Shqyrtohet nga Qeveria e Kurtit mundësia e rregullimit me ligj të martesave mes të njëjtës gjini

Aktuale

Shqyrtohet nga Qeveria e Kurtit mundësia e rregullimit me ligj të martesave mes të njëjtës gjini

Më: 6 korrik 2021 Në ora: 18:38
Foto ilustrim

Para disa dite në Prishtinë u mbajt parada e krenarisë në përkrahje të komunitetit LGBT. Por në këtë paradë mungoi kryeministri Albin Kurti dhe Presidentja Vjosa Osmani.

Ndaj këtij akti kanë reaguar shoqëria civile, të cilët kanë hedhur kritika ndaj Ministrisë së Drejtësisë në lidhje me mos punën për Projekt Kodin Civil sa i përket lejimit të martesave të së njëjtës gjini dhe se takimet mes kësaj ministrie dhe Civil Code Kosovo janë farse.

Për këtë ka reaguar Ministria e Drejtësisë e udhëhequr nga Albulena Haxhiu.

Ata kanë mohuar që nuk janë duke punuar në këtë drejtim. Për me tepër në reagimin e tyre thuhet se punëtoritë për Projekt Kodin Civil, nuk kanë qenë vetëm takime konsultative. Në kuadër të reformave në drejtësi dhe avancimit të infrastrukturës ligjore, Ministria e Drejtësisë (MD) ka trajtuar me prioritet adresimin e çështjeve të rëndësishme dhe kompletimin e Projekt Kodit Civil, i cili ndodhet edhe në Programin Legjislativ të MD-së.

Tutje shtojnë se ky grup punues në kuadër të shumë diskutimeve, kanë debatuar për çështjet dhe institutet kryesore të Projekt Kodit Civil, si: Barasvlefshmëria e pasurisë në rast të divorcit, Trashëgimia, Kontrata martesore dhe paramartesore në Projekt Kodin Civil, Martesa e hershme dhe ajo e personave me sekse të njëjtë,  Të drejtat e fëmijëve dhe çështje të tjera – thuhet ndër të tjera në reagimin e MD.

Ky është reagimi i plotë:

Reagim nga Ministria e Drejtësisë
Ministria e Drejtësisë shprehë pakënaqësi në lidhje me reagimin e Qendrës për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore – CSGD, Qendrës për Liri dhe Barazi të Komunitetit LGBT në Kosovë – CEL Kosova si dhe të disa organizatave të tjera të shoqërisë civile në lidhje me Projekt Kodin Civil. 
Reagimi i tyre në të cilin theksojnë se “Këto takime konsultative nuk janë asgjë më shumë se një farsë e Ministrisë për t’u dukur kinse janë duke realizuar konsultime me shoqërinë civile dhe Projekt Kodi Civil është në mbështetje të kësaj farse” është i pabazuar dhe i pavërtetë. Ministria e Drejtësisë fillimisht dëshiron ta bëjë të qartë se komunikata-postimi në rrjetin social facebook nga “Civil Code Kosovo” mbi të cilën kanë reaguar organizatat e shoqërisë civile, nuk menaxhohet nga Ministria e Drejtësisë dhe mbetet jashtë qëndrimeve të Ministrisë së Drejtësisë. 
Punëtoritë për Projekt Kodin Civil, nuk kanë qenë vetëm takime konsultative. Në kuadër të reformave në drejtësi dhe avancimit të infrastrukturës ligjore, Ministria e Drejtësisë (MD) ka trajtuar me prioritet adresimin e çështjeve të rëndësishme dhe kompletimin e Projekt Kodit Civil, i cili ndodhet edhe në Programin Legjislativ të MD-së.
Përmes këtij reagimi, Ministria e Drejtësisë dëshiron të njoftojë organizatat reaguese të shoqërisë civile dhe opinion e gjerë lidhur me trajtimin me prioritet të çështjeve të rëndësishme të Projekt Kodi Civil. Për qëllime informimi, përkundër faktit se Projekt Kodi Civil ka qenë i kompletuar dhe i dërgua në Kuvend nga qeverisja e kaluar, Ministria e Drejtësisë ka vendosur që Projekt Kodi Civil e tillë ta kthej në Ministri të Drejtësisë. E gjithë kjo me qëllim që të gjitha çështjet e pa-adresuara, përfshirë propozimet e shumta të organizatave të shoqërisë civile me interes publik dhe për vet Projekt Kodi Civil, të adresohen. 
Grupi Punues i themeluar më këtë qëllim me 28 Prill 2021, ka ftuar institucione, organizata të shoqërisë civile dhe akterë të tjerë relevant në punëtoritë e mbajtura gjatë muajve maj dhe qershor. Nga diskutimet e 7 punëtorive/takimeve të grupit punues me institucione, organizata të shoqërisë civile, ekspertë dhe akterë të tjerë, kanë rezultuar shumë ndryshime në Projekt Kodin Civil , pjesë e të cilave ndryshime gjithashtu kanë qenë propozimet e organizatave të shoqërisë civile, për çka Ministria e Drejtësisë u është falënderuese.
Në kuadër të shumë diskutimeve, është debatuar për çështjet dhe institutet kryesore të Projekt Kodit Civil, si: Barasvlefshmëria e pasurisë në rast të divorcit, Trashëgimia, Kontrata martesore dhe paramartesore në Projekt Kodin Civil, Martesa e hershme dhe ajo e personave me sekse të njëjtë,  Të drejtat e fëmijëve dhe çështje të tjera. 
Nga diskutimet e shumta, kanë dalur rekomandime të rëndësishme të cilat tashmë janë pjesë e ndryshimeve. Ndër ndryshimet kryesore të përfshira deri më tani janë: heqja e kontratës paramartesore, Barasvlefshmërinë e pasurisë në rast të divorcit 50% me 50%, rregullimi i martesës së personave nga mosha 18 vjeç, duke eliminuar martesat e hershme, avancimi i të drejtave të fëmijëve, në veçanti në institutet e rëndësishme si adoptimi dhe të tjera, si dhe është duke u diskutuar përfshirja dhe rregullimi i martesës së personave me sekse të njëjta, qoftë në Projekt Kodin Civil apo edhe në ligjin e veçantë. 
Meqë Projekt Kodi Civil ende është në fazën e adresimit të komenteve dhe rekomandimeve të dalura nga punëtoritë e 7 takimeve, përveç çështjeve të listuara si më lartë, çështje të tjera të rëndësishme për këtë fushë, janë duke u finalizuar, në kuptim të hartimit të një Kodi Civil modern dhe të kompletuar. 
Ne sigurojmë organizatat e shoqërisë civile dhe opinionin se Projekt Kodi Civil do të jetë në përputhje me standardet kushtetuese dhe ato ndërkombëtare, duke siguruar një Kod Civil sa më modern dhe të aplikueshëm në shoqërinë tonë. 
Ne mbetemi të përkushtuar në frymën e bashkëpunimit dhe koordinimit më të gjithë akterët relevant. Ministria e Drejtësisë, falënderon shoqërinë civile, institucionet e përfshira dhe ekspertë e kontribues të tjerë për kontributin e vazhdueshëm në Projekt Kodin Civil. Ministria e Drejtësisë do të vazhdojë tutje në finalizimin e punës në përputhje me programin legjislativ.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat