Mblidhen nënshkrime si kërkesë për BE-në për heqjen e vizave

Aktuale

Mblidhen nënshkrime si kërkesë për BE-në për heqjen e vizave

Më: 5 korrik 2021 Në ora: 13:42
Foto ilustrim

64 anëtarë dhe drejtorë të organizatave joqeveritare të ndryshme në Kosovë dhe rajon kanë mbledhur nënshkrime si kërkesë për Bashkimin Evropian që t’i liberalizojë vizat në disa nga vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Ne, organizatat dhe individët e nënshkruar nga Ballkani Perëndimor dhe Bashkimi Evropian (BE) u kërkojmë qeverive të gjashtë vendeve të Ballkani Perëndimor dhe udhëheqësve të Shteteve Anëtare të BE të veprojnë me shpejtësi në heqjen e regjimeve të vizave dhe krijimin e lirisë së lëvizjes për të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor që udhëtojnë brenda rajonit dhe në të gjithë zonën Shengen”.

Në kumtesën për media thuhet se pengesat ekzistuese për lirinë e lëvizjes brenda rajonit po i pamundësojnë lidhjet familjare e po i dëmtojnë bizneset.

“Pengesat ekzistuese për lirinë e lëvizjes brenda rajonit dhe në të gjithë zonën Shengen po i pamundësojnë lidhjet familjare, dëmtojnë bizneset, frenojnë shkëmbimet studentore dhe akademike, dhe po e pamundësojnë bashkëpunimin dhe zhvillimin rajonal”.

“Lëvizja e qytetarëve të vendeve të Ballkani Perëndimor brenda rajonit vazhdon të jetë sfiduese për shkak të kufizimeve/mosnjohjes së pasaportave, si në rastin e udhëtimit midis Kosovës dhe Serbisë, si dhe midis Bosnje-Hercegovinës dhe Kosovës. Qeveritë duhet të kuptojnë që rrugët, tunelet dhe hekurudhat nuk do t'i shërbejnë plotësisht vendeve të Ballkani Perëndimor, përveç nëse dispozitat lehtësojnë lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve brenda rajonit”.

“Po ashtu, mundësitë për qytetarët e vendeve të Ballkani Perëndimor janë shumë më të kufizuara kur bëhet fjalë për të kontribuar dhe përfituar nga projekte rajonale, por edhe nga programe më të mëdha të BE-së — të tillë si Programi Erasmus+ — të cilat janë provuar të jenë të dobishme për studentët, studiuesit dhe sipërmarrësit e rinj, duke ofruar përvoja që ndryshojnë jetën për qytetarët e BE-së. Kur mundësi të tilla ekzistojnë, ato priren të jenë të mundshme vetëm për njerëzit në rajonin e Ballkanit Perëndimor, pasaporta e të cilëve u lejon atyre të udhëtojnë më lehtë, pa kaluar procedura të gjata dhe të kushtueshme për të marrë një vizë Shengen”.

Këto OJQ e shohin Samitin e Berlinit si mundësi të mirë për heqjen e regjimit të vizave.

“Takimi i ardhshëm i Ballkanit Perëndimor në Berlin është një mundësi e jashtëzakonshme për heqjen e regjimit të vizave dhe për të mundësuar lirinë e lëvizjes në rajon. Eksplorimi i potencialit të kapitalit njerëzor brenda Procesit të Berlinit ka qenë jetik, i cili mundësoi përfshirjen e të rinjve dhe shoqërisë civile si nxitës të ndryshimeve shoqërore dhe që shihet si një investim në lëvizjen e njerëzve. Mbështetjes nga BE për vendet e Ballkani Perëndimor shpesh i ka munguar ky aspekt shoqëror, i cili mund të ketë një ndikim kuptimplotë dhe të qëndrueshëm mbi qytetarët dhe shoqëritë”.

“Sidoqoftë, qytetarët e Kosovës mbeten të vetmit në rajon të cilëve u duhet vizë për të udhëtuar në zonën Shengen. Përkundër faktit se në vitin 2018, Komisioni Evropian konfirmoi se Kosova kishte përmbushur të gjitha standardet e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave dhe votimit nga Parlamenti
Evropian në favor të propozimit të Komisionit, propozimi është ende në pritje në Këshillin Evropian”.

“BE duhet të marrë një rol të përgjegjshëm dhe të ruajë besueshmërinë e saj në rajon duke përmbushur premtimet e dhëna qytetarëve të Kosovës dhe duke i dhënë liberalizimin e vizave Kosovës këtë vit. Duke dhënë liberalizimin e vizave për të gjithë qytetarët e rajonit të Ballkanit Perëndimor, BE do të përmbushë premtimin e saj dhe vlerën e saj thelbësore – lirinë e lëvizjes”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat