Presidentja ​Osmani: Kemi ende shumë gra që s’kanë rol aktiv në shoqërinë tonë

Aktuale

Presidentja ​Osmani: Kemi ende shumë gra që s’kanë rol aktiv në shoqërinë tonë

Më: 7 korrik 2021 Në ora: 15:33
Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani deklaroi sot se integrimi dhe promovimi i grave në shoqëri ofron rezultate të mira në çdo sferë, por pavarësisht kësaj ka ende shumë punë që ato të kenë një rol më të madh aktiv.

Ajo këto komente i bëri me rastin e lansimit të raportit mbi vlerësimin gjinor "Deficiti Demokratik në Kosovë: Pjesëmarrja e plotë e grave" nga Instituti Kombëtar Demokratik, i cili identifikon barrierat për pjesëmarrjen e grave në shoqëri, qeverisje, parti politike dhe fushata zgjedhore.

Osmani ka thënë se gratë janë mirë të përfaqësuara në legjislacion dhe ekzekutiv, por nevojitet më shumë punë në këtë drejtim.

“Duhet të punohet që të adresojmë këtë problematikë. Fokusi ynë duhet të jetë investimi në shkollim, siguria e tyre dhe të sigurohemi që zëri i tyre dëgjohet”, tha ajo.

Drejtoresha e NDI në Kosovë, Nancy Soderberg tha se raporti i publikuar sot identifikon barrierat për pjesëmarrjen politike të grave në shoqëri dhe politikë.

"Hulumtimet tregojnë se gratë janë më inteligjente se burrat. Ende shumë ka për t’u bërë. Kosova ende shumë punë për të bërë për fuqizimin e grave. Ky hulumtim zbulon se gjashtë vjetët e fundit ka pasur ndryshim. Këto gjetje ofrojnë një hartë që gratë të jenë në pozitat udhëheqëse", tha ajo.

Drejtoresha e Zyrës për Demokraci dhe Qeverisje në USAID në Kosovë, Christine Danton tha se ky raport tregon punën që ka mbetur për t’u bërë, si në aspektin e parandalimit të dhunës ndaj femrave dhe financat.

“Gratë nganjëherë e përjashtojnë veten, kur gratë përfaqësohen në proceset negociuese, kemi paqe afatgjate", tha ajo.

Guvernatorja e 50-të e New Jersey në SHBA, Christine Todd Whitman kërkoi nga partitë politike që t’iu ofrojnë më shumë hapësirë grave në politikë.

"Gratë mund të marrin pjesë në çdo proces dhe nuk ka të tilla që duhet të përjashtojnë gratë", u shpreh ajo.

Drejtoresha e programit në NDI, Pranvera Lipovica ka prezantuar të gjeturat e këtij hulumtimi, ku theksoi se ka pasur intervista, anketa, matje e opinionit publik.

"Gratë janë duke u parë më shumë të ndjeshme, punëtore, inteligjente dhe të sinqerta. Portretizimi i liderëve politikë ka qenë evident në zgjedhjet e kaluara. Mos qasja në financa mbetet një prej barrierave dhe pandemia e ka shtuar edhe më tej këtë situatë. Gratë nga komunitetet jo shumicë ballafaqohen edhe më shumë me këto barriera për përfshirjen e tyre në politikë", ka bërë të ditur ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat