Juristja: Intervistimi i kandidatëve për pjesëtarë të bordit të KPM-së ishte ‘top-sekret’

Aktuale

Juristja: Intervistimi i kandidatëve për pjesëtarë të bordit të KPM-së ishte ‘top-sekret’

Më: 16 korrik 2021 Në ora: 19:50
Juristja për media, Flutra Kusari

Juristja për media, Flutra Kusari, ka thënë se nuk ka marrë asnjë ftesë për të qenë prezente në procedurën e intervistimit të kandidatëve që kishin për t’u zgjedhur si pjesë e bordit të Komisionit të Pavarur të Mediave.

Ajo ka deklaruar se edhe në faqen online të Kuvendit të Kosovës nuk ka pasur ndonjë njoftim se kishte për të filluar procedura e intervistimit të aplikuesve për kandidatë të Bordit të KPM-së.

“Nuk ka pasur ndonjë ftesë, procedura e intervistimit është zhvilluar në formën ‘top sekret’. Kështu them sepse deri më tani dihet se është hapur një konkurs për tre anëtarë në Bordin e KPM-së si dhe se janë mbledhur aplikacionet. Procedurat parashohin që aplikacionet të dërgohen në Kuvend, të formohet Komisioni Ad-Hoc, i cili tashmë është krijuar”.

“Pastaj do të duhej të zhvilloheshin intervistat, deri tani ky proces lajmërohet nëpërmjet faqes online të Kuvendit, në kalendarin e Kuvendit tregohen këto, në rastin konkret nuk ka pasur asnjë informacion se do të zhvillohen intervistat, këtë e them me shumë përgjegjësi”.

Kusari ka treguar se e ka parë në media që janë përzgjedhur katër persona shqiptarë dhe dy nga komunitetet që të dërgohen si kandidatë për votim në Kuvend për pjesëtarë të Bordt të KPM-së.

“Këto 48 orë kam kontaktuar me 20 persona që janë gazetarë të Kuvendit, deputetë dhe punëtorë të Kuvendit dhe askush nuk e ka ditur që është duke u bërë intervistimi i aplikuesve. Kam informacione se disa prej kandidatëve kanë pritur që të ketë më shumë njerëz, por aty ka pasë pakë”.

“Gjithë kjo më lë hapësirë të dyshoj se ka të bëjë me interesa për favorizime të kandidatëve të caktuar”, ka thënë Kusari.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat