Reagon deputetja e AAK-së: Presidentja Osmani bëri reagim të vonshëm

Aktuale

Reagon deputetja e AAK-së: Presidentja Osmani bëri reagim të vonshëm

Më: 13 korrik 2021 Në ora: 00:15
Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës që nuk e kanë vizituar Deçanin pas fluksit të helmimeve që i ndodhën qytetarëve të kësaj komunë.

Kadrijaj, e cila vjen nga kjo anë, tha se ka fluks të njerëzve të helmuar dhe kapaciteti i QKMF-së është i vogël për trajtimin e më shumë se një mijë pacientëve.

“Së paku as një telefonatë nuk patëm nga ministri i shëndetësisë dhe ky është një turp që po i bëhet qytetarëve të Deçanit”.

“Është dashur të mobilizohet MSH-ja që ta sjellë një kontingjent me barna dhe pacientët të mos detyrohen t’i blejnë vet, por fatkeqësisht s’kemi asnjë reagim. Po të kishte ndodhur në një vend tjetër do të kishte një mobilizim shtetëror për t’i dalë në ndihmë qytetarëve të helmuar. Nuk po e kuptoj këtë neglizhencë të Qeverisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë”.

Lidhur me reagimin e Presidentes Osmani, e cila për këtë çështje shkroi në Facebook, deputetja Kadrijaj tha se është i vonshëm dhe se është dashur të kalojnë 48 orë për një, siç e quajti, reagim të cekët të saj.

“Ministri i shëndetësisë është dashur të vijë në vendngjarje dhe t’i drejtohet institucioneve  shëndetësore të Komunës së Deçanit që të mos mungojë asnjë bar për trajtim të pacientëve”.

“QKMF po duhet të gjendet vet pa ndihmën e shtetit dhe qytetarët po detyrohen që vet t’i blejnë barnat dhe infuzionet”, u shpreh Kadrijaj në një intervistë.

Por kjo nuk ishte kritika e vetme e saj drejtuar ekzekutivit.

Ajo tha se kjo qeveria është më jo transparente sa i përket procesit të dialogut.

“Nuk kemi kushte se çka duhet e çka nuk duhet të dialogohet. As kryeministri e as zv. kryeministri nuk po vinë të raportojnë se çka kanë dialoguar. Kemi deklarata kundërthënëse të asaj çka po thonë zyrtarët e Kosovës, Serbisë dhe të Brukselit. Kërkojmë që ky proces të jetë krejtësisht transparent, por kjo nuk po ndodhë”.

Përveç kësaj, deputetja e AAK-së foli edhe lidhur me deklaratën fyese që Petkoviq e bëri për Bislimin, të cilin e krahasoi me një “lulekuqe”.

Ajo u shpreh se nuk duhet të lejojmë që të fyhemi e të ofendohemi në këtë mënyrë.

“Është një gjuhë denigruese, por nuk duhet lejuar që të nënçmohemi dhe përulemi nga pala serbe. Ajo duhet të nënshtrohet dhe të ndihet e fyer para palës kosovare, sepse në raport me Serbinë në  kemi bërë një luftë të drejtë e çlirimtare”, përfundoi ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat