Dënimi i Vukotiqit, QKRMT: Ditë historike, drejtësia po triumfon

Aktuale

Dënimi i Vukotiqit, QKRMT: Ditë historike, drejtësia po triumfon

Më: 5 korrik 2021 Në ora: 15:33
QKRMT

Sebahate Pacolli-Krasniqi, nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, e quan ditë historike dënimin e Zoran Vukotiqin për krime lufte kundër popullatës civile, përkatësisht dhunim seksual ndaj gruaje shqiptare në komunën e Vushtrrisë.

“Sot është marrë vendimi që Zoran Vukotiq është dënuar me dhjetë vjet burgim për krim ndaj popullatës civile gjatë luftës në Kosovë posaçërisht për krimin dhe dhunën seksuale të kryer ndaj një të mbijetuare. Për neve është një ditë e jashtëzakonshme dhe historike për faktin se është hera e parë që nga gjykatat tona vendore po jepet dënimi për një krim të tillë”.

“Kjo ditë shënon më në fund triumfin e drejtësisë ndaj krimeve të këtij lloji. Angazhimi ynë 20 vjeçar për fuqizimin e mbijetuarve të dhunës seksuale në luftë edhe pse vonë përfundimisht po merr edhe një dimension – po merr dimensionin e drejtësisë së munguar e për të cilën kemi punuar shumë”, thotë Pacolli-Krasniqi.

Tutje Pacolli-Krasniqi thotë se dënimi nuk është në nivelin e merituar por prap paraqet fillimin e një etape më të mirë të drejtësisë ndaj krimeve të kryera gjatë luftës.

“Nuk është në nivelin e merituar pasi mendojmë se do të duhej të ishte dënim më i madh, megjithatë, ky dënim paraqet fillimin e një etape më të mirë ku drejtësia do të shënojë edhe më shumë raste të tilla të triumfit karshi krimeve të kryera gjatë luftës”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat