Dënohet shtetasi malazez për incidentin në Gazimestan

Aktuale

Dënohet shtetasi malazez për incidentin në Gazimestan

Më: 21 korrik 2021 Në ora: 13:14
Foto nga vendi i ngjarjes

Shtetasi malazez, Risto Jovanoviq, është gjobitur të mërkurën me 6,700 euro nga Gjykata Themelore në Prishtinë, për “nxitje të urrejtjes dhe mostolerancës kombëtare dhe fetare”, ka konfirmuar avokatja e tij, Jovana Filipoviq.

Ajo ka shtuar se klienti i saj ka pranuar të paguajë gjobën, meqë në të kundërtën do të dënohej me gjashtë muaj burgim.

Jovanoviqit i është ndaluar edhe që për pesë vitet e ardhshme të hyjë në territorin e Kosovës.

Duke arsyetuar vendimin, gjyqtarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Vlora Pacolli, ka thënë se Jovanoviq është dënuar pasi është dëgjuar duke bërtitur “Vrite shqiptarin”, “Ne do ta lajmë Kosovën me gjak”, “Kosova është Serbi”, njofton REL.

Termi pezhorativ ‘shiptar’ konsiderohet politikisht jokorrekt dhe me përmbajtje fyese në gjuhën serbe për shqiptarët.

Ambasadori malazias në Kosovë, Mirsad Biboviq, ka qenë të mërkurën pjesë e seancës kur është dënuar Jovanoviq në Prishtinë.

Ai është arrestuar më 28 qershor, në Gazimestan, 15 kilometra larg Prishtinës, gjatë kremtimit të Vidovdanit.

Ai ka thënë se nuk është fajtor për akuzat me të cilat ngarkohet.

Sipas Policisë së Kosovës, i pandehuri kishte bërë thirrje nacionaliste dhe ka nxitur urrejtje.

Çdo vit, Kisha Ortodokse Serbe, si dhe serbët nga Kosova dhe rajoni, festojnë 28 qershorin, festën e Vidovdanit, në Gazimestan, si një përkujtim për vuajtjet e serbëve në betejën kundër ushtrisë turke në Kosovë në vitin 1389.

Pas arrestimit të Jovanoviqit, Ministria e Jashtme e Malit të Zi ka thënë se Ambasada në Kosovë ka biseduar me autoritetet në Prishtinë dhe se do të marrë masa për të mbrojtur shtetasin malazias.

Më parë, partia në pushtet në Mal të Zi, Fronti Demokratik, i ka kërkuar Qeverisë malaziase të “kërkojë lirimin e menjëhershëm të tij nga vendi partner, Kosova”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat