Izraelit.

Mirëpo, sipas Vuçiqit, interesat e Serbisë kanë ndryshuar pasi Izraeli njohu Kosovën.

Këtë deklaratë e bëri sot, më 1 korrik, kur edhe skadon afati i përcaktuar për Serbinë që të zhvendosë ambasadën e saj në Jerusalem.

E këtë konflikt të Vuçiqit me Shtëpinë e Bardhë e ka komentuar prof. Dr. Enver Bytyçi.

Ai përmes një postimi në Facebook, shprehet se, transferimi i ambasadës serbe në Jerusalem nuk do të ndodh.

“Sot është afati i përcaktuar, kur sipas marrëveshjes së Uashingtonit të 4 shtatorit 2020, do të duhej që Serbia të kishte transferuar ambasadën e saj në Jerusalem. Por kjo nuk ka ndodhur e nuk ka gjasa të ndodhë. Vuçiq u shpreh se është i zhgënjyer nga Izraeli për njohjen e shtetit të Kosovës dhe paralajmëroi se nuk do ta zbatoje këtë marrëveshje”, shkruan profesori.

Ai shprehet tutje se, për këtë konflikt nuk e din e sa është sensitive Shtëpia e Bardhë.

“E kam njoftuar opinionin publik me këtë fakt. Kam shkruar e kam thënë se Beogradi do të konfliktohet me Uashingtonin për shkak se do të refuzojë transferimin e ambasadës serbe nga Tel Avivi në Jerusalem. Por nuk e di se sa sensitive është Shtëpia e Bardhë rreth kësaj çështjeje. Dhe aq më tepër më ka befasuar fakti se Richard Grenell, edhe pse ndërmjetës i asaj marrëveshjeje, shprehu aleancën e tij të pazgjidhur me Serbinë, edhe pse udhëheqësit e saj nuk i zbatojnë marrëveshjet me SHBA-të!’, shkruan tutje ai.

Profesori shton se, as Kosova nuk ka se çka të shqetësohet për pikat e tjera të kësaj marrëveshje pasi që nuk kanë lidhje drejtëpërdrejtë me interesin amerikan.

Sipas tij, për këtë amrrëveshje le të shqetësohet vetëm ish kryeministri Avdullah Hoti.

“Mesa duket ajo marrëveshje ishte marketing për fushatën elektorale të Trump. Dhe ndoshta si e tillë nuk paraqet interes për presidentin aktual, Joe Biden. Tashmë as për Trump dhe Grenell. Prandaj dhe në Prishtinë nuk ka pse të shqetësohen për pikat e tjera të marrëveshjes në fjalë, të cilat, në fund të fundit, nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me interesin amerikan. I tillë është p.sh minishengeni Rama-Vuçiq! Le të shqetësohet për këtë vetëm zoti Hoti!”, përfundon Bytyçi.

Ndryshe, afati për lëvizjen e ambasadës serbe përcaktohet në bazë të Marrëveshjes së Uashingtonit për normalizimin e raporteve ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë e nënshkruar më 4 shtator të vitit 2020, nga presidenti Vuçiq dhe kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Avdullah Hoti.

Dokumenti kishte 15 pika të njëjta që Serbia dhe Kosova nënshkruan me Shtetet e Bashkuara, por pika e fundit e dokumentit ishte e ndryshme.

Kosova nënshkroi për njohje të ndërsjellë me Izraelin, ndërsa Serbia se do të zhvendoste ambasadën në Jerusalem, deri më 1 korrik 2021.

Kosova e ka hapur ambasadën e saj në Jerusalem.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat