Kurti takon ministrin e Punëve të Jashtme greke – diskutojnë për thellimin ekonomik bilateral

Aktuale

Kurti takon ministrin e Punëve të Jashtme greke – diskutojnë për thellimin ekonomik bilateral

Më: 13 korrik 2021 Në ora: 12:58
Kurti, Dendias

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në vazhdën e takimeve zyrtare në Greqi, është takuar edhe me ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias.

Këtë e ka bërë të ditur kryediplomati grek, përmes një postimi në Twitter, ku shkruan se, gjatë takimit, ata kanë diskutuar për perspektivën e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian (BE), dialogun Kosovë – Serbi dhe bashkëpunimin ekonomik ndërmjet dy vendeve.

“Duke ndjekur takimin tonë të fundit në Prishtinë, unë u takova me kryeministrin Albin Kurti në Athinë. Ne diskutuam mbi perspektivën e Ballkanit Perëndimor në BE, dialogun Beograd-Prishtinë dhe bashkëpunimin ekonomik”, shkruante Dendias në Twitter.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ndodhet në Greqi në vizitë zyrtare që nga java e kaluar.

Kurti vizitën në Greqi e kishte filluar me pjesëmarrjen në tryezën e 25-të me radhë të organizuar nga qeveria e Greqisë në bashkëpunim me prestigjiozen “The Economist”.

Kryeministri i Kosovës, përveç se ishte pjesë e tryezës së qeverisë helene, u takua edhe me homologun e tij grek, Kyriakos Mitsotakis, në të cilën takim u bisedua për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet dy vendeve.

Kurti, gjatë vizitës së tij në Athinë është takuar edhe me liderin e partisë opozitare SYRIZA, Alexis Tsipras, ku të dy liderët kanë diskutuar për përmirësimin e gjendjes në menaxhimin e pandemisë COVID-19, si dhe reformat e Kosovës në fushën e sundimit të ligjit dhe ekonomisë.

Vizita e Kurtit në Greqi vjen pas një ndryshimi të qasjes së diplomacisë greke në raport me Kosovën.

Greqia, si një vend mos-njohës i pavarësisë, gjatë muajve të fundit ka filluar ta ndryshojë qëndrimin në lidhje me aktin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, duke argumentuar se pavarësia e Kosovës nuk përbente shkelje të ligjit ndërkombëtar.

Gjithashtu muaj më parë gazeta pro qeveritare greke Kathimerini, kishte botuar një artikull ku thuhej se ka një intensitet brenda qeverisë helene, për ta njohur Kosovën.

Gazeta argumentonte se Greqia ka disa arsye përse dëshiron të ri-pozicionohet karshi Kosovës. Një nga këto arsyet ishte edhe thellimi i mëtejshëm i marrëdhënieve me faktorin shqiptar dhe veçanërisht me Kosovën. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat