Beteja me Albinin, Memli nën hijen e Lumirit

Aktuale

Beteja me Albinin, Memli nën hijen e Lumirit

Më: 5 korrik 2021 Në ora: 16:37
Memli Krasniqi

Memli Krasniqi ka marrë timonin për të udhëhequr PDK-në në kohën më kritike të saj. Krasniqi po shihet si kopje e Abdixhikut, e që po tenton t’i bëjë konkurrencë Kurtit e Osmanit, por, si pas analistëve, vështirë që do ia dalin, pasi kreu i ri i PDK-së ka tutorë me vete.

Shembullin e LDK-së për tentativë reformimi e ka bërë edhe PDK-ja gjatë kësaj të shtune. Ata kanë zgjedhur Memli Krasniqin si kryetar me kompetenca të plota, pas dorëheqjes së Kadri Veselit.

Këto lëvizje të dy partive opozitare, analistët po i shohin si ndryshime nga zori, për me tepër zgjedhjen e Krasniqit po e shohin më shumë se dakordim dhe direktivë nga ish-udhëheqësit, se nga partia, pasi nuk kishte asnjë kundërkandidatë.

Sipas Blerim Burjanit, këto ndryshime brenda PDK-se dhe LDK-së po behën duke u munduar t’i përshtaten Kurtit dhe Osmanit, për me tepër i quan produkt të këtyre të fundit.

“Ideja politike ka mbizotëruar se duhet të ndërruar liderët dhe të i përshtatën Kurtit dhe Osmanit, në suazën e asaj që elektorati më shumë po i beson të rinjve, se sa të vjetërve që janë të përfshirë në afera korruptive. Kjo ka bërë që LDK e PDK të tentojnë të zgjedhin një bashkëmoshatar të Kurtit e Osmanit, për të vazhduar rrugëtimin me ndryshime politike dhe për të marr besimin e elektoratit. Pra si Lumir ashtu dhe Memli janë produkt i Albinit dhe Vjosën në kuptimin e ndryshimit të gjeneratës politike në paritë e tyre”.

Ai vazhdon të besojë se këto ndryshime vetëm po e forcojnë pozicionin e VV-së, pasi udhëheqësi i saj nuk ka tutorë, ashtu siç e ka Krasniqi i PDK-së.

“Albini ka përparësi ndaj tyre në mendim dhe veprim politik. Ka guximin që këta nuk e kanë dhe nuk ka tutorë prapa. Kurse Memli ka tutor  politik, andaj edhe zgjedhjet lokale do të jenë në dobi të VV-së” – shprehet Burjani.

Kurse, njohësi tjetër i politikës, Dren Dushi, duke folur tha se zgjedhjet në PDK erdhën prej zorit, ashtu si për LDK-në, jo nga vullneti politik, por, nga një pasojë e imponuar politike.

“Zotëri Abdixhiku erdhi në krye të LDK-së pasi kjo e fundit erdhi buzë greminës, teksa zotëri Krasniqi merr detyrën e kreut të PDK-së meqë kjo e fundit i ka krerët në Hagë. Pra kemi të bëjmë me një "reformë" partiake të zorit, dhe jo të një demokratizimi të mirëfilltë. Nuk janë as PDK dhe as LDK subjekte politike demokratike, dhe në mungesë të këtij atributi, të dy partitë do vazhdojnë të jenë në krizë dhe të dominuar nga gjendja aktuale politike me VV-në pothuajse pa konkurrencë” – shprehet Dushi.

Dushi shton se PDK-ja po dëshiron të ndryshojë gjenezë “duke tentuar të riplasohet politikisht si subjekt urban, meqë ata e kanë kuptuar se ka ardhur koha për një gjë të tillë, por gjithashtu konsideroj se në mesin e tyre ka pasur më shumë figura, sidomos nga bota akademike (profesorë e intelektualë) të cilët do ishin më të përshtatshëm për kryetar të tyre, ose të paktën si kundër kandidatë”.

Por, cili nga dy liderët e rinj mund të bëjnë më shumë opozitarizëm, sipas Dushit do të jetë Abdixhiku.

“Për sa i përket çështjes se cili nga këta dy do jetë më opozitar i suksesshëm ndaj Kryeministrit Kurti, mund të them se do jetë zotëri Abdixhiku. Kjo për arsye të cilën precizova më sipër, zotëri Abdixhiku është më origjinal karshi partisë së tij, teksa zotëri Krasniqi do ta ketë shumë të vështirë të fitoj mbështetjen e "komandantëve" të PDK-së. Mbase edhe mund të thuhet se PDK kopjoi LDK-në në këtë proces, por nganjëherë kopjet mund të jenë të suksesshme” – tha ai.

E, për politologun Gurakuç Kuçi, as Abdixhiku e as Krasniqi nuk do të dalin fitues.

“Asnjeri s’do dal fitues. Lumiri është i zgjedhur nga manipulimi i Isa Mustafës e Memli nga dakordësia partiake për të mos lejuar ndryshime dhe për të ia ruajtur uzurpokracise pushtetin.  Ka një gjë, asnjë nga këto dy parti nuk i duhen Kosovës, të dyja janë shfrytëzuese të momentumeve të krijuara nga SHBA-ja dhe për pasojë këto parti kanë kapur shtetin. Lumiri po del të jetë edhe me poshtë pritjeve ndërsa Memli nuk ka pritje fare. Ajo çka po e quajnë ndryshim është fallcifikim fotografik. Ndërsa për të i bërë ballë Albinit, duhet një ekip liderësh sepse këta të tjerët janë bërë kryetar nga taktikat politike dhe jo betejat politike për kauza të ndryshme” – tha Kuçi.

LDK-ja në mars u bë me kryetar të ri dhe kryesi pasi humbi zgjedhjet me 14 shkurt.

 Kurse, PDK që nga muaji nëntor i vitit 2020 ishte me ushtrues detyre të kryetarit, ku në këtë pozitë ishte Enver Hoxhaj.

Këto zhvillime në PDK ndodhën për shkak të arrestimit të ish-kreut të kësaj partie Kadri Veseli nga Specialja, e që më pas ai u tërhoq nga të gjitha aktivitetet politike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat