BE reagon pas deklaratave të Simmons

Aktuale

BE reagon pas deklaratave të Simmons

Më: 13 korrik 2021 Në ora: 19:05
Ish-kryetari i Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it, Malcolm Simmons

Ish-kryetari i Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it, Malcolm Simmons, ka raportuar para deputetëve, në Komisionin për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit lidhur me pretendimet për skandalet e EULEX-it në Kosovë, duke thënë se edhe se rastet e krimeve të kryera nga serbët në Kosovë, BE-ja ka dashur që të mos hetohen fare pavarësisht se çfarë prova kanë.

Megjithatë, nga Bashkimi Evropian kanë thënë se qëndrojnë pranë misionit të EULEX-it dhe arritjeve të tij.

Zëdhënësi për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Peter Stano ka thënë se “Simmons ka dështuar që të sigurojë prova për pretendimet e tij”.

“Nuk është hera e parë që Z. Simmons përpiqet të paraqesë versionin e tij, të njëanshëm dhe të pa vërtetuar të keqbërjeve gjatë kohës kur ishte gjyqtar në Misionin e BE për Sundimin e Ligjit. Le të kujtojmë se Z. Simmons refuzoi të bashkëpunojë me një ekip hetimi të udhëhequr nga një gjykatës në pension i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, i cili u krijua për të hetuar gamën e shkeljeve të mundshme të raportuara nga Z. Simmons. Kur iu dha mundësia për të mbështetur pretendimet e tij të ndryshme, Z. Simmons dështoi t’i sigurojë ekipit hetues ndonjë provë për të mbështetur pretendimet e tij”, tha Stano.

Lidhur me pretendimet e Simmons, ka reaguar edhe Zyra e EULEX-it, të cilët kanë thënë se ky i fundit është përfshirë në një fushatë të qëllimshme dezinformimi e cila ka për qëllim t’i shërbejnë motiveve dhe interesave të fshehta.

“Deklarata e Malcolm Simmons e dhënë sot në Kuvend është një koleksion i hamendësimeve të pamenduara dhe të pabazuara, të pavërtetave dhe mendimeve personale. Duke e ditur se ai nuk mund të paditet për shpifje, meqë deklarata e Simmons është e mbuluar nga imuniteti i privilegjit parlamentar  , ai është përfshirë në një fushatë të qëllimshme dezinformimi në lidhje me shkelje që pretendohet se kanë ndodhur gjatë kohës së tij në EULEX dhe e cila ka për qëllim t’i shërbejnë motiveve dhe interesave të fshehta. Ne e shohim këtë si një përpjekje tjetër për të diskredituar Misionin nga ata që janë të interesuar të minojnë sundimin e ligjit në Kosovë si dhe të vet BE-së. Kjo po ashtu është pasqyrim i pakënaqësisë së Simmons me rezultatin e tri hetimeve që janë kryer kundër tij nga autoritetet e BE-së në Bruksel dhe që i janë dorëzuar autoriteteve deleguese të Mbretërisë së Bashkuar (MB) për veprime të mëtejme. Simmonsi po ashtu është dukur i pakënaqur me hedhjen poshtë nga ana e gjykatës së MB të një padie civile që ai e parashtroi kundër Misionit dhe institucioneve të tjera të BE-së në vitin 2020. Thënë shkurt, ai është i pakënaqur me të gjitha procedurat juridike kundër tij”, thuhet në reagimin e EULEX-it.

Për raportimin e Simmons, ka reaguar të martën edhe Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, i cili ka pyetur se pse Kuvendi i Kosovës ende i siguron ish-gjykatësit Simmons një hapësirë për të vazhduar këtë fushatë.

“Refuzim shumë bindës dhe gjithëpërfshirës i EULEX-it për pretendimet e paqena. Unë thjesht pyes veten pse Kuvendi i Kosovës ende i siguron ish-gjykatësit Simmons një hapësirë për të vazhduar këtë fushatë dezinformimi”, ka shkruar Rohde në “Twitter”.

Simmons i ka replikuar ambasadorit Rohde në “Twitter” lidhur me këtë deklaratë.

“Le të dëgjojmë nga EULEX-i dhe nga shtetet anëtare gjatë shqyrtimit publik. E-mailat dhe dokumentet janë aty që t’i shohin të gjithë”, ka shkruar Simmons.

Media ka dërguar pyetje edhe në Presidencë dhe në Zyrën e Kryeministri lidhur me pretendimet e Simmons, mirëpo të njëjtit nuk janë përgjigjur deri në publikimin e këtij artikulli.

Ndryshe, EULEX është misioni i dërguar nga Bashkimi Evropian. Qëllimi i EULEX-it është t’i mbështesë institucionet përkatëse të sundimit të ligjit në Kosovë.

Kujtojmë se presidentja Vjosa Osmani, nëpërmjet një letre drejtuar Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell Fontelles, e ka njoftuar atë për vazhdimin e mandatit të EULEX-it edhe për një vit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat