Çeku flet për akuzat e LDK-së për buxhetin

Aktuale

Çeku flet për akuzat e LDK-së për buxhetin

Më: 6 korrik 2021 Në ora: 22:16
Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku

Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, i është përgjigjur akuzave të LDK-së se e ka përgjysmuar buxhetin për skenën e pavarur kulturore dhe federatat e sportit.

Çeku ha se kjo është e pavërtetë pasi ai ka qenë vetëm ekzekutues i buxhetit të trashëguar nga qeveria paraprake.

“Nuk ka asnjë vendim, sepse unë nuk mund të marr vendime për një buxhet i cili është i qeverisë së kaluar, të paktën jo deri në rishikim. Deri në rishikim unë e zbatoj buxhetin e planifikuar dhe të miratuar të Qeverisë Hoti dhe ish-ministres Vlora Dumoshi. Unë i kam duart e lidhura. Nuk dua të krijoj antagonizma me skenën e pavarur, sepse unë vetë vij nga ajo skenë dhe jam avokues i asaj skene brenda”.

“Doli LDK-ja dhe më kritikoi se e kam ulur buxhetin për federatat sportive. Është i njëjti buxhet që ma ka lënë ish-kryeministri Avdullah Hoti dhe ish-Ministrja e Kulturës Vlora Dumoshi për sportin dhe unë veç atë e kam marrë. Krejt çka ka pasur në subvencione e kemi shpërndarë në federata, pra jam ekzekutues i buxhetit që ma ka lënë ish-ministrja. Ata (LDK-ja) dolën publikisht në konferencë për media dhe thanë që kam marrë vendim që t’ia ulë buxhetin federatave.  Krejt çka kam gjetur aty ua kam kaluar federatave, e njëjta ka ndodhur me skenën e pavarur – aq sa ka pasë subvencione ato janë shpërndarë në këtë thirrje”.

Çeku tha se instrumenti i subvencionimit të skenës së pavarur është i gabuar, prandaj i njëjti do të reformohet.

“Kemi filluar reforma strukturore. Deri në vitin e ardhshëm shpresoj shumë se do ta kemi Ligjin e ri të Kulturës që brenda do ta ketë kapitullin për skenën e pavarur ku do të rregullohet Fondi Kulturor që do të jetë një fond i veçantë i cili mbushet nga disa burime dhe që menaxhohet nga një bord i pavarur, jo nga burokratët e ministrisë. Po mundohem të siguroj sa më shumë buxhet për skenën e pavarur, por njëkohësisht mundohem të bëjë sistemime sepse modeli aktual është i gabuar, është më shumë për ta mirëmbajtur këtë nivel të mjerimit sesa për ta zhvilluar”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat