Odaloviq s’lejohet të hyjë në Kosovë

Aktuale

Odaloviq s’lejohet të hyjë në Kosovë

Më: 18 korrik 2021 Në ora: 13:47
Veljko Odaloviq

Kryetari i Komisionit qeveritar serb për Personat e Zhdukur, Veljko Odaloviq, nuk u lejua të hyjë në territorin e Kosovës gjatë mëngjesit të së dielës për të marrë pjesë në përkujtimin e 23-vjetorit të rrëmbimit masiv dhe vrasjes së serbëve në Hoqë e Madhe në Rahovec.

Kështu bëri të ditur vetë ai për medien serbe, ku tha se delegacioni serb ishte në vendkalimin në Jarinje këtë mëngjes rreth orës 08:00 të mëngjesit, por që pjesëtarët e policisë së Kosovës nuk i lejuan ata të hynin në Kosovë.

“Polici tha që unë isha i ndaluar të hyja në Kosovë. Unë kërkova një shpjegim, pas së cilës ai thirri autoritetet e tjera dhe kërkoi pëlqimin shtesë, por ai përsëri mori një përgjigje negative, pa ndonjë shpjegim. Unë pashë vetëm një letër në të cilën ishte e ndaluar me shkronja të mëdha”, ka thënë Odaloviq.

Ai deklaroi se një veprim i tillë i Prishtinës është “i papranueshëm dhe i papërshtatshëm”.

Ai shtoi se si kryetar i Grupit Punues për Personat e Zhdukur, ai dhe kolegët e tij nga Prishtina po punojnë së bashku për gjetjen e të zhdukurve dhe se hyrjet dhe daljet nga Kosova kanë qenë “korrekte” deri më tani, duke shtuar se ky ndalim u bë një ditë para vazhdimit të dialogut në Bruksel që do të zhvillohet të hënën midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e për çka Odaloviq thotë se pala e Prishtinës nuk është e interesuar për negociata.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat